E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita si alternativë

Së pari duhet thënë se jemi me fat që jemi në Europë dhe jo në ndonjë copë tjetër të globit, ku, ose nuk ka opozitë, ose ku opozita është dakord që të udhëheqë partia në pushtet. Tek opozita, njerëzit shohin qeverinë e ardhshme dhe, e mira e sistemit demokratik është se nuk ka qeveri të përjetshme dhe nuk ka opozitë të përjetshme. Një sistem politik është ideal, kur fituesi nuk i fiton të gjitha dhe humbësi nuk humbet gjithçka.

Nuk kemi shumë traditë në opozitë. Viti 1991 nuk është larg kur opozita e sapokrijuar anametohej se "kërkonte të vinte në pushtet". Kemi pasur raste kur përfaqësues të opozitës, në kohën kur vendi do të anëtarësohej në Këshillin e Europës, shpreheshin kundër, me shprehjen: "Molla nuk është pjekur ende". Por kohët kanë ndryshuar me shpejtësi.

Opozita e sotme ka disa anë pozitive që po krijojnë një risi në marrëdhëniet pozitë–opozitë. Për herë të parë nuk po jetojmë periudhën kur, opozita, një ditë pas zgjedhjeve kërkon zgjedhje të parakohshme, apo kur opozitarizmi kthehet në një qëllim në vetvete për të ardhur me çdo kusht e mjet në pushtet.

Precedenti i krijuar kur fituesi zgjedhjeve do të konsumojë tërësisht mandatin është pozitiv. Në fund të mandatit katërvjeçar, qeveria shqiptare nuk mund të thotë se opozita i ka vënë shkopinj nën rrota. Nuk ka asnjë nismë ligjore në Kuvend të bllokuar me votat e opozitës.

Përgjithësisht, opozita e sotme, më shumë se tek sheshet është përqendruar tek ekranet dhe kjo mund të konsiderohet si një risi pozitive. Opozita sheh Parlamentin si sheshin e vet të betejës dhe kjo është pozitive. Momentet e veçanta janë përcaktuese për fizionominë e opozitës. Në një moment të rëndësishëm historik, siç ishte vjet marrja e ftesës së anëtarësimit për në NATO, opozita e kreu me sukses rolin e vet. Madje, në muajt në vijim, avancoi më shumë kur kërkoi në Bruksel që Shqipëria të aplikojë sa më shpejt për statusin e vendit kandidat për në BE.

Një tjetër risi pozitive në opozitën e sotme është fjalori konstruktiv për vendin jashtë Shqipërisë. Edhe ky është një precedent pozitiv. Një politikan mund të mos jetë dakord dhe të zhvillojë një luftë politike të fortë me qeverinë, por kur del jashtë Shqipërisë kërkohet një etikë tjetër.

Si rregull, forcat politike bashkohen në opozitë dhe ndahen në pushtet. Kjo nuk po ndodh në rastin tonë; opozita është e ndarë dhe kjo duhet regjistruar si e metë, është një opozitë që rrezaton shumë luftën e brendshme për pushtet.

Opozita tek ne shihet si alternativë, por jo një alternativë për sot, po për ditën e zgjedhjeve. Pritet dita e zgjedhjeve për të parë "qeverinë e radhës". Në këtë kuptim, duket si opozitë kalendarike. Është më shumë në pozita pritëse dhe strategjia e saj është të lërë qeverinë të konsumohet dhe më shumë e pret se e kërkon pushtetin. Një opozitë duhet të vijë në pushtet si alternativë më e mirë ndaj qeverisjes, duhet të vijë si zgjedhje e qytetarëve në kutitë e votimit dhe jo si votë kundër qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›