Përshkallëzohet konflikti mes izraelitëve dhe Hamasit
Blerina Olldashi
Rripi i Gazës është sulmuar dje nga avionët izraelitë për të tretën ditë me radhë duke shkaktuar të vdekur dhe të plagosur.
Ministri i Shëndetësisë së qeverisë në Hamas bëri të ditur se gjendja është alarmante pasi 250 perona janë të plagosur rëndë dhe spitalet nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë. “Janë 250 të plagosur në gjendje shumë të rëndë dhe ka shumë persona që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, që strukturat spitalore nuk janë në gjendje t’ua japin”,- deklaroi ministri. Avionët izraelitë goditën një ndërtesë që përdorej si Ministri e Brendshme nga grupi militant Hamas, që kontrollon territorin. Goditje mori edhe një shtëpi pranë shtëpisë së braktisur të një udhëheqësi të lartë të Hamasit në Rafah. Mediat e ndryshme bënë të ditur se të paktën dy fëmijë janë vrarë nga sulmi i fundit. Tanket izraelite janë vendosur në kufi dhe Izraeli ka shpallur të gjithë zonën rreth Rripit të Gazës një zonë të mbyllur ushtarake pasi ekziston rreziku nga sulmet e raketave palestineze. Presidenti palestinez, Mahmud Abas, ka thënë se do të ftojë të gjithë fraksionet palestineze, duke përfshirë edhe Hamasin dhe Xhihadin ,për bisedime. Abas tha se të gjithë palestinezët duhet të punojnë së bashku për të ndaluar atë që ai e quan agresion nga Izraeli.
Zyrtarët palestinezë thonë se rreth 300 veta janë vrarë deri tani. Ndërkohë, Kryqi i Kuq ka bërë të ditur se spitalet kanë rezerva të pakta me medikamente. Një zëdhënës i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Gazë, Iyad Naser, foli për situatën në spitale dhe ndihmën që po jep organizata e tij. “Spitalet janë duke punuar me maksimumin e kapaciteteve për shkak të mbylljes së Gazës prej muajsh të tërë. Me numrin aktual të të lënduarve dhe burimet e pakta për këto spitale, ato janë boshatisur”, - tha zoti Naser.
“Komiteti i Kryqit të Kuq iu përgjigj në mënyrë pozitive një apeli emergjence të bërë nga ministri për Shëndetin dhe furnizoi me pajisje mjekësore që mund të përballojnë rreth 400 të plagosur”, - tha zëdhënësi i Kryqit të Kuq. Një polic egjiptian ishte në mesin e të vrarëve në skenat kaotike, kur dhjetëra palestinezë kaluan gardhin e kufirit përpara se të ktheheshin prapa prej policisë egjiptiane. Në mbarë botën arabe dhe në disa kryeqytete europiane mijëra veta kanë dalë në demonstrata kundër aksionit ushtarak izraelit. Disa demonstrues u bënë thirrje qeverive që të ndërmarrin veprime të ashpra ndaj Izraelit. Egjipti, që ndihmoi në negociatat për armëpushimin mes të dyja palëve në fillim të këtij viti, kërkoi dhënien fund të sulmeve.
Ajo që pezulloi bisedimet indirekte të paqes me Izraelin ishte Siria. Më herët, Këshilli i Sigurimit të OKB-së bëri thirrje për dhënien fund të dhunës dhe sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, i bëri thirrje Izraelit që të hapen pikëkalimet për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
30 Dhjetor 2008