E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Karamanlis, pakt heshtjeje për pronat e çamëve dhe dënimin e Bollanos

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria dhe Greqia nuk kanë asnjë problem të pazgjidhur mes tyre. Kështu deklaroi dje në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek Kosta Karamanlis, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha.  Sipas tij, të gjitha çështjet mes dy vendeve janë zgjidhur me dialog dhe bashkëpunim. "Marrëdhëniet tona politike janë me të vërtetë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme. Ne nënshkruam një marrëveshje dhe një tjetër është gati. Konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit", u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. Sipas shtypit grek, por që u vërtetua pas asaj që ndodhi, të dy kryeministrat kishin bërë pakt për të mos përmendur publikisht çështjet e ndjeshme mes dy vendeve. Pas deklaratave të djeshme të Kryeministrit Berisha duket se Tirana zyrtare ka hequr përfundimisht dorë nga zgjidhja diplomatike e dy çështjet të rëndësishme, si ligji i luftës dhe çështja e pronave të çamëve në Greqi. Ndonëse Athina zyrtare pretendon se nuk ka ligj lufte mes dy vendeve, ende nuk ka vendim të Parlamentit fqinj për të abroguar këtë ligj. Nga ana tjetër, Tirana zyrtare për të disatën herë radhazi nuk përfshin në axhendën e saj të diskutimeve me palën greke zgjidhjen e çështjes së pronave të shqiptarëve në Greqi. Por, e veçanta e vizitës së djeshme të kryeministrit grek ishte fakti, që nuk u lejuan as pyetje nga gazetarët për të shmangur çështjet delikate të pronave të shqiptarëve si dhe dënimin e Bollanos nga Gjykata e Vlorës. 
Marrëveshja
Në të njëjtën mënyrë si me vizitën e ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis në muajin shkurt, vizita e kreut të qeverisë greke përkoi me firmosjen e një tjetër marrëveshjeje të rëndësishme mes dy vendeve. Ministrat e Jashtëm firmosën dje në prani të dy kryeministrave marrëveshjen për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Me firmosjen e kësaj marrëveshje, dy vendet përcaktojnë kufirin ujor mes tyre. "Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore) nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare", thuhet në marrëveshje. Por frika e pyetjeve për çështjen çame, deklaratat e "Omonia"-s apo edhe dënimi i kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, bëri që për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit, dy kryeministrat të mos pranojnë pyetje. Pas deklaratave respektive të cilat nuk zgjatën më shumë se sa nga dhjetë minuta, dy kryeministrat u larguan në drejtim të vilës qeveritare në zonën e ish-bllokut në drekën e shtruar nga kryeministri.

Rama-Karamanlis: Zgjedhjet të rëndësishme për integrimin

Kryetari i Partisë Socialiste njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama priti dje Kryeministrin grek Karamanlis, si pjesë e axhendës së vizitës që shefi i qeverisë greke zhvilloi në vendin tonë. Karamanlis shoqërohej nga ministrja e Jashtme greke  Dora Bakojanis. Gjatë takimit të zhvilluar u bisedua për disa çështje të rëndësishme në vend, ku procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri, zuri vendin kryesor. Në bisedën miqësore mes dy liderëve, tema kryesore ishte rëndësia dhe nevoja e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor, gjë e cila do të ishte një faktor domethënës dhe vendimtar për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me infrastrukturën zgjedhore, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, sistemi elektoral, etj. 

Topalli

"Heqja e vizave, ndihmë për emigrantët"

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në takimin me kryeministrin grek Karamanlis kërkoi mbështetjen e Athinës zyrtare për liberalizimin e vizave. "Tashmë, politika jonë e jashtme është fokusuar në liberalizimin e vizave. Shqiptarët pas izolimit 50-vjeçar, pas vështirësive për të lëvizur të lirë në këto 17 vjet, meritojnë të lëvizin të lirë për të takuar të afërmit e tyre në Greqi, Itali e në vende të tjera, apo të rinjtë të lëvizin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në këtë kohë globalizmi", tha Topalli në këtë takim. Kryeparlamentarja ka falënderuar Karamanlis për mbështetjen e dhënë në proceset integruese, si dhe për heqjen e regjimit të vizave.

Idrizi: Pse u tërhoqa nga protesta ime në Parlament para Karamanlisit
Deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi, ka pasur si ide që në momentin kur kryeministri grek Kosta Karamanlis të fliste në Parlament t'i nxirrte flamurin shqiptar dhe të demonstronte diçka për problemin çam. Por në momentin e fundit, socialisti Idrizi është tërhequr nga ideja e tij e guximshme, e cila mund të përbënte incident diplomatik mes dy vendeve tona. "Kur hyra në sallë pata mendimin të nxirrja flamurin shqiptar dhe të kisha diçka edhe për Çamërinë, çështjen e problemit çame. Në momentin e fundit gjykova se ndoshta kjo nuk do të ishte e përshtatshme për të protestuar, pasi dukej si një akt i veçuar. Por, unë jam i bindur se për sa kohë ekziston komuniteti çam, kjo çështje do të ekzistojnë. E kam kapërcyer në momentin e fundit një çështje të tillë", deklaroi për "Panorama", Idrizi. Deputeti socialist thekson se nuk është ndikuar nga asnjë koleg i tij, për tu tërhequr nga kjo protestë, por ishte vetëm një vendim i tij i marrë në momentet e fundit, përpara nisjes së diskutimit të kryeministrit Karamalis. "Jo, nuk jam këshilluar për këtë veprim as kur e nisa, as kur e lashë, por thjesht vendosa vetë. Mu duk një veprim jo të pjekur, madje mund të shkaktonte dhe ndonjë incident diplomatik", thekson Idrizi. Deputeti i PS-së i quan të turpshme deklaratën e kryeministrit Berisha se "nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit". "Është një deklaratë e turpshme, tregon se çfarë demagogjie bën qeveria shqiptare, e cila është e gatshme për të bërë çdo gjë varreza për ushtarët grekë, marrëveshje për ujërat territoriale, duke mos diskutuar për çështjen çame", thekson Idrizi. Socialisti shprehet se "komuniteti çam së bashku me atë të minoritetit janë dy urat e vërteta të bashkëpunimit". "Besoj se pa zgjidhur çështjen çame, asnjë qeveri mund të arrijë maksimumin në këto marrëdhënie. Sigurisht nuk besoj të jenë të vërteta fjalët se miku grek ka ardhur në Shqipëri, duke vendosur kushte që të mos diskutohet çështja çame, apo problemi i arsimit të fëmijëve emigrantë shqiptarë. Besoj se nuk mund të jetë e vërtetë, sepse po të ishte e tillë, do të ishte shumë e turpshme. Kjo tregon edhe një herë se politikanët tanë dhe kjo qeveri është shumë servile dhe inferiore përballë palës greke. Megjithatë e drejta historike, e drejta e pronës, e drejta e lëvizjes së lirshme janë të drejta të pa tjetërsueshme dhe se herët apo vonë do të triumfojnë", thekson Idrizi.                                          b.h

Karamanlis: Mbështetje për vizat dhe aplikimin në BE

ADI SHKEMBI

Greqia mbështet liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Qëndrimin e bëri të ditur dje në Tiranë kreu i qeverisë greke, Kosta Karamanlis.Në përfundim të një takimi me Kryeministrin Berisha, gjatë vizitës njëditore në vendin tonë, Kryeministri grek theksoi se vendi i tij ishte ndër të parët që mbështeti heqjen e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe hapësirës "Schengen". "Me të vërtetë, ne ishim një ndër anëtarët e parë të Bashkimit Evropian që e mbështetëm Shqipërinë. Greqia ishte gjithashtu midis të parëve që pa shumë pozitivisht perspektivën e liberalizimit të regjimit të vizave, ashtu sikurse është vënë në dukje në axhendën e Selanikut, në vitin 2003. Që nga ajo kohë, ne ripërsërisim angazhimin tonë dhe e kemi ndjekur nga afër progresin e bërë deri tani për aplikimin e reformave të nevojshme, që siç e dini është plotësimi i disa kritereve të caktuara", u shpreh Karamanlis. Por në të njëjtën kohë sipas tij, Shqipëria duhet të plotësojë disa kushte në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, kushti i parë i artikuluar prej kreut të qeverisë së Athinës ishte pikërisht zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor. "Zgjedhjet sipas standardeve evropiane, aplikimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, respekti i plotë i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve janë hapa shumë të rëndësishëm ne atë drejtim", vijoi më tej Karamanlis. Kreu i ekzekutivit fqinj vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet mes dy vendeve, teksa shtoi se minoriteti etnik grek në Shqipëri përbën një lidhje shumë të fortë me rëndësi jetësore midis vendeve tona. Në të njëjtën kohë, u shpreh: "Ndihem i detyruar të përmend dhe theksoj rëndësinë ekonomike të emigrantëve shqiptar në Greqi, që kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në ekonominë greke dhe sigurisht nëpërmjet remitancave ndikojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë". Nga ana e tij kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha theksoi se marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes dy vendeve janë shumë të mira. Sipas tij, në këto vite biznesmenët grekë kanë investuar në Shqipëri mbi 1 miliard dollarë. "Gjatë bisedimeve tona, diskutuam edhe për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi. Jemi shumë të gëzuar për progresin në të gjitha aspektet dhe pa dyshim e siguroj Kryeministrin se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për respekt të plotë, bashkëpunim dhe është fokusi i qeverisë sime të investojë dhe të mbështesë komunitetet minoritare, në mënyrë që të ndryshohet pozitivisht jeta në to. Falënderoj Kryeministrin dhe qeverinë e tij për investimet dhe ndihmën e dhënë në ato zona, si dhe zona të tjera në Shqipëri", theksoi Kryeministri Berisha. Kreu i ekzekutivit tha gjithashtu se gjatë takimit informoi homologun e tij për kërkesën, që do të paraqesë Tirana zyrtare pranë BE-së për të aplikuar për statusin e vendit kandidat.

Topi me Karamanlis: Po bëjmë kartat
Presidenti Bamir Topi u takua dje me Kryeministrin e Greqisë, Kosta Karamanlis, në të cilin vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. "Kryetari i Shtetit vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet e gjithanshme, që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe shprehu bindjen se dhe kjo vizitë dhe bisedimet që po zhvillohen me këtë rast, në frymën e miqësisë dhe vizionin e një bashkëpunimi me interes të ndërsjellë, do t'u shërbejnë konsolidimit dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve", thuhet në njoftimin për shtyp. Kreu i shtetit theksoi gjatë takimit se "aktualisht jemi të angazhuar në mbylljen me sukses të procesit të prodhimit dhe pajisjes së shtetasve me letërnjoftime që është e një rëndësie parësore edhe për shkak të përdorimit të tyre si mjet identifikues gjatë këtyre zgjedhjeve". Kryeministri Karamanlis theksoi qëndrimin e njohur të qeverisë dhe popullit të tij në mbështetje të plotë të orientimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe e siguroi Presidentin Topi, se kjo mbështetje do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme edhe më tej. Karamanlis ndau të njëjtën pikëpamje me Kreun e shtetit shqiptar se "e ardhmja e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në gjirin e familjes evropiane dhe institucioneve të saj dhe kjo do të ishte një garanci absolute për qëndrueshmërinë dhe begatinë e rajonit tonë".

Xhufi: Greqia nuk njeh ende kufijtë tokësorë

Historiani i njohur, deputeti i LSI-së Pëllumb Xhufi e konsideron përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë në disfavor për Shqipërinë. Ai shpreh shqetësim për mungesën e transparencës në hartimin e kësaj marrëveshje mes palëve. Xhufi tha dje për gazetën "Panorama" se është shqetësues fakti që çështja çame, ajo e pronave të shqiptarëve dhe e kufijve tokësorë me Greqinë nuk përmenden më në axhendat e bisedimeve me qeverinë greke. 
Zoti Xhufi, si e konsideroni marrëveshjen e vendosjes së kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë të firmosur dje? 
Marrëveshja për kufirin është një marrëveshje me rëndësi strategjike për Greqinë dhe kjo është një sukses i politikës greke. Ndërkohë që është një marrëveshje që ka hyrë në mënyrë të përshpejtuar në axhendën e bisedimeve shqiptaro-greke. Një temë e tillë nuk ka qenë në qendër të diskutimeve, pasi ka pasur çështje të tjera, që vërtet janë të rëndësisë strategjike për palën shqiptare, por që për fat të keq, nuk kemi dëgjuar të artikulohen në këtë takim të zotit Berisha me zotin Karamanlis.
Në dijeninë tuaj, kjo marrëveshje ka kaluar në diskutime ekspertësh të fushave të ndryshme?
Marrëveshje të tilla si kjo e vendosjes së kufirit detar, janë tepër të komplikuara dhe Greqia nuk ka lidhur marrëveshje të tilla me shtetet e tjera fqinje të saj. Ajo nuk ka bërë marrëveshje për kufij detarë me Turqinë, me të cilën bën pjesë në NATO që në vitet '50 të shekullit të kaluar. Më shumë se 50 vjet që janë në NATO dhe ende nuk e kanë një marrëveshje të tillë. Përkundrazi siç dihet kanë ndodhur konflikte si pasojë e mungesës së përcaktimit të kufirit detar, siç ishte ai i ishullit Imja në 1996, ku për pak dy vendet shkuan në luftë të armatosur mes tyre. Këto marrëveshje do të donin, në rastin më normal të hartimit një aktivizim të ekspertëve juridikë, të së Drejtës Ndërkombëtare edhe të Drejtës së Detit, për të cilën ka konventa dhe Kode të veçanta. Në dijeninë time, një gjë e tillë nuk është bërë, është bërë në kushtet e një fshehtësie të plotë.
Si e konsideroni anashkalimin e problemit çam gjatë kësaj vizite, nisur dhe nga deklarata e Kryeministrit Berisha se "midis dy vendeve nuk ka më çështje të pazgjidhura"?
Kjo është një deklaratë e pamenduar, unë do ta quaja emocionale, ndoshta gjatë drekës e zotit Berisha apo në një moment të lumtur, të një bisede pozitive me zotin Karamanlis. Por nuk ka probleme të zgjidhura me Greqinë. Problemi i kufijve është i pazgjidhur, ai i çamëve është po ashtu, problemi i pronave të shqiptarëve, problemi i shkollave për fëmijët e emigrantëve etj. Greqia nuk krijon ato lehtësira që ata të bëjnë orë plotësuese në gjuhën shqipe në shkollë, ndërkohë që emigrantët grekë në Gjermani, p.sh., i kanë këto mundësi. Unë do të thosha se është një mungesë principialiteti që e ka karakterizuar zotin Berisha në marrëdhëniet me Greqinë, që nga 1992, kur mesa duket ka marrë angazhime gjatë kohës, që nuk ishte në pushtet dhe kërkonte mbështetjen e Greqisë.
A ka mbajtur edhe Greqia të njëjtin nivel marrëdhëniesh për sa i takon respektimit të së drejtave të shqiptarëve në Greqi dhe pronave të tyre atje?
Ajo që përbën problem është injorimi që Greqia i bën problemeve, që duhet të zgjidhë në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët. Nga problemi i nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë që do të hiqte dhe dyshimet për ekzistencën e Ligjit të Luftës, që "de jure" vazhdon të ekzistojë, kufijtë tokësorë nuk njihen dhe vazhdojnë spekulimet. Këto duhet të zgjidhen dhe kanë qenë gjithnjë në axhendën e bisedimeve mes dy vendeve. Tani ato nuk përmenden fare. Kemi ligjin absurd të luftës që vazhdon të ekzistojë pasi ka prona të shumta të shqiptarëve në veri të Greqisë, në zonat e Thesalisë, Maqedoninë greke dhe çështja e nxehtë ajo e çamëve. Asnjë fjalë nuk është thënë dhe nuk diskutohet më për to.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›