“Rregullorja nuk u zbatua me përpikmëri, por përmbytja nuk mund të shmangej”
Nertila MahoPërmbytja e Shkodrës ishte e paevitueshme edhe sikur të zbatohej Rregullorja, dhe shkarkimet të fillonin më herët. Situata thjesht do të vonohej. Prof. Dr. Bardhyl Shehu autor i Hidrologjisë në Rregulloren e kaskadës së Drinit në këtë intervistë tregon arsyet pse përmbytja nuk kishte zgjidhje. Cilat janë prurjet më të mëdha të llogaritura, sa është mundësia që digat të përballen realisht me këto prurje dhe a kanë ndodhur përmbytje të tjera më të mëdha në vendin tonë. Inxhinieri zbulon edhe detajet ku Rregullorja nuk është zbatuar me përpikëri. Profesor, nisur nga situata aktuale në vend e cila është deklaruar emergjente? A mendoni se është vepruar si duhet apo vonesa, sikundër lakohet, ka shkaktuar këtë gjendje?Nuk mund të them me plot gojë se është zbatuar rregullorja me përpikëri, por kjo vonesë në asnjë mënyrë nuk do të thotë se do të shmangej situata. Ajo thjesht do të shtyhej. Edhe nëse do të kishte shkarkime, ato do të ishin të një niveli të ulët. Ardhja e prurjeve të mëdha do detyronte përsëri për shkarkime të mëdha sikundër ndodhi. Pra, përmbytja do të fillonte më parë por në sasi më të pakta. E shoh pak me sy kritik, kur them që rregullorja nuk është zbatuar me përpikëri sepse edhe Sekretariati Teknik, që përbëhet nga ekspertë, është thirrur në datën 30, pak vonë por që gjithsesi ju siguroj që situata nuk do të evitohej edhe sikur Sekretariati të ishte thirrur më parë sepse prurjet ishin të menjëhershme. Ju jeni specialisti hidrolog që është marrë me hidrologjinë në Rregulloren e kaskadës së Drinit. Si janë përllogaritjet e mesatares së prurjeve maksimale për tre hidrocentralet?Fierza, e cila është edhe kryesorja, në një mesatare prej 100 vjetësh e ka prurjen maksimale 4570m/s. Një herë në një mijë vjet, plota llogaritet 6100 m3/s ndërsa për dhjetë mijë vjet prurja maksimale është 9600 m3/s. Një ndryshim kaq i madh midis plotës njëmijë vjeçare dhe dhjetë mijë vjeçare është për arsye se sipas kushteve teknike të projektimit të digave të mëdha, prurjes natyrale (1 herë në 10 mijë vjet) i bëhet një shtesë për të qenë të sigurt (shpesh quhet shtesa për garancinë). Në këtë pikë mendoj se duhet të jemi të qetë sepse digat janë shumë të sigurta. Për sa i përket Komanit, prurjet maksimale që kalojnë nga Fierza në Koman, për njëmijë vjet llogariten 4000m3/s. Prurjet me përsëritje, një herë në dhjetë mijë vjet 4900 m3/s. Nëse nuk do të ishte Fierza dhe Drini do të kalonte drejtpërdrejt në Koman, prurjet për një mijë vjet llogariten 7240 m2/s kurse për dhjetë mijë vjet 8150 m3/s. Teoria jonë është që shpesh nuk mund të përputhen prurjet maksimale të zonës nga Fierza në Koman me prurjen maksimale që vjen në Fierzë. Ndërsa prurja e rregulluar maksimale, që del nga Vau i Dejës, është 6500 m3/s. Nëse i referohemi gjendjes natyrale të kësaj plote, ajo do të arrinte afërsisht 11 mijë m3/s. Prania e hidrocentraleve e zvogëlon atë në 6300 m3/s. Nga përllogaritjet tuaja, sa është jetëgjatësia e hidrocentraleve? Si është bërë llogaritja hidrologjike për to?Jetëgjatësia e hidrocentralit varet nga mbushja e rezervuarit me materiale të ngurta. Fierza mund të shkojë deri në 200 vite jetëgjatësi. Për sa i përket studimit hidrologjik, personalisht që nga viti 1966 deri në vitin 1988, jam marrë me studimin hidrologjik të lumit Drin dhe kam kryer llogaritjet hidrologjike të projektit të hidrocentraleve të mësipërm, për përcaktimin e parametrave hidroenergjetike të tyre, tashmë të zbatuar. Një kapitull tejet të rëndësishëm në studimin hidrologjik të hidrocentraleve me rezervuarë të mëdhenj zë kapitulli i përcaktimit të plotave të mëdha dhe prurjeve maksimale të tyre. Nga madhësia e prurjes maksimale dhe forma e kohëzgjatja e plotës varen pjesërisht disa parametra të shfrytëzimit hidroenergjetik të hidrocentralit, por më kryesorja varet qëndrueshmëria hidrologjike e digës. Kjo do të thotë që lartësia e digës përcaktohet duke pasur në konsideratë të veçantë madhësinë e prurjes maksimale të projektit. Duke pasur parasysh saktësinë e të dhënave hidrologjike dhe rrezikshmërinë që paraqet një llogaritje e gabuar e një prurjeje të tillë, këtij problemi i është kushtuar një vëmendje e posaçme. Krahas grumbullimit të një informacioni të shumëanshëm hidrometeorologjik (duke marrë të dhëna suplementare edhe nga Shërbimi Hidrometeorologjik i Beogradit të ish-Jugosllavisë) dhe arkivor janë organizuar ekspedita të shumta gjatë shtratit të lumit Drini i Zi, Drini i Bardhë dhe Drini i Bashkuar. Këto ekspedita kanë filluar që nga Ura e Dodës në Drinin e Zi (para hidrocentralit të Skavicës) deri në bashkimin me Drinin e Bardhë, duke vazhduar në Fierzë e deri në Vaun e Dejës e Spatharë. Ato kanë pasur për qëllim që të njihen plota shumë të mëdha, që kanë ndodhur në të kaluarën e largët dhe që kanë shkaktuar përmbytje e dëme të ndryshme në fshatrat buzë Drinit. Dhe është arritur të përcaktohen gjurmët e disa plotave shumë të mëdha, që kanë ndodhur edhe në fillim të shekullit të kaluar. Si të tilla janë veçuar plotat e ndodhura në vitet hidrologjike 1937-38, 1934-45, 1929-30 e deri në vitin 1916.Si e shihni sigurinë hidrologjike të digave?Shumë të sigurta sepse janë kryer studime të detajuara dhe me kompetencë të gjithë faktorëve që ndikojnë në digë (hidrologjik, gjeologjik, sizmik etj). Shoh që janë ndërmarrë dhe nisma të tjera të tipit thërritja e specialistëve të huaj në këtë situatë. Në këtë pikë kam diçka për të shtuar sepse ka vend për kritikë. Janë lënë jashtë vëmendjes disa specialistë vendas që kanë kontribuar për këto vepra. Në Shqipëri ekziston një plejadë e vërtetë specialistësh, që ja kanë kushtuar jetën studimit në ndihmë të këtyre veprave dhe do ishte mirë që në vend që të kërkojmë ndihmë tek të huajt, të cilët padyshim që kanë njohuritë e duhura, të pyesnim edhe inxhinierë vendas të cilët për nga njohuritë nuk qëndrojnë pas, madje këto vepra i njohin më mirë. çfarë do të ndodhte nëse uji arrin nivelin maksimal?Duhet të kemi parasysh që niveli maksimal i Fierzës, 296 është për punën e hidrocentralit ndërsa niveli i kaskadës është më shumë se 300. Mbaj mend që kur po ndërtohej Vau i Dejës, niveli e kaloi pikën maksimale dhe madje doli mbi pjesën që ne e quajmë kurorë dhe që u munduam ta ndalnim me thasë. Kjo dha rezultat dhe diga nuk u shkatërrua, një tregues më shumë se sa të sigurta janë digat. Gjithsesi nëse merret parasysh më e keqja, që niveli të arrijë kulmin në Fierzë, përmbytja do të ishte biblike. Prurja maksimale që mund të durojë Fierza, sipas jush, është 9600m3/s e cila është parashikuar të ndodhë mesatarisht një herë në 10 mijë vjet? A mendoni realisht se vërtet mund të vijë një kuotë e tillë?Meqenëse deri më sot zbatimi i hidrologjisë në praktikën e projektimit të veprave të ekonomisë ujore bazohet në përdorimin e teorisë së probabiliteteve dhe statistikës matematike, prurja maksimale e projektit i referohet një probabiliteti tejkalimi të caktuar ose një përqindjeje sigurie të caktuar. Thënë ndryshe, ajo është një ngjarje, që mund të përsëritet mesatarisht 1 herë në (N) vjet. Duke marrë parasysh që diga e Fierzës është një digë shumë e lartë dhe krijon një liqen me vëllim shumë të madh, si edhe faktin që ajo qëndron në krye të kaskadës, përqindja e sigurisë ose probabiliteti i tejkalimit të plotës së projektit është pranuar p=0,01%. Pra presupozohet se një plotë e tillë (Qmax = 9600 m3/s), që rrezikon qëndrueshmërinë e digës mund të vijë mesatarisht 1 herë në 10.000 vjet. Kuptohet një ngjarje e tillë mund të konsiderohet praktikisht e pamundur që të ndodhë. Por pikërisht, pse një plotë maksimale e tillë mund të shkatërrojë digën dhe mund të sjellë një katastrofë kombëtare, madhësia e saj është pranuar e tillë sa praktikisht duket si e pamundur. Edhe unë si qytetar i thjeshtë apo edhe si specialist i një fushe tjetër, do të shprehesha me sigurinë e njerëzve të painformuar mirë, se një plotë e tillë nuk ndodh. Por si specialist hidrolog me përvojë shumëvjeçare, si autor i përcaktimit të madhësisë së kësaj prurjeje maksimale dhe bashkautor i hartimit të Rregullores së Shkarkimit te Plotave në Kaskadën e Drinit, pohoj se është plotësisht e mundshme që, në saj të një kombinimi të pazakontë të faktorëve hidrologjikë në pellgun ujëmbledhës të Drinit, me një sipërfaqe prej 13 650 km2, ekziston mundësia e formimit të një plote të jashtëzakonshme e një madhësie të tillë. Në literaturën teknike botërore has dukshëm shembuj të shkatërrimit të digave, për shkak të llogaritjeve hidrologjike. Në teorinë e probabiliteteve përdoret shprehja: e pamundura nuk mund të mos ndodhë. Pra një ngjarje e tillë nuk mund të injorohet në asnjë mënyrë, përndyshe kalohet në aventurizëm. Nëqoftëse kërkohet të bëhet një shfrytëzim sa më i plotë i rezervës ujore të lumit Drin, në kurriz të mbajtjes më lart të kuotës së liqenit të Fierzës, çka të josh në mënyrë të vazhdueshme, ajo duhet të bëhet mbi baza shkencore dhe të njohjes mirë të regjimit hidrologjik të Drinit. Dimri është akoma përpara dhe situata hidrologjike në pellgun ujëmbledhës të Drinit vazhdon të mbetet serioze. Kjo bën të domosdoshme marrjen e masave në menaxhimin e kaskadës për të sjellë parametrat e kaskadës së Drinit në kërkesat e Rregullores. Situata e rëndë hidrologjike nuk mund të konsiderohet e tejkaluar deri në fund të muajit shkurt.Mbani mend përmbytje që kanë ndodhur më parë si rezultat i prurjeve në kaskadën e Drinit? Në të kaluarën përmbytje sipërfaqesh të mëdha, si rezultat i krijimit të situatave të rënduara hidrologjike ka pasur, kryesisht në Ultësirën Bregdetare dhe në zonën e Shkodrës. Por përmbytja aktuale mund të konsiderohet e një shkalle mjaft të rëndë. Ajo vjen fill pas përmbytjeve që shkaktoi plota maksimale e jashtëzakonshme e vitit hidrologjik 1962-1963, e cila është plota më e madhe e regjistruar dhe dokumentuar gjatë kësaj kohe në arkivin e Institutit Hidrometeorologjik. Ajo solli përmbytje, pothuajse të plotë, të Ultësirës Bregdetare që nga Buna e deri poshtë lumit Vjosë. Në të njëjtën kohë, si një dukuri e jashtëzakonshme hidrologjike natyrore, ajo ka shërbyer si një informacion i dobishëm për specialistët e ujërave. Ajo dha mundësi që të perceptohet më konkretisht fuqia e forcave natyrore, sepse deri në atë kohë ajo ishte e paparafytyruar nga brezi i ynë dhe nga brezi paraardhës. Për studiuesit dhe specialistët e ujërave, plota e vitit hidrologjik 62-63 shërbeu si pikë referimi për të përcaktuar më realisht prurjet maksimale te projektit për vepra të ndryshme hidroteknike. Plota afërsisht të tilla janë vrojtuar në vitin 1955, në vitet hidrologjikë 1970-1971, 1980-1981, 1995-1996, etj. Përmbytja e këtij viti cilësohet si e një shkalle të lartë? Cilët janë faktorë të tjerë që kanë ndikuar?Këtë situatë e ka rënduar gjithashtu rritja e prurjeve të lumit Bunë, që del nga liqeni i Shkodrës. Dukuria e mbufatjes së ndërsjelltë e lumit Bunë nga Drini dhe e lumit Drin nga Buna është e njohur prej kohësh dhe është e studiuar pjesërisht. Pra është dhe vërshimi i ujrëva të Bunës, që e ka rënduar më tej këtë situatë. Një ndërthurje e tillë e ujërave të këtyre dy lumenjve është e zakonshme në këtë zonë. Pikërisht kjo ndërthurje apo ky ndikim i ndërsjelltë e ka vështirësuar studimin e plotë të kësaj nyje të ndërlikuar hidrologjike-hidraulike. Edhe liqeni i Shkodrës shërben si një rezervuar i madh grumbullimi i ujërave që vijnë në të, më të shumtën nga Mali i Zi, dhe që i shkarkon ato dalëngadalë nëpërmjet shtratit të Bunës. Por kapaciteti përcjellës i këtij lumi ka ardhur gjithnjë duke u zvogëluar. Si rrjedhojë e kësaj pamjaftueshmërie, rritet niveli i ujit në rrethinat e qytetit të Shkodrës (në vitin 1955 kam qenë dëshmitar i përmbytjes së Urës së Bunës dhe Pazarit të Vjetër në hyrje të Shkodrës) dhe njëkohësisht rritet edhe kohëzgjatja e përmbytjes së zonës së Shkodrës dhe Lezhës. Ishte një lajm i mirë, u lakua nevoja e studimit të lumit Bunë, por vitin e kaluar nuk u dha asnjë qindarkë për vazhdimin e studimit hidrologjik të këtij lumi, të filluar një vit më përpara, dhe që është një bashkëpunim bilateral me Malin e Zi. Nga zhvillime të situatave të tilla, sigurisht që do të nxirren shumë mësime në veprimtarinë e organeve shtetërore dhe vendore. Unë do të dëshiroja dhe sugjeroja që kjo të bëhej edhe për studimet e karakterit hidrologjik dhe hidraulik për t’i paraprirë projektimeve me cilësi të veprave të ndryshme të ekonomisë ujore dhe në rastin konkret të tërësisë ujore, Liqeni i Shkodrës-lumi Bunë-lumi Drin.