E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Morsa" e Luigi Pirandelos në Teatrin Kombëtar

Në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë, në datat 14 dhe 15 nëntor, do të shfaqet drama "Morsa" e shkrimtarit italian e Luigi Pirandello. Ajo vjen me regji të Najada Elmazit, skenografi të Beqo Nanaj dhe kostumografit të Edlira Qyshkës. Janë përzgjedhur për interpretim aktorët Dritan Boriçi, Klodjana Keco dhe Gjergj Mena. Ngjarja zhvillohet në një shtëpi province. Xhulia dhe Andrea Fabri janë bashkëshortët, të cilët jetojnë së bashku me fëmijët e tyre në këtë shtëpi. Antonio Sera është mik dhe avokat i tyre. Antonio dhe Andrea kanë shkuar në qytet për një çështje tregtie në lidhje me tokat në fshat. Antonio kthehet më parë se ai, por arsyeja e këtij nxitimi është presioni që Andrea ka ushtruar ndaj tij. Ai nuk kishte pohuar asgjë hapur, por kishte nënkuptuar se është në dijeni të lidhjes së tij me të shoqen Xhulia. Antonio i shpreh dyshimet e tij duke u ndërgjegjësuar të dy për pakujdesit e tyre. Xhulia vendos t‘i japë fund marrëdhënies së tyre. Pas ardhjes së Andreas dhe pyetjeve rutine, ai fillon një hetim të studiuar mirë. Xhulia dorëzohet duke pranuar tradhtinë. Ajo kërkon falje në emër të gjërave më të shenjta, të fëmijëve, por çdo gjë i mohohet. E shtyrë në këtë tunel pa rrugëdalje dhe e shtypur plotësisht nga "Morsa", në të cilën e ka futur i shoqi dhe i dashuri, Xhulia vendos t‘i japë fund jetës. Kjo vepër jepet në kuadrin e përgatitjeve të edicionit të katërt të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që do të mbahet në Tiranë nga data 20 deri më 25 nëntor. Gjatë këtij festivali do të konkurrojnë vepra të tilla si "Norvegjia sot" e Igor Bauersima, "Shtëpia e Bernarda Albës" e Lorkës, "Banorët e shkallës V" e Kin Dushit, "Parfumeria" e dramaturgut kosovar Haqif Mulliqi, "Morsa" e Luigi Pirandellos dhe "Fundi i lojës" e dramaturgut irlandez Samuel Becket.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›