E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqetësimet e shqiptarëve

REZULTATET E SONDAZHIT

Një sondazh i Zyres për Mbrojtjen e Qytetarëve, partnerja lokale e organizatës së mirënjohur, Transparency International, publikuar nga Shekulli, ri-konfirmoi ndërmjet të tjerash se korrupsioni dhe papunësia mbeteshin shqetësimet kryesore ndër shqiptarët, ndërsa media ri-konfirmohej si opozita dhe denoncuesja kryesore e fenomenit të korrupsionit. Them ri-konfirmim pasi edhe një sondazh i ngjashëm nga Gallup (shih https://worldview.gallup.com), ashtu sikundër edhe një sondazh i vitit 2007 organizuar nga Instituti Axhenda në bashkëpunim me ESI-n, kanë xjerrë konkluzione të njëjta përsa i përket besueshmërisë së medias. Në sondazhin e Gallupit më tepër se gjysma e popullsisë besonte në integritetin e medias, me grupmoshën 25-34 që zinte vendin e parë me 65 përqind, ndërkohë që brezat më të moshuar janë disi më skeptikë, ndërsa në sondazhin e Institutit Axhenda, media lihej mbrapa vetëm nga NATO, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja dhe kishte një ratio aprovimi prej 66 nga 100.

Një nga gjërat e tjera që të bie në sy në pamje të parë të sondazhi i djeshëm është fakti që moszbatimi i drejtë i ligjeve është pengesa kryesore që pengon arritjet në luftën kundër korrupsionit, cka është një këmbanë e fortë që bie për hartuesit dhe propagandistët kryesorë të reformës në drejtësi për të përshpejtuar punën për hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe më pas implementimin e suksesshëm të tij. Natyrisht kjo nuk arrihet nëpërmjet demonizimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë, sikundër u vunë re tendenca ndaj punës së prokurorisë apo edhe institucionit të Avokatit të Popullit në një përplasje të kohëve të fundit që ky institucion pati me policinë mbi dhunën e ushtruar në sistemin e paraburgimit.

Nga ana tjetër, reagimi qytetar është kërkesa kryesore që kanë shprehur të intervistuarit e cila është në masën 38 përqind. Ajo që nuk dimë është nëse të interesuarve u janë dhënë alternativat nga të cilat mund të zgjidhnin paraprakisht apo janë lënë të hapura për t`u përcaktuar nga vetë qytetarët, ndonëse duket se më tepër gjasa të ketë varianti i parë. Megjithatë edhe në këtë rast, kjo nuk ia zbeh vlerat aspak faktit që vetë qytetarët kërkojnë më tepër përfshirje. Pra kërkohet të dilet nga qerthulli i anomisë kolektive, ku reagimi ndaj padrejtësive të ndryshme është kthyer në përjashtim më tepër sesa rregull dhe ka një ndërgjegjësim disi më të madh për vlerat e demokracisë pjesmarrëse. Kjo e fundit nëse do i referoheshim polititologut të njohur italian, Xhovani Sartori, duhet të diferencohet nga forma të tjera të demokracisë, si ajo e drejtëpërdrejtë, e referendumeve, elektorale dhe përfaqësuese dhe është një formë e ‘qeverisjes nëpërmjet debatit’ ku nënteksti është sesa më tepër zhvillohen demokracitë, aq më shumë njerëz do debatojnë përherë e më shumë. Kjo natyrisht nuk do të thotë se përjashton format e tjera, fjala vjen atë përfaqësuese, por i komplimenton ato.

Kërkesa pra për më tepër pjesmarrje dhe reagim qytetar ndaj cështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin apo grupe të caktuara, e ngritur nga vetë qytetarët, është një shenjë e mirë që koncepti i demokracisë në vend po maturohet, ndonëse jemi ende mjaft larg konsolidimit të saj apo implementimit nga lart (nënkupto klasën politike). Sesa kjo dëshirë e mirë do përkthehet në një realitet konkret që do rezultojë me mobilizim të popullatës ndaj cështjeve të ndjeshme, kjo ngelet për t`u parë. Gjithsesi sinjali ngelet i qartë dhe është për t`u përshëndetur, sidomos nga shoqëria civile e cila zakonisht, së bashku me median i prin debatit publik dhe një nga qëllimet e veta ka arritjen e gjithpërshirjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›