I ftohti dhe dëbora komplikojnë aventurën e Kombëtares në Estoni
Aventura estoneze e kombëtares komplikohet nga i ftohti i madh që ka pushtuar ish-republikën e Bashkimit Sovjetik. Kuqezinjtë u janë përgjigjur urdhrave të trajnerit Josip Kuzhe për grumbullimin në kryeqytetin estonez, Talin, ku do të zhvillojnë një ndeshje miqësore me kombëtaren vendase të shtunën, më 14 nëntor. Hamdi Salihi ka qenë i fundit që është vënë në dispozicion të Kuzhes mediton e djeshme. Por me të zbarkuar në tokën estoneze, kuqezinjtë janë përballur me të ftohtin dhe dëborën e madhe që ka pllakosur gjithë vendin prej disa ditësh. Një gjë e tillë është konfirmuar nga shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Tritan Kokona. Një tjetër fakt kurioz në lidhje me të ftohtin e madh të dimrit që duket se është ulur këmbëkryq në Estoni, ka të bëjë me episodin që ka lidhje me kombëtaren vendase. Sikurse kanë theksuar mediat estoneze, skuadra e drejtuar nga trajneri Tramo Rytli, ka zbritur në stadiumin "A. Le Coq Arena", ku do të luhej ndeshja të shtunën, por fusha e blertë ishte e mbuluar e gjitha me dëborë. Edhe pse ishte planifikuar zhvillimi i një seance stërvitore, tekniku i kundërshtarëve tanë ka vendosur të ndryshojë planin e tij dhe ka organizuar të gjithë futbollistët e tij në dispozicion në pastrimin e dëborës nga fusha. Në rikonstruktimin e fundit të këtij stadiumi janë marrë edhe masat për mbrojtjen e tij nga kushtet e vështira atmosferike gjatë dimrit të ftohtë estonez, dhe për këtë arsye në të është shtruar një shtresë e veçantë, e cila e ruan fushën në një gjendje të përsosur. Moti i ashpër ka ndikuar edhe në ndryshimin e plan-programit të kombëtares sonë. Sikurse ka bërë të ditur vetë Kokona, trajneri Josip Kuzhe ka aplikuar dy seanca stërvitore të mërkurën: Një paradite rreth orës 09.30 në fushë të mbuluar, që ka zgjatur 1 orë. Ndërsa seanca tjetër stërvitore pasditen e djeshme ka zgjatur 1.30 minuta. Periudhën ndërmjet dy seancave të djeshme stërvitore, trajneri kroat e ka shfrytëzuar për të takuar lojtarët, me të cilët ka zhvilluar një bisedë, ku ka folur në lidhje me planet për Shqipërinë e së ardhmes. "E ardhmja juaj në kombëtare varet vetëm nga ju, nga ajo që do të jepni në fushën e lojës dhe në seancat stërvitore, i ka paralajmëruar trajneri kuqezinjtë. Objektivi ynë është të arrijmë në Europianin 2012, ndaj unë kërkoj do të kërkoj maksimumin nga secili prej jush". Gjendja e skuadrës e mirë, nuk ka të dëmtuar. Vetëm Emiliano Vila është me grip. Sot do të zhvillohet vetëm një stërvitje pasdite, për shkak të të ftohtit të madh.
A. Manallari
A. Manallari