E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari i Burrelit: Donin të më përdhunonin në qeli!

 BURREL/ HASAN PASHA"Të burgosurit donin të më përdhunonin. Më hiqni nga ky burg, ndryshe do të vras veten". Një i dënuar me 25 vjet në burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel ka alarmuar dje mediat, Prokurorinë e rrethit Mat, si dhe Drejtorinë e Burgut ku është vendosur. Gëzim Leka, 48 vjeç nga Dibra, ka telefonuar nga ambientet e izolimit, duke pohuar se disa të dënuar tentuan ta përdhunojnë në qeli, por pa dhënë emra konkretë në lidhje me akuzën e ngritur. Burime të sigurta të mirëbesuara pranë këtij burgu thanë se ai është shprehur se do t'i jepte fund jetës, pasi kërkesat e tij nuk janë pranuar. "Dua të largohem nga ky burg ku ndodhem prej 4 muajsh, pasi nuk ndihem i sigurt, pasi një natë më parë kanë tentuar të më përdhunojnë në qeli. Dy-tre të dënuar, pasi fikën dritën e qelisë kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me mua. Kam kërkuar leje për dasmën e vëllait në fshat dhe kjo nuk më është realizuar". Kaq ka thënë në kallëzimin e tij i dënuari, të bërë dje në Prokurorinë e Burrelit. Mësohet se nga ana e organit të akuzës është kërkuar kryerja e ekspertizës mjekësore për të faktuar nëse Leka është përdhunuar, por ai nuk ka pranuar të zhvishet. Hetimet pas kallëzimit të të dënuarit kanë nisur dhe do të duhen ditë për të faktuar akuzën e tij për përdhunim. Nga ana e tyre, përfaqësues të burgut të Burrelit nuk janë prononcuar, me qëllim që fjalën e fundit ta thonë specialistët. Ndërsa për sa i përket kërkesës për leje apo transferim, sipas tyre, ato nuk mund të realizohen për dy arsye: Lika nuk mund të përfitojë leje sepse ai është i dënuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes, ndërsa kërkesa për të vajtur sërish në burgun e Fushë-Krujës nuk mund të realizohet, pasi pikërisht nga ky burg ka ardhur në Burrel 4 muaj më parë. Gëzim Leka, 48 vjeç, lindur në Dibër akuzohet se ka vrarë me vitin 1994 kunatin e tij në një fshat të Kukësit, Agim Gjura, si dhe ka plagosur kunatin tjetër. Gjykata e Kukësit e dënoi atë me 25 vjet heqje lirie për veprat penale të "vrasjes me dashje si dhe armëmbajtje pa leje". Po sipas organit të akuzës në Kukës, vrasja ka ndodhur për motive të dobëta. Në marsin e vitit 1997, ai u largua nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe është rikthyer sërish në burg vetëm në vitin 2000, pas një aksioni të policisë Dibër. Leka njihet si nga të dënuarit problematik në të gjithë burgjet shqiptare. Burime të rezervuara pranë Burgut të Burrelit thanë për "Panorama" se ai është transferuar në të gjitha burgjet, pasi shquhet për shkelje të rregullores, për zënka të shumta me të dënuarit e tjerë, fyerje e kërcënime të të dënuarve, etj,. Gëzim Leka ka frekuentuar burgjet e Lezhës, Tiranës, Peqinit, Rrogozhinës, Fushë-Krujës e Burrelit. Vazhdimisht drejtorët e këtyre institucioneve kanë kërkuar transferimin e tij, pasi ka krijuar probleme serioze, si në qeli, ashtu edhe në mjediset e ajrimit të brendshëm e të jashtëm. Ai ka kryer 12 vjet nga dënimi dhe i duhet të kryejë edhe 13 vjet të tjera. Në mënyrë të vazhdueshme, ai ka kërkuar uljen e masës së dënimit, deri në shpalljen e tij i pafajshëm. Katër muaj më parë është "sistemuar" në Burgun e Burrelit. Pak ditë pas mbërritjes në këtë burg i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për "lirim me kusht" nga burgu dhe Drejtorisë së Burgut për t'i dhënë leje të shkojë pranë familjes, paçka se këto të fundit i kanë kërkuar Drejtorisë së Burgjeve të mos e lejojë të kthehet në familje, pasi nuk ka asnjë siguri për jetën e tij.Letër Avokatit të PopullitNjë letër të veçantë ku kërkon zbatimin e kërkesave të tij, i dënuari Gëzim Leka, ia ka drejtuar Avokatit të Popullit. Përfaqësues të këtij institucioni mësohet se e kanë ballafaquar me autoritetet vendore të këtij burgu. Gardianë të burgut hedhin dyshime mbi probleme mendore të tij, ndërkohë burime të sigurta informacioni saktësojnë se Leka nuk kurohet si i sëmurë, por dallohet se ka ngarkesa emocionale. Grupi hetimor do të verifikojë mbi gjendjen shëndetësore e psikike të Lekës si dhe marrëdhëniet e tij me të dënuarit e tjerë, jo vetëm në burgun e Burrelit, por dhe në institucionet e mëparshme të dënimit, ku ai ka qëndruar para se të përfundonte në këtë burg të sigurisë së lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›