E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ekzekutuari në Bllok, dëshmitar në vrasjen e dy policëve

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 15-06-2011 11:23

Tiranë- Konfliktet e trashëguara si dhëndër i Hakajve të Niklës, e shkuara e “errët” dhe rivaliteti në biznesin e kromit janë tre pistat e hetimit për vrasjen e Nadien Zenelit, në një prej lokaleve më të frekuentuara të ish-Bllokut. 24 orë pas atentatit në qendër të Tiranës, ku mbeti i vrarë 32-vjeçari dhe u plagosën dy miqtë e tij, Tafë Mandri dhe Bledar Miho, Policia e Tiranës ka ngritur pistat e para të hetimit, në gjurmët e së cilave pritet edhe zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorit. Një burim i grupit hetimor i tha MAPO-s se dyshimi i parë lidhet me hasmëritë e vjetra të familjes Haka, me të cilët viktima kishte lidhje të ngushta. Policia është duke hetuar marrëdhëniet e babait të dy fëmijëve, me anëtarët në burg të së ashtuquajturës Banda e Niklës dhe ndonjë implikim të mëvonshëm të tij, në ngjarjet e mbetura ende të hapura. E shkuara e viktimës përbën pistën e dytë të hetimit, e cila po kalon në “sitën” e grupit hetimor. Nga verifikimet e deritanishme rezulton se emri i Nadien Zenelit nuk është i panjohur për forcat e rendit. Gjatë hetimit kanë dalë në dritë fakte të reja, që e lidhin viktimën me një ngjarje të rëndë, të ndodhur në vitin 1999 në Krujë. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se Nadien Zeneli ka qenë i pranishëm në vrasjen e dy punonjësve të policisë, Durim Kasmi e Arben Keqi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999. Fillimisht ai është dyshuar si mbështetës i personave që u akuzuan për vrasjen e dyfishtë, por hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e klasifikoi atë si dëshmitar okular të atentatit. Nadien Zeneli ka qenë edhe dëshmitar në gjyqin kundër Shefqet Seferit, Sokol Halilajt dhe Gramoz (Dritan) Rexhepajt, të cilët u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si autorët e vrasjes së dy efektivëve të policisë në vitin 1999, por që më pas Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda i shpalli si të pafajshëm, pasi nuk kishte prova për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje. Mësohet se në atë dëshmi, Zeneli u ka dalë në mbrojtje të pandehurve, duke u shprehur se nuk kishte parë asnjërin prej tyre në vendin e vrasjes së policëve Kasmi dhe Keqi. “Gjatë kohës së procesit, Zeneli ka shfajësuar të akuzuarit Seferi dhe Halilaj, të cilët u shpallën më pas të pafajshëm nga Gjykata e Apelit”, - bëjnë me dije burime nga organi i akuzës, të cilët kujtojnë se viktima e atentatit kishte shprehur asokohe shqetësim dhe frikë. Pista e tretë e hetimit, ka të bëjë me konflikte që mund të kenë ardhur si pasojë e biznesit të tij, pasi Zeneli ishte administrator i një firme për nxjerrjen e kromit në Bulqizë. Sipas të dhënave të siguruara në QKR, Nadien Zeneli e kishte regjistruar kompaninë e tij të shfrytëzimit të minierave vetëm 1 muaj më parë, në fillim të majit, çka ka shtuar dyshimet e grupit hetimor për ndonjë rivalitet të mundshëm në këtë pistë. Policia e Tiranës është duke verifikuar biznesin e tij dhe duke marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi konflikte të mundshme në biznesin e kromit. Kjo pistë është ngritur për faktin se kohët e fundit ka pasur incidente të shumta në lidhje me biznesin e kromit në Bulqizë, ku nuk kanë munguar as vrasjet. Nadien Zeneli u ekzekutua në orët e vona të së hënës, në lokalin “Baroque” në Tiranë, ku ndodhej në shoqërinë e dy miqve të tij, të cilët u plagosën dhe dy vajzave. I lindur në Dibër, 32-vjeçari Zeneli banonte prej kohësh në Fushë-Krujë, ku edhe ishte martuar e bërë me dy djem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›