E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga, vëllai shfajëson Arben Lazen

 

Armand Bajrami

Vëllai i presidentit të Elbasanit Arben Laze pranon në gjykatë shitjen e drogës dhe tenton të nxjerrë të “pa implikuar” nga kjo histori vëllanë e tij. Në seancën e djeshme për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të arrestuar nga operacioni i të enjtes “Mesfushori”, Fatjon Laze, vëllai i financuesit të futboll-klub Elbasani ka pohuar se lënda narkotike i përkiste atij dhe se askush tjetër nuk kishte dijeni për të. Pohimi i tij është mbështetur edhe nga vetë presidenti i Elbasanit, Laze, i cili ka thënë se kishte biznese të tjera dhe nuk merrej me trafik narkotikësh. Por alibitë e të pandehurve dhe kërkesat e mbrojtësve të tyre ligjorë, për masa sigurie më të lehta, nuk i kanë bindur togat e zeza të Krimeve të Rënda, të cilat i kanë lënë ata në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.  
Seanca në gjykatë
Katër të pandehurit, mes të cilëve edhe financuesi i skuadrës së futbollit të Elbasanit, Arben Laze, mbërritën në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda pak minuta pas mesditës së djeshme. Në seancën që kryesohej nga gjykatësi Luan Hasneziri, ata paraqitën para gjykatës pretendimet e tyre në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga prokuroria. Vëllezërit Laze kanë treguar se pak kohë më parë i kanë blerë një automjet “Mercedes” të pandehurit Arben Prifti. Sipas vëllezërve Laze, paratë e makinës nuk ia kishin shlyer plotësisht fierakut Arben. Sipas pretendimeve të Fation Lazes përpara gjykatës, për të mundësuar shlyerjen e kësaj shume që ishte afërsisht 6 mijë euro, ai kishte shitur heroinën. Burime pranë Krimeve të Rënda bënë të ditur dje se i pandehuri Fation Laze ka deklaruar para gjykatës mospërfshirjen e vëllait të tij në shitjen e drogës së bllokuar nga policia në Lushnjë. Sipas tij, drogën ai e kishte siguruar nga një miku i tij kosovar me banim në Maqedoni. “Drogën ma solli i njohuri im nga Maqedonia. Paratë që do të fitoja nga shitja e saj do t’i përdorja për t’i dhënë pagesën e makinës Arben Priftit” mësohet të ketë thënë Fation Laze përpara gjykatës.
Shfajësimi i Lazes
Ndërsa në lidhje me vëllanë e tij, ai ka pohuar se “vëllai im nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë dhe po ashtu, asnjë nga të pandehurit e tjerë”. Të njëjtat pretendime janë shprehur edhe nga presidenti i Elbasanit Arben Laze. “Nuk kam dijeni për drogën. Kam biznese të tjera dhe nuk merrem me të tilla gjëra”, bëhet e ditur të ketë thënë ai përpara gjykatës. Ndërsa i pandehuri Arben Prifti ka deklaruar se bisedat me Lazen i ka bërë vetëm për paratë që ai i detyrohej, për makinën e shitur dhe se ai nuk kishte asnjë lloj dijenie për pazare droge të të pandehurve të tjerë. Në seancën e djeshme, kërkesat e avokatëve mbrojtës për masën “arrest me burg” me afat 15 ditor për dy vëllezërit Laze dhe “arrest shtëpie” kundrejt garancisë pasurore për Arben Priftin dhe Shkëlqim Hyzmon, nuk u morën parasysh nga trupi gjykues. Gjykata vendosi lënien e të dyshuarve në burg deri në përfundim të hetimeve. Prangosja e Arben e Fatjon Lazes, Arben Priftit dhe Shkëlqim Hyzmos u realizua ditën e enjte pas një urdhërarresti të firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, për akuzën e “trafikut të drogës” dhe “grupit të strukturuar kriminal”. Sipas Prokurorisë, hetimet ndaj tyre kishin filluar disa muaj më parë. 

Prokuroria: Arben Laze dhe Arben Prifti, të implikuarit kryesorë

TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda i kundërshtoi dje alibitë e paraqitura në gjykatë nga vëllai i Arben Lazes dhe të pandehurit e tjerë të dosjes “Mesfushori”. Sipas Prokurorisë, pretendime të tilla si borxhi për makinën e shitur apo implikimi në trafikimin e heroinës i Fation Lazes, pas dijeninë e personave të tjerë, janë pretendime që nuk qëndrojnë. “Prej muajit shtator 2008, kur kanë filluar hetimet deri ditën e sotme, provat e shumta të grumbulluara në dosje tregojnë se të implikuarit kryesorë në trafikimin e heroinës së bllokuar në Lushnje, janë Arben Laze, president i skuadrës së futbollit të Elbasanit dhe shtetasi nga Fieri, Arben Prifti. Përgjimet telefonike, vëzhgimet, provat e grumbulluara dhe deklarimet e dëshmitarëve, tregojnë se katër të arrestuarit kanë pasur dijeni dhe janë implikuar në trafikimin e heroinës”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria. Sipas tyre, mësohet se Arben Prifti nga Fieri kishte porositur sasinë e heroinës tek Arben Laze. Ky i fundit është dëgjuar në përgjime teksa porosiste vëllain e tij Fationin, që të dorëzonte sasinë e kërkuar të drogës tek personat që do ta blinin atë. Nga hetimet, Prokuroria ka provuar se vëllai i Arben Lazes, sipas vendimit të rënë dakord me presidentin e Elbasanit, e ka dorëzuar sasinë e drogës te Shkëlqim Hyzmo. Ky i fundit ishte personi që ishte porositur nga Arben Prifti të merrte heroinën në dorëzim. “Nga hetimet e zhvilluara dhe tërësia e provave të grumbulluara të arrestuarit janë implikuar në krimin për të cilin akuzohen. Ata e kanë kryer veprën penale në bashkëpunim mes tyre dhe të gjitha sasitë e parave që kanë lëvizur mes palëve provohet se kanë qenë në funksion të trafikimit të 1043 gramëve heroinë, të bllokuara në makinën e shtetasit Shkëlqim Hyzmo”, tha Prokuroria e Krimeve të Rënda, dje pas vendimit të gjykatës për masën e sigurisë ndaj të arrestuarve.                               tr.so

“Arrestimi i paligjshëm, të mbahen në burg”
TIRANE – Vlerësimi si i paligjshëm i arrestimit të Arben Lazes, vëllait të tij Fation Laze dhe të pandehurit Arben Prifti, nuk i ka shpëtuar ata nga burgu. Gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë ndaj katër të arrestuarve të operacionit “Mesfushori”, tre ditë më parë, Gjykata për Krimet e Rënda ka bërë edhe vlerësimin e arrestimit të tyre. Sipas burimeve pranë gjykatës, mësohet se arrestimi i dy vëllezërve Laze dhe Arben Priftit është vlerësuar si i paligjshëm nga togat e zeza. Kjo pasi, arrestimi i tyre është kryer vetëm në sajë të një urdhri të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe pa një autorizimi të gjykatës. I vetmi arrestim i ligjshëm është cilësuar ai i të pandehurit Shkëlqim Hyzmo, i cili është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi mbante drogën me vete. Bëhet e ditur se një vendim i tillë është marrë nga ana e gjykatës pas pretendimeve të ngritura nga mbrojtësi ligjor i të pandehurve Laze, se arrestimi i klientëve të tyre është bërë vetëm më urdhër të organit të akuzës. Ndërsa përfaqësuesit e akuzës kanë pretenduar se edhe pse tre prej të pandehurve nuk janë arrestuar në kushtet e flagrancës, prokuroria disponon përgjime bisedash telefonike dhe prova të tjera, që faktojnë implikimin e tyre në trafikun e narkotikëve. Në këtë mënyrë, për shkak specifikave të veprave penale për të cilën ata akuzohen, atë të “trafikut të lëndëve narkotike” dhe “grupit të strukturuar kriminal” dhe për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore që paraqet konsumimi i këtyre veprave, gjykata vendosi se hetimi i tyre nuk mund të bëhej në gjendje të lirë. Arrestimet e operacionit “Mesfushori” filluan me Shkëlqim Hyzmon, i cili u prangos në vendin e quajtur Kthesa e Divjakës-Sektor Çermë, në Lushnje, teksa iu gjet në automjetin e tij tip “Benz”, me targë TR 5260 G, një sasi prej 1042 gramë lëndë narkotike. Në vijim u arrestua Arben Prifti dhe më pas Arben Laze, teksa po kthehej nga një vizitë na Maqedoni. Ndërsa Fation Lazes iu vunë prangat pranë banesës së tij në Elbasan.     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›