E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtuesit e LSI-së bëhen drejtorë në Korçë e Vlorë

Qeverisja e re ka sjellë lëvizjet e para në drejtoritë rajonale. Spitalet kanë nisur ndërrimin e drejtorëve, duke jua lënë postet drejtuese përfaqësuesve politikë të LSI-së. Ashtu siç edhe pritej Drejtoria e Spitalit të Korçës ka kaluar nën drejtimin e kreut të LSI-së për këtë qytet. Para bluzave të bardha të spitalit është prezantuar drejtori i ri, Mishel Papakozma, një nga kandidatët e listës së LSI-së në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Ai është mjek i njohur gjinekolog në Korçë, me një karrierë të gjatë profesionale, por edhe në drejtim. Ai ka qenë më parë drejtor i maternitetit të Korçës. Papakozma ka zëvendësuar drejtorin Gjergji Denasi, i cili ka drejtuar spitalin e Korçës për më shumë se tre vjet.

Rokada në krye të bluzave të bardha është bërë dje edhe në Vlorë. Edhe në këtë qytet, postin e drejtorit të spitalit të qytetit e ka marrë një funksionar i lartë i degës lokale të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kirurgu Bensik Elezi, që mban postin e nënkryetarit të LSI-së në Vlorë, u prezantua dje si drejtor i ri i spitalit. Elezi zëvendësoi në këtë post Luter Nurajn, i cili u zgjodh në këtë detyrë përpara një viti dhe dha dorëheqjen përpara tri ditësh, me motivacion zyrtar që nuk ka asnjë lidhje me lëvizjet politike, që janë kthyer në normalitet për mjekësinë shqiptare pas çdo ndërrimi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›