I do Agueron e Nasrin

Roberto Mancini e ka shprehur interesimin për dy futbollistët e shquar, sulmuesin argjentinas Sergio Aguero dhe mesfushorin francez Samir Nasri. Menaxheri italian i Manchester Cityt e sheh sulmuesin e Atletico Madridit si zëvendësues ideal të Carlos Tevez, i cili mund të largohet nga Anglia gjatë verës.
“Për momentin jemi duke pritur. Nëse e humbin Tevezin, Aguero është lojtari që mund të luajë në City sepse është i ri dhe lojtar i mirë si Carlos. Ai mund të shënojë shumë gola dhe mund të luajë së bashku me Balotellin e Dzekon”, tha Mancini për Sky Sports News.
Ish trajneri i Interit po ashtu e kërkon mesfushorin e Arsenalit, i cili nuk e ka ndërmend ta vazhdojë kontratën me klubin nga Emirates Stadium.
“Samiri ka kontratë me Arsenalin. Edhe transferimi i Nasrit varet nga disa gjëra, është i vështirë. Por, shpresoj t’i blejmë këta dy lojtarë, sepse kemi nevojë. Shpresoj që këta lojtarë të vijnë përpara fundit të muajit”, përfundoi Mancini. Aguero kërkohet edhe nga Real Madridi, kurse Nasri nga Manchester United dhe Inter.