SHBA kundër Berishës për spiunët
Ambasada e SHBA-së njoftoi se mirëpret shtyrjen e votimit mbi projektligjin për pastërtinë e figurave
TIRANË- Vendimi i mazhorancës për të shtyrë votimin e draftit, “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, pas shtatë orësh debate në seancën e së hënës, është mbështetur dje edhe nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë. Përmes një deklarate për shtyp, Ambasada e SHBA-së njoftoi se mirëpret shtyrjen e votimit mbi projektligjin për pastërtinë e figurave. Në të njëjtën kohë, Ambasada e SHBA-së shprehet se projektligji ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në Parlament për të shtyrë votimin mbi Projektligjin për Pastërtinë e Figurave. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu, nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”,- thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Dy ditë më parë ishin socialistët dhe demokristianët, të cilët në Kuvend ngritën shqetësime serioze mbi kushtetueshmërinë e draftit në fjalë. Kryetarja e Grupit Parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh se drafti prek 20 nene të Kushtetutës, ndaj dhe rruga e vetme është ankimimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Leskaj kujtoi gjatë fjalës së saj se përmbajtja e ligjit nuk ka marrë as ekspertizë ndërkombëtare. Konkretisht, Kryetarja e deputetëve socialistë citoi se Grupi Parlamentar i PD-së nuk kishte kërkuar as konsulencën e Këshillit të Europës apo ODHIR-it, për të cilën, pak kohë më parë u angazhua përmes një konference për shtyp edhe vetë Kryeministri Sali Berisha. Edhe partia në koalicionin qeverisës, PDK-ja, përmes drejtuesit të saj, Nard Ndoka, e ka cilësuar draftin si jo ligjor dhe në kundërshtim me Kushtetutën, probleme që tanimë po përcillen edhe nga ndërkombëtarët.
PD-ja përjashton çdo mundësi konsensusi me PS-në këto ditë. “Ajo që mund të pritet nga PS-ja, është të ndryshojë qëndrim”
“Dosjet”, s’ka konsensus, PD-ja e miraton të hënën
TIRANË- Për Partinë Demokratike janë ezauruar të gjitha format e bashkëpunimit me Partinë Socialiste për draftin e “spiunëve”. I vetmi hap që PD-ja ndërmori gjatë 24 orëve, pas shtyrjes së draftit për pastërtinë e figurës, ishte miratimi i disa amendamenteve pa praninë e opozitës dhe të propozuara, po nga përfaqësues të mazhorancës. Me kaq, Grupi Parlamentar i PD-së mbyll kapitullin e dosjeve, në mungesë të një konsensusi, aq shumë të kërkuar edhe nga ndërkombëtarët. Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar përmes një konference për shtyp se, nga kjo forcë politike janë ezauruar të gjitha format e kompromisit me PS-në gjatë shqyrtimit të këtij drafti. “Ne i kemi ezauruar të gjitha format e kompromisit gjatë këtyre ditëve dhe viteve që ky ligj ka qenë në shqyrtim. Ne kemi bërë që në thelbin e tij të prevalonte varianti çek, ndërkohë që ka pasur shumë zëra brenda PD-së që kanë çuar në një variant më radikal, të ngjashëm me atë polak",- tha dje Patozi. Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, ka argumentuar se shtyrja e miratimit të projektligjit dy ditë më parë në Kuvend, ishte paraqitja e disa amendamenteve, të cilat kërkonin domosdoshmërisht diskutimin e tyre në Komisionin e Ligjeve. "Seancën e mbrëmshme ka pasur një vërshim amendamentesh nga deputetë të ndryshëm, që kërkonin përmirësimin dhe ndryshimin e disa neneve të këtij p/ligji. Në respekt të rregullores, ishte e detyrueshme që Komisioni i Ligjeve të shqyrtonte të gjitha këto amendime dhe ajo që pritet tani është miratimi përfundimtar, brenda pak ditësh, i këtij p/ligji",- tha ai, duke shtuar se arsyet e mosmiratimit të ligjit dje nga Parlamenti ishin thjesht çështje teknike. Kryetari i Grupit Parlamentar ka kritikuar braktisjen e diskutimeve nga ana e Grupit Parlamentar të PS-së, duke vlerësuar në të njëjtën kohë se debati në seancën plenare ishte i suksesshëm. "Grupi i PS-së dje bëri një figurë shumë të shëmtuar dhe ky është një lajm shumë i keq. Forca kryesore e opozitës, edhe pas 18 vitesh, gjendet ende e mbërthyer në të shkuarën kriminale të diktaturës komuniste. Ajo që mund të pritet nga PS-ja, është që të reflektojë gjatë këtyre ditëve dhe të ndryshojë qëndrimin e saj, duke u distancuar nga e shkuara kriminale e diktaturës dhe nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, që janë ende në krye të disa institucioneve tona",- tha ai. Dy ditë më parë, Kuvendi shtyu për ditën e hënë miratimin e ligjit për pastërtinë e figurës, me argumentin se amendamentet e paraqitura nga disa deputetë duhet të shqyrtoheshin më parë në Komisionin e Ligjeve. Të njëjtën gjë ngulmoi dje edhe Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, duke dashur të theksojë në një farë mënyre se shtyrja e votimit, nuk ishte një tërheqje nga ana e PD-së për projektligjin në fjalë. Ndërsa drafti “Për Pastërtinë e Figurës”, pritet të kalojë në Kuvend me disa ndryshime të vogla, Grupi Parlamentar i PS-së, ka paralajmëruar tashmë se do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese.
Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori i përgjithshëm, Drejtori dhe nëndrejtori i Radios, Drejtori dhe nëndrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, do t’i nënshtrohen verifikimit të figurës së tyre
“Spiunët”, PD-ja miraton amendamentet e veta
TIRANË- Mazhoranca ka miratuar dje pa praninë e opozitës disa ndryshime shtesë në draftin e tyre “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve”, i njohur për opinionin publik si drafti i spiunëve. Kështu, në një mbledhje që ka zgjatur fare pak dhe ku kanë munguar përfaqësuesit e medias, Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar disa prej amendamenteve të paraqitura nga disa prej deputetëve të djathtë gjatë seancës plenare të ditës së hënë, duke shtuar në këtë mënyrë listën e subjekteve që do t’i nënshtrohen verifikimit, si dhe listën e posteve që, në bazë të këtij projektligji shpallen të papajtueshme me moralin e veprimtarisë publike në institucionet e larta shtetërore.
Amendamentet e miratuara
Komisioni i Ligjeve ka miratuar tre ndryshime në nenin 3 dhe 4 të projektligjit të dosjeve që është paraqitur në Kuvend për miratim. Ndryshimi i parë është propozuar kryesisht nga deputetët anëtarë të Komisionit Parlamentar të Medias dhe më konkretisht nga Aurel Bylkbashi, Safet Sula, Edi Paloka, Gjok Vuksani dhe Gëzim Karapici, me anë të së cilit amendohet neni tre i këtij drafti, që ka të bëjë me subjektet e verifikimit. Sipas këtij ndryshimi në këtë nen, pas pikës “n” shtohet germa “m”, ku sanksionohet se Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori përgjithshëm, Drejtori dhe nëndrejtori i Radios, Drejtori dhe nëndrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, do t’i nënshtrohen verifikimit të figurës së tyre. Gjithashtu, po në këtë pikë shtohen dhe postet e drejtorit, nëndrejtorit dhe drejtorët e departamenteve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtarët e këshillave drejtuese të mediave publike. Ndërkohë, ndryshime ka pësuar edhe neni 4 i projektligjit, që përcakton funksionet e papajtueshme. Në këtë mënyrë, në funksionet e papajtueshme përfshihen edhe të gjithë ata individë që, gjatë sistemit komunist kanë qenë anëtarë të Presidiumit Popullor, apo edhe krerët e degëve të Punëve të Brendshme nëpër rrethe.
Amendamentet e rrezuara
Jo të gjitha propozimet e bëra nga deputetët e mazhorancës janë vlerësuar si të pranueshëm nga komisioni i Ligjeve. Një prej amendamenteve që ka gjetur kundërshtimin e anëtarëve të këtij komisioni ka qenë ai i deputetit Nikollë Lesi, i cili propozonte që në subjektet që do të verifikohen të shtohen dhe pronarët, bashkëpronarët, drejtorët dhe kryeredaktorët e mediave të shkruara dhe ato audiovizive private. Një propozim i tillë është hedhur poshtë, me argumentin se ai bie ndesh me emërtimin e vetë projektligjit, i cili ka për qëllim verifikimin e pastërtisë së zyrtarëve dhe të zgjedhurve në postet publike. Komisioni nuk ka miratuar as propozimin e deputetëve Arenca Trashani dhe Astrit Bushati, për një shtesë në nenin 20 të këtij projektligji, ku të sanksionohej e drejta për të bërë kallëzim penal për të gjithë ata persona që, në bazë të ligjit të vitit 1991 “Për pastërtinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë”, kanë rezultuar se kanë marrë pjesë në procese gjyqësore politike. Edhe ky propozim është hedhur poshtë, me argumentin se drafti që synon të miratohet nuk ka qëllim dënimin, por thjesht spastrimin e administratës nga personat që dikur kanë përndjekur dhe dënuar njerëz për bindje politike.
Miratohen
Në nenin 3 të projektligjit shtohet një shkronjë me këtë përmbajtje: “Drejtori i Përgjithshëm, nëndrejtori i Përgjithshëm, Drejtori dhe nëndrejtori i Radios, Drejtori dhe nëndrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar, do t’i nënshtrohen verifikimit të figurës së tyre.
Po në këtë pikë shtohen dhe postet e Drejtorit, nëndrejtorit dhe drejtorët e departamenteve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, si dhe anëtarët e këshillave drejtuese të medieve publike.
Në nenin 4 që lidhet me funksionet e papajtueshme, në pikën “a” shtohen anëtarët e Presidiumit Popullor.
Në këtë nen shtohen krerët e degëve të Punëve të Brendshme nëpër rrethe.
Rrëzohen
Është rrëzuar propozimi i deputetit Nikollë Lesi, për të shtuar në listën e subjekteve që do të verifikohen dhe pronarët, bashkëpronarët, drejtorët dhe kryeredaktorët e mediave të shkruara dhe ato audiovizive private.
Gjithashtu, nuk miratua as propozimi i deputetëve Arenca Trashani dhe Astrit Bushati për një shtesë në nenin 20 të këtij projektligji, ku të sanksionohej e drejta për të bërë kallëzim penal për të gjithë ata persona që, në bazë të ligjit të vitit 1991 kanë rezultuar të implikuar në procese gjyqësore politike.