E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dyfytyrë!

Dy net më parë, shqiptaret e shqiptarët patën rastin të shohin sekretarin e djeshëm të partisë së Enver Hoxhës dhe Kryeministrin e sotëm të vendit, komunistin e vjetër dhe demokratin e flaktë, Sali Berisha, në njërën prej shfaqjeve më të shëmtuara të politikës së vjetër të dyfytyrësisë.

I dyfytyri Sali Berisha, i cili në moshën time ishte ende shërbëtor në partinë e Enver Hoxhës, u tha mbrëmë shqiptarëve se unë, Edi Rama, paskam qenë i lidhur me diktaturën dhe, për t'i bindur, shkeli mbi kujtimin e të ndjerit babait tim.

Nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime, as nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e njeriut që sot fatkeqësisht qeveris Shqipërinë.

Por, nuk jam këtu as për të folur në emrin tim personal dhe as për të mbrojtur veten e familjen time pas një sulmi shtazarak të kundërshtarit tim politik nga ekranet e nga gazetat e komanduara prej tij.

Kur kam marrë përsipër të udhëheq betejën për ta larguar nga skena politike këtë monument të dyfytyrësisë së politikës së vjetër të 17 vjetëve tranzicion, i kam marrë parasysh të gjitha - që nga balta e pafundme e akuzave dhe shpifjeve mbi fytyrën time, deri tek trazimi i të gjallëve dhe të vdekurve të familjes sime.

Unë jam këtu, sepse nuk jam i vetmi që i preket familja nga ky njeri. Unë jam këtu, sepse nuk jam as i pari dhe as i fundit që duhet të qetësojë prindin e fëmijën, pas dhunimit të familjes nga ky njeri.

Unë jam këtu, sepse kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë, zgjidhje për hallet e tyre, perspektivë për fëmijët e tyre, duhet të marrë fund.

Unë jam këtu për t'i thënë Sali Berishës se, si djali i një nëne, duhet të të vijë një herë turp, si burri i një gruaje, duhet të të vijë dy herë turp, si babai i dy fëmijëve duhet, të të vijë dhjetë herë turp, si gjyshi i nipave e mbesave të tua, duhet të të vijë njëqind herë turp dhe, si Kryeministri i të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që të shohin e dëgjojnë kur dhunon traditën familjare e kodin etik të tyre, duhet të të vijë njëmijë herë turp.

Janë të panumërta arsyet përse Kryeministrit të Shqipërisë duhet t'i vijë turp, teksa mandati i tij po mbaron. Por, sot le të ndalemi vetëm tek pse duhet t'i vijë turp, pasi bëri dje rolin e mbrojtësit të zjarrtë të të përndjekurve nga diktatura komuniste.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha atë mbrëmje, sepse qëllimi i tij nuk ishte dënimi i diktaturës së komunizmit, po mbrojtja e diktaturës së korrupsionit.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha atë mbrëmje, sepse teksa fliste për plagët e komunizmit e kishte mendjen tek lulet e korrupsionit, teksa ngrinte zërin për krimet politike të partisë së tij të vjetër, e kishte hallin tek krimet ekonomike të partisë së tij të re, teksa akuzonte duke ngritur gishtin shokët e tij të dikurshëm në shërbim të diktaturës së proletariatit, e kishte merakun tek gishti i ngritur nga organi i sotëm i akuzës në adresë të qeverisë së tij.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha atë mbrëmje, sepse ndërkohë që mandati i tij po mbaron, duke abuzuar me viktimat e komunizmit për të mbrojtur të pandehurit e korrupsionit, asnjë i përndjekur politik nuk ka marrë ende asnjë qindarkë nga kjo qeveri që s'bën kurrë atë që thotë. Vetëm me lekët që u merr shqiptarëve nga taksat për të paguar televizionet që të shfaqin reklamat e qeverisë, do të kishte dëmshpërblyer, për çdo 30 sekonda gënjeshtra televizive qeveritare, ditën e 45 të internuarve apo të 23 të burgosurve politikë, sipas shumës që përcakton ligji i vetë Sali Berishës.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha atë mbrëmje, sepse ndërkohë që mallkonte një regjim çnjerëzor si ai komunist, të cilit i ka shërbyer gjatë si nxitës i zellshëm i luftës së klasave, pikërisht kundër atyre që sot bën sikur i mbron, është Kryeministri që, për të tretin vit me radhë, djeg fondet që gjoja u vë në dispozicion çdo fillimviti për dëmshpërblim viktimave të luftës së klasave.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha atë mbrëmje, sepse ndërkohë që në emër të të përndjekurve shkeli Kushtetutën, vetëm e vetëm për të shkatërruar një pushtet gjyqësor që po heton qeverinë e tij, është Kryeministri që ka një sekser serb, i cili, i vetëm, ka bërë me korrupsion në 3 vjetët e kësaj qeverisjeje, aq para sa do të duheshin për të dëmshpërblyer 3 milionë e 375 mijë ditë burgu politik, ose 6 milionë e 750 mijë ditë internimi.

Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që të përndjekurve politikë u ka marrë prej 17 vjetësh, jo vetëm votën, po edhe flamurin, tani që po mbaron edhe mandati i tij i fundit për të drejtuar punët e vendit, kërkon që me gjakun, plagët, vuajtjet, sakrificat, hallet e problemet e tyre të pafundme, sot e gjithë ditën, jo vetëm të mbulojë duart e pista të kësaj qeverie të kalbur nga korrupsioni, po edhe të marrë përsëri një mbështetje tërësisht të pamerituar për të përfaqësuar këtë shtresë të vrarë e të torturuar nga Enver Hoxha dhe të mashtruar e të përqeshur nga sekretari i tij i dikurshëm, komunisti i vjetër, Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›