Vjedhja e bankës, Gjykata e Lartë "dënon" Petrit Brahën
Gjykata e Lartë ka refuzuar pak ditë më parë rekursin paraqitur nga ish-polici i Tropojës Petrit Brahaj duke lënë në fuqi vendimin që ka dhënë në vitin 1998 Gjykata e Apelit të Shkodrës, e cila e dënonte të dyshuarin me 10 vjet burg në mungesë. Brahaj është gjetur fajtor për grabitjen e degës së bankës së Tropojës gjatë rrëmujave të vitit 1998, në prani të krizës së luftës së Kosovës dhe është dënuar në mungesë për këtë vepër penale. Katër vjet më parë ai u arrestua në Francë dhe u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Rreth një vit më parë Brahaj, i cili vuan nga një kompleks sëmundjesh të rënda, për të cilat nuk arrin të kurohet në kushtet e burgut, i'u dha leje disaditore shpërblyese. Por sapo doli jashtë burgut ai refuzoi të kthehej në qeli duke pretenduar se e kishte përfunduar dënimin dhe se mbahej padrejtësisht në qeli. Disa muaj më vonë ai u prangos dhe u rikthye sërish në burg. Po kështu ai ka zhvilluar edhe një proces gjyqësor ku kërkon lirimin e tij nga qelia për arsye shëndetësore. Ngjarja për të cilën është dënuar Brahaj ka ndodhur më 28 tetor 1998, kohë kur në bankën e qytetit të Bajram Currit kishte mbërritur një shumë prej 60 milionë lekë të reja. Pas veprimeve të rregullta, ditore bankare, nga shuma në fjalë kishte mbetur shuma prej 49 milionë e 361 mijë lekë, bilanc ky i nxjerrë nga punonjësit e bankës, pak çaste para lënies së punës dhe mbylljes së bankës. Të nesërmen në mëngjes, punonjësit e bankës së Bajram Currit kur kanë shkuar në punë, kanë vënë re se dritarja e bankës ishte hequr dhe pas verifikimeve kishte rezultuar se aty nuk kishte mbetur asnjë lek. Nisur nga ky fakt është njoftuar policia, ku hetuesit kanë nxjerrë se Brahaj kishte lënë gjurmët e gishtave në dritaren e bankës, së bashku me një preson tjetër që ende nuk është identifikuar. Në bazë të këtyre provave gjykata ka argumentuar rrëzimin e pretendimeve të mbrojtjes së ndoshta gjurmët e gishtave të Brahajt ishin lënë rastësisht në dritaren e bankës. Në fund të procesit trupi gjykues, pasi ka dëgjuar pretendimet e organit të akuzës dhe mbrojtjes së të pandehurit ka vendosur dënimin e Brahajt me 10 vjet burg. Më pas këtë vendim e ka lënë në fuqi Gjykata e Apelit të Shkodrës, vendim të cilin Brahaj e ankimoi në Gjykatën e Lartë. fa.ma.