Sippenhaftung
Kjo fjalë e term ligjor i gjermanishtes, është mjaft e vështirë për t’u përkthyer në shqip. Sikurse shumë fjalë të kësaj gjuhe që karakterizohen nga përngjitja e lehtë dhe lakoniciteti në kuptim, “Sippenhaftung” duhet përkthyer në shqip me disa fjalë, d.m.th., duhet perifrazuar. Dy rrënjët brenda saj duan të thonë: Sippe = fis, rreth familjar; dhe Haftung = përgjegjësi personale. Pra, me një përkthim të lirë mund ta japim në shqip: përgjegjësi personale e njeriut për shkak të fisit.
Përgjatë shekujve, sidomos në shoqëritë mesjetare përdorej emri i një pjesëtari të familjes ose fisit, për ta bërë përgjegjës dhe dënuar x person të padëshiruar. Ky lloj fajësimi ose inkriminimi u përdor edhe në shekullin XX në shoqëritë totalitare, kështu në shtetet fashiste e naziste, si dhe ato komuniste. Shqipëria ka qenë pa dyshim shteti komunist, ku fajësimi i njeriut për shkak të familjes u përdor në masë më të madhe se kudo. I fshehur pas së ashtuquajturës “luftë të klasave”, ai u zbatua me masa represioni, që shkonin nga ekzekutimi, në burgim e internim, por edhe për të kompleksuar dhe nënshtruar njerëz të shumtë në gjendje të lirë, nën damkën e “biografisë së keqe”.
Përkufizimi i Sippenhaftung në enciklopedinë “Brockhaus” thotë: “Vënia para përgjegjësisë e një personi për delikte që i ka kryer një i afërm i tij, është e palejueshme në një shtet juridik”.
S’ka dyshim që nocioni është i patolerueshëm në çdo shoqëri demokratike, madje duhet të ketë qenë kështu edhe në demokracitë e antikitetit, sikurse në shtetet greke, por besoj edhe më përpara. Sot ai nuk mund të përfytyrohet për demokracitë e këtij globi; ndoshta mund të vazhdojë të zbatohet në disa shtete afrikane, të cilat, e pranoj, nuk i njoh.
Por ka një vend në Evropë, ku Sippenhaftung, përgjegjësia e personit për familjarë të afërt ose të largët, vazhdon të praktikohet, si ideologji, por edhe me zbatime praktike. Ky vend është Shqipëria. Ç’është më e keqja, koncepti duket se është i rrënjosur thellë tek njeriu më i pushtetshëm i shtetit, Kryeministri. Në debatet e pardjeshme lidhur me “Ligjin e spiunëve”, ai, ndër të tjera tha (me një frazë e sintaksë të çoroditur, të cilën po e marrim megjithatë disi të serënditur nga gazeta RD): “Ju mban peng Edi Rama për lidhjet e tij familjare, është i biri i një anëtari të Komitetit Qendror, që tërë jetën ia përkushtoi Enver Hoxhës, që e gdhendte (siç) nëpër statuja. Së dyti, është nipi i Kolekës, që çoi në litar dhjetëra e dhjetëra inxhinierë të tjerë, vetëm e vetëm se ishin më të zotë se ai. Spiro Koleka i bënte ato, daja i kryetarit tuaj, që ju mban peng sot”.
Teksti është krejt i qartë e s’ka nevojë për një interpretim. Kryeministri i këtij vendi mendon se një person është drejtpërdrejt përgjegjës për ato që mund të ketë bërë, jo vetëm i ati, prodhuesi i një informacioni të caktuar gjenetik që vajti dhe u ngul tek e ëma, por edhe një vëlla i kësaj ëme, siç është daja.
Gjithashtu, është e qartë që, sikur të kishte mundësinë, d.m.th., sikur të mos e ndalonin organizmat e ndryshme evropiane ku ka aderuar ndërkohë Shqipëria, Kryeministri ynë do të krijonte gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor, me 71 të tijtë, për të marrë masa ndëshkuese ndaj një familjari që duhet të përgjigjet për vepra të të afërmit, me një shkallëzim që mund të përcaktohej në nenin përkatës: p.sh., fajësia nga babai 6 vjet heqje lirie, nga nëna 5 vjet, nga daja 2 vjet, e kështu me radhë. Por, mjerisht, as Këshilli i Evropës, as OSBE-ja, etj., nuk do t’ia lejonin realizimin e instinkteve tribale, qoftë dhe si arsye zyrtare për shkarkimin e dikujt nga diku; sado që, këtë gjë ai dhe të tijtë e bëjnë përditë (kur u leverdis).
I nënshkruari është dëshmitar se si ai dhe i ndjeri z. Arbnori, në vitin 1995 i deklaruan palës gjermane se do ta bojkotonin ekspozitën e madhe etnografike të atij viti, planifikuar në Mynih me visare nga Shqipëria, në qoftë se nuk hiqeshin nga katalogu përkatës dy ese të A. Klosit. Dhe vërtet drejtori i muzeut u tërhoq dhe i hoqi. Me atë rast, gazeta më e madhe gjermane, “Süddeutsche Zeitung”, botoi një shkrim me titull: “Përulje ndaj qeverisë së Tiranës”, i cili kishte në qendër pikërisht temën Sippenhaftung, pasi këtë arsye kishin dhënë në Mynih drejtuesit e shtetit tonë të asaj kohe, që janë përsëri këta të sotmit, për të hequr nga rruga një kundërshtar të fjalës.
Është shumë interesant edhe një detaj i deklaratës së djeshme të Kryeministrit, ku e bën xhaxhanë e Aneta Kolekës, Spiro Kolekën, dajë të Edi Ramës. Ngatërresa ka dy arsye: E para, do të ishte shumë qesharake që njeriu i parë i shtetit t’i thoshte opinionit publik nga foltorja e Parlamentit: “Spiro Koleka i bënte ato, xhaxhai i mamasë së kryetarit tuaj, që ju mban peng sot”. Pra, hapi i parë në mashtrimin e Kryeministrit ka të bëjë me zbritjen e brezit, nga i pari në të dytin, d.m.th., nga niveli i gjyshërve, në atë të prindërve. Hapi i dytë është kthimi i xhaxhait në dajë. Berisha nuk mund të thoshte “xhaxhai i këtij i bënte ato”, menjëherë pasi kishte përmendur babanë, sepse do dilte që Spiro Koleka kishte qenë vëllai i Kristaq Ramës. Pra, kësisoj bëhet i plotë mashtrimi, krijimi i një daje që s’ka qenë, duke përdorur ekspedientin e xhaxhait, të nxjerrë nga rrënja katrore (me minus përpara) për të prodhuar një megadajë.
Arsyeja e dytë që Berishës dje i shpëtoi daja, është një çikë më e thellë. Kush mban mend veprën e E. Hoxhës, “Titistët”, do t’i kujtohet ajo pjesë ku udhëheqësi shpjegonte lidhjet agjenturore të ish-Kryeministrit M. Shehu dhe më konkretisht biografinë e rëndë që kishte pasur vajza, me të cilën donte të fejohej djali i Kryeministrit. “Dajat e saj janë armiq të popullit, Arshi Pipa është njeri i CIA-s që punon kundër pushtetit popullor”, etj., shkruante udhëheqësi.
Shihet qartë që Kryeministri ynë i sotëm i ka marrë ish-të admiruarit të tij, mësimet e të cilit i përhapte dikur me po aq zell në organizatën e spitalit, saç kërkonte edhe të hynte në ekipin kurues të tij, jo vetëm mendësinë, gjykimin e njerëzve me Sippenhaftung, por edhe prirjen për ta afruar sa më shumë në gjak një “njeri të poshtër”, me një tjetër të padëshiruar, ose po ta emërtojmë thjesht: Marifetin e dajës. Arshi Pipa nuk ishte aspak daja i Silva Turdiut, por një kushëri i nënës së saj. Mirëpo ky fakt nuk kishte aspak rëndësi për udhëheqësin, i cili këtu shfrytëzonte, nga ana tjetër, si mjeshtër që ishte, atë karakteristikë të shqiptarëve që i bëjnë ta quajnë dikë më të afërt se ç’e kanë në të vërtetë, kur është fjala për t’u mburrur ose për të nxjerrë ndonjë përfitim (“e kam dajo”, “jam nip në Çorrush”, etj.).
Nuk ka dyshim që në gjithë këtë lloj ideologjie anakronike dhe të përçartur, përveç dozës së mentalitetit komunist të luftës së klasave, është një dozë e madhe propagande, a më saktë demagogjie, për të cilën Kryeministri ynë është më se i vetëdijshëm, përderisa mban rreth vetes jo veç ish-spiunë, por edhe njerëz me lidhje shumë të afërta me ish-Bllokun apo nomenklaturën e dikurshme. Por, është edhe një dozë tjetër pezmi e mllefi, që pak është vënë re. Këtë do ta quaja “kompleksi i pakorrigjueshëm i fshatit”. Në të tria dozat, kjo është më e natyrshmja, sepse është xhelozia e njerëzve që zbrisnin në qendër në mënyrë anonime me kostumet e tyre të teritalit, duke sjellë nga prapa anonimitetin, përballë atyre që kishin familje shumë më me emër, me kulturë, me të afërm të studiuar në Evropë etj. D.m.th., si vuajtja e njerëzve që nuk patën në rrethin e tyre asnjë dajë, xhaxha, teze a gjysh me emër në qytet. Do ta quaja një nga pasojat më jetëgjata të revolucionit kulturor të viteve 1967-‘68, me teoritë e tij të masivizmit dhe praktikën e urrejtjes, gati patologjike ndaj qytetarisë.