Izolimi i Kumbaros, Ina Rama në Londër
Një grup prokurorësh kanë shkuar në Britaninë e Madhe. Në qendër të bisedimeve, edhe arrestimi i ish-shikasit
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e shoqëruar nga shefi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela “zbarkuan” në Londër, vetëm dy javë pas arrestimit të ish-shikasit Ilir Kumbaro. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilët sqaruan se kryeprokurorja Ina Rama, e shoqëruar nga dy prokurorët Olsian Çela dhe Artan Bajrami, mbrëmjen e së dielës janë nisur në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe kërkuar njëkohësisht ekstradimin e Ilir Kumbaros. “Pas vizitës zyrtare të kryeprokurorit të Britanisë, Ken MacDonald në Tiranë, kryeprokurorja Rama, me ftesë të autoriteteve londineze është nisur në drejtimtë Britanisë së Madhe”,-bëjnë me dije zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Megjithatë, shoqërimi i kryeprokurores Rama nga shefi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e lidh këtë vizitë edhe me dojen “Remzi Hoxha”, ku i akuzuari kryesor ka rënë në pranga pas 11 vitesh arrati.
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se që prej 6 tetorit, kur u arrestua Ilir Kumbaro, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbledhur në një dosje të vetme, provat materiale kundër Ilir Kumbaros,të siguruara këto gjatë fazës hetimore e gjyqësore në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Të gjitha këto prova mësohet se janë dërguar bashkë me kërkesën për ekstradim pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka përkthyer materialet dhe në rrugë diplomatike i ka nisur drejt Mbretërisë së Bashkuar. “Dosja me provat materiale të siguruara gjatë fazës hetimore dhe gjyqësore është administruar së bashku me kërkesën për ekstradimin e Ilir Kumbaros dhe më pas është përkthyer nga zyra e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë dhe është nisur në rrugë diplomatike drejt autoriteteve londineze, të cilët do ta shqyrtojnë këtë kërkesë të autoriteteve shqiptare”,-thanë burimet pranë akuzës. Mësohet se në takimin që kryeprokurorja Rama pati mesditën e 14 majit 2008 me kryeprokurorin e Britanisë, Ken MacDonald, i kërkoi këtij të fundit edhe identifikimin dhe arrestimin e shtetasit Ilir Kumbaro, ish-kryetar i Degës së SHIK-ut në kohën kur u zhduk Remzi Hoxha. Gjashtë muaj pas kësaj vizite, Ilir Kumbaro ndodhet në pranga në Londër.
Në qershor të këtij viti, një shtetas shqiptar, i “punësuar” nga familja e Remzi Hoxhës u interesua në rrugë private për gjetjen e vendndodhjes së Kumbaros. Pas vëzhgimit disajavor, mësohet se ai ka arritur të identifikojë vendndodhjen e të shumëkërkuarit e t’i bëjë atij disa foto, në momentin që ishte duke ecur në rrugët e pjesës veriore të Londrës. Këto foto i janë dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila më pas ika kërkuar Skotland Jard-it të vëzhgojë dhe të identifikojë këtë person të kamufluar me emër të një shtetasi kosovar, të stisur nga vetë Kumbaro. Gjithashtu, këto foto i janë dërguar edhe zyrës së Interpol-Tiranës për të verifikuar personin në fjalë, të cilët të ndihmuar nga agjentët aktivë të SHIK-ut kanë zbuluar se personi që po ecte me identitet të rremë në Londër është vetë Ilir Kumbaro. Më 24 shtator, një përfaqësues i shtetit shqiptar ka kërkuar nga Gjykata londineze të zhvillojë një seancë për verifikimin dhe paraqitjen e provave për akuzat ndaj Kumbaros. Pas kësaj seance gjyqësore, Kumbaro me datë 6 tetor, ditën kur do përgatiste mbrojtjen e tij, nuk ka arritur të bindë gjyqtarin e çështjes se nuk është ai personi që shteti shqiptar po e kërkonte, duke përfunduar në pranga.
Avokati i familjarëve të Remzi Hoxhës kërkon edhe hetimine zyrtarëve në 1995
Gashi: Arrestimi i Kumbaros, drejtësia vepron në çdo kohë
TIRANË- Mbrojtësi ligjor i familjes së Remzi Hoxhës, Tom Gashi, gjatë një komunikimi me “Shekullin” është shprehur i kënaqur me punën e prokurorisë për arrestimin e Ilir Kumbaros në Londër. “Nga Londra ka ardhur një lajm i mirë në lëndën e dhimbshme të zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, i cili u rrëmbye, u torturua dhe u vra nga shqiptarët e SHIK-ut, të cilët do të duhet të vepronin të kundërtën. Burgosja e Ilir Kumbaros në Londër është një fakt që vërteton se kur drejtësia dëshiron, ajo vepron në çdo kohë dhe ndaj çdo të implikuari në krime. Ne jemi në të njëjtën kohë të inkurajuar se e vërteta do të gjendet më në fund dhe jemi të frikësuar se mos dikush dëshiron që këtë gjykim ta përdorë për përfitime politike në zgjedhjet e vitit 2009 dhe duam që ata që shkaktuan këtë tragjedi familjare të Hoxhajve, që të gjithë të dalin para drejtësisë, qofshin ata edhe udhëheqësit e shtetit të sotëm nëse kanë qenë të implikuar në krimin e vitit 1995. Gjithashtu, nëse ndonjëri nga udhëheqësit shtetërorë të vitit 1995 ka pasur dijeni se krimi ka ndodhur në kohën që ata drejtonin shtetin, do të duhej të përgjigjet se paku për veprën penale të “fshehjes së krimit”,-tha dje avokati Tom Gashi për “Shekullin”.
AVNI KOLDASHI PËR KUMBARON
”E kam marrë Remzi Hoxhën në hyrje të punishtes së tij dhe pastaj jam nisur në drejtim të daljes së kryeqytetit. Kam ndaluar në Kodër Kamëz, ku më janë afruar dy makina të tjera të SHIK-ut. Personat që dolën më kujtohen si fytyra por jo si emra. Ishin disa kryeinspektorë. Unë kam dalë nga makina dhe menjëherë ka ardhur Ilir Kumbaro. Ia dorëzova atij biznesmenin kosovar dhe ne u kthyem për në Tiranë, ndërsa ai ka vazhduar më tej, që nuk e di se ku ka përfunduar bashkë me Remzi Hoxhën”.
KRISTOPULLI PËR KUMBARON
“Nuk ia fal atij as në këtë botë e as në tjetrën për dhunën që ka ushtruar ndaj një burri 40 vjeç dhe me peshë prej 50 kg. Ata ishin djem nga 120 e 100 kg dhe më godisnin pa shpirt dhe në mënyrë kafshërore. Dëmtimet e pësuara nga rrahjet e tyre edhe sot i rënkoj, pasi këmbët më dhëmbin për çdo ndërrim stine”
Kumbaro, i fundit i Remzi Hoxhës
Ilir Kumbaro, në momentin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës ka qenë në detyrën e Kryetarit të Degës së Parë në drejtorinë e SHIK-ut në kryeqytet dhe është një nga personat që ka marrë pjesë vetë në rrëmbimin dhe shoqërimin e Remzi Hoxhës drejt ndërtesës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës. Sipas prokurorisë, ka qenë ai personi i fundit që është parë me Remzi Hoxhën dhe mendohet se ndaj dhunës së SHIK-asit Hoxha ka ndërruar jetë.