Me Shqipërinë, 100 milionë shkëmbim tregtar
Volumi i tregtisë mes Shqipërisë dhe Kosovës arriti në rreth 100 milionë euro gjatë vitit 2010, me rritje 36 për qind kundrejt vitit 2009, duke reflektuar lehtësitë e krijuara nga autostrada e re Rrëshen-Kalimash-Morinë, por ky nivel tregtie mbetet ende i papërfillshëm në krahasim me volumin e përgjithshëm tregtar të Shqipërisë.
Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 72 milionë euro me rritje 40 për qind kundrejt vitit 2009, ndërsa importi ishte 27 milionë euro me rritje 28 për qind. Statistikat nuk janë të detajuara për të dalluar se sa prej këtij volumi përbëhet nga mallrat transit dhe sa prej mallrave kanë origjinë prodhimi Shqipërinë dhe Kosovën.
Shqipëria ka një volum të tregtisë së jashtme prej 4.6 miliardë eurosh, ndërsa Kosova ka një volum prej 2.5 miliardë eurosh. Tregtia prej 100 milionë eurosh mes dy vendeve përbën vetëm 1.4 për qind të volumit të kombinuar të tregtisë të këtyre dy vendeve. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë një bazë të vogël eksportesh.
Shqipëria është e specializuar në eksportin e veshjeve, këpucëve dhe lëndëve të para, të cilat kanë avantazhin e krahut të lirë të punës dhe afërsisë me transportin detar. Kosova eksporton përgjithësisht prodhime të industrisë ushqimore dhe baza e saj e eksporteve është edhe më e ulët. Sektori më i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve është sektori i shërbimeve turistike, të cilat nuk përfshihen në statistikat e tregtisë së mallrave.
Sektori më premtues për rritjen e volumit të tregtisë mes dy vendeve është energjia elektrike, kryesisht për shkak se burimet energjetike në Shqipëri janë të përqendruara tek uji, ndërsa në Kosovë te qymyri.
Bashkëpunimi në këtë sektor është i dobët aktualisht kryesisht për shkak se të dyja vendet janë deficitare në prodhimin e energjisë elektrike dhe se Shqipëria ka përzgjedhur procedurat e tenderimit për eksportet dhe importet e veta të energjisë, gjë që ka futur në këtë treg ndërmjetës të interesuar më shumë për rritjen e çmimeve të energjisë dhe nuk kanë leverdi për rritjen e eficiencës energjetike që mund të vijë nga rritja e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Rritje në shkëmbimet tregtare janë konfirmuar edhe nga pala kosovare. Ministri i Financave Bedri Hamza ka thënë se që nga lëshimi për qarkullim i autostradës Durrës- Morinë ka një rritje të qarkullimit të mallrave në vendkalimin e Vermicës për 130 për qind. “Ky është një indikator që ka ulur koston e bizneseve dhe i ka orientuar bizneset që t’i shfrytëzojnë portet e Shqipërisë, dhe kjo do të ndikojë edhe më tutje në rritjen e profitit për bizneset.”, ka thënë ai.
Hamza ka shtuar se përmes investimeve në projektin e autostradës në pjesën e Kosovës ka ardhur edhe deri te ngritja e investimeve kapitale.
“Vetëm në vitin 2011 në krahasim me vitin 2010 pritet të ketë 26 për qind të rritjes së investimeve kapitale. Përmes rritjes së investimeve kapitale do të ketë rritje ekonomike. Kur kemi rritje ekonomike, kemi edhe rritje të punësimit” ka thënë ministri i Financave Bedri Hamza.