Vëllai i të plagosurit: U gjend në vendin dhe kohën e gabuar
Dy djemtë e plagosur në atentatin e mbrëmjes së të hënës në zonën e Bllokut, ku mbeti i vrarë shoku i tyre, Nadien Zeneli kanë qëndruar edhe gjatë ditës së djeshme në Spitalin Ushtarak, nga plagët e marra. Tafë Mandri ka dalë dje në mesditë nga spitali ushtarak, pasi mjekimi ishte i mjaftueshëm për ta aftësuar, ndërsa shoku i tij, Bledar Miha do të qëndrojë ende në spital për shkak se plumbi i ka përshkuar kockën e këmbës së majtë. Vëllai i tij është kthyer dje nga Italia, i shqetësuar për atë që kishte ndodhur, ndërsa së bashku me disa të afërm të tjerë, i qëndronin pranë të riut. “Unë kam ardhur pak më parë nga Italia, pasi mësova ngjarjen. Bledari rrezikon paralizimin e këmbës, pasi plumbi ka dëmtuar seriozisht kockën. Shpresojmë më të mirën për të. Bledi nuk dëshiron të flasë absolutisht për këtë ngjarje, pasi është thjesht person i gjendur në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Unë aq më pak mund t’u them diçka, pasi jam i sapoardhur nga Italia”,- tha dje vëllai i të plagosurit për MAPO-n. Nga ana tjetër, mjekët e Spitalit Ushtarak që kanë ndjekur në vijimësi gjendjen e të riut, në 24 orët e fundit janë shprehur se edhe për disa ditë, Bledar Miho do duhet të qëndrojë i shtruar. “Na duhet të vlerësojmë ecurinë e shërimit të plagës, pasi ende nuk kemi garancitë maksimale se plaga nuk do të shkaktojë efekte afatgjata”, - u shpreh dje një nga mjekët e Spitalit Ushtarak.