Tre shqiptarë, 78 vjet burg për vrasje në Itali
ITALI - Gjykata e Apelit në Ankona, Itali, ka "konfirmuar" dënimin e shkallës së parë për tre shqiptarë të akuzuar për vrasjen dhe djegien e një shqiptari tjetër në janar të vitit 2008. Totali prej 78 vjetësh burg i dhënë nga gjykata e shkallës së parë, u rrit me 2 muaj për një nga të akuzuarit."Gjykata e Apelit në Ankona konfirmon dënimet për vrasjen e Petrit Keçit, ndodhur në 19 janar të vitit 2008 në zonën e Akuaviva Picena për shkak të 'prishjes së pazareve në trafiqe të jashtëligjshme', citonin pak ditë më parë agjencitë italiane të lajmeve. Referuar këtyre burimeve mësohet se Apeli i Ankonës, vendosi lënien në fuqi të dënimit me nga 30 vjet burg për Ervis çelën dhe Fatos Hicenin. Ndërkohë që dënimi i marrë në shkallën e parë me 18 vjet për të akuzuarin Ardian çela, gjykata e rriti me dy muaj e 10 ditë të tjera burg. Vrasja e Petrit Keçit në janar të vitit 2008 në Itali, u cilësua nga media vendase si eliminim "tipik mafioz". Trupi i tij u gjet i karbonizuar në një ndërtesë në Akuiviva Picena. Autopsia tregoi se para se të digjej, viktima ishte qëlluar 6 herë me pistoletë në kokë. Pista kryesore gjatë hetimeve të ngjarjes ishte ajo e "larjes së hesapeve". Hetimet identifikuan emrat e dy vëllezërve çela dhe të Hicenit si të dyshuar për ngjarjen, ndërkohë që ata ishin të etiketuar nga policia si të përfshirë në shfrytëzimin e prostitucionit. Vëllezërit çela u arrestuan në Itali, ndërsa Hiceni u prangos në Spanjë. Gjykata e shkallës së Parë i deklaroi ata fajtorë dhe i dënoi me një total prej 78 vjet burg. a.b