E Diel, 1 Nëntor 2026

I forti i Lushnjës Aldo Bare: Jam i pafajshëm

10/03/2011  Avokati: Dosja Bare është tejfryrë nga politika dhe media

Pritet që më 23 mars të jepet vendimi i gjykatës

TIRANE- I forti i Lushnjës, Alfred Shkurti, është vetëdeklaruar i pafajshëm para gjykatës, për akuzat që Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës Vladimir Meçi, Bare ka shpallur pafajësinë e tij për krimet e ndodhura në Lushnjë, ndërsa ka theksuar se çështja gjyqësore në ngarkim të tij është tej fryrë nga politika dhe media. Sipas avokatit Meçi, i cili dje lexoi para gjykatës konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes klienti i tij Aldo Bare është i pafajshëm për shkak se asnjëri nga dëshmitarët e paraqitur në sallën e gjyqit nuk ka përmendur emrin e tij, si autor të një krimi. “Asnjë dëshmitar nuk ka vënë gishtin mbi Baren si autor i ndonjë krimi. Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë konkrete për akuzat ndaj Bares. Madje Prokuroria nuk ka prova as për pretendimin e ekzistencës së një bande kriminale”, është shprehur Meçi. Avokati i njohur ka vënë theksin se klienti i tij është përndjekur nga politika, e cila ka arritur të lakojë emrin e Aldo Bares dhe në fushata elektorale, Parlament e studio televizive. Pas dëgjimit të konkluzioneve të mbrojtjes gjyqtarja Fatmira Hajdari ka vendosur datën 23 mars për të dhënë vendim përfundimtar, për pafajësinë ose jo të Aldo Bares. Sipas Prokurorisë, Aldo Bare është përgjegjës për krijimin e organizatës kriminale, vrasjes së Genci Kasharit, Xhevat Demirit, Luan Bilbilit, Nimet Zenelit dhe Masar Aliut, si dhe vrasjen e mbetur në tentativë në dëm të Artur Dajës, armikut të tij të përbetuar dhe Gramoz Selmanit. Gjatë dhënies së pretencës Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për Baren, duke i kërkuar gjykatës dënimin të përjetshëm. Akuzat u referohen ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit 1998 e në vazhdim, ku thuhet se Banda e Lushnjës, e kryesuar nga Aldo Bare, e ka zanafillën e saj në verën e vitit 1997, kur vritet vëllai i tij Ramadan Shkurti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›