"Vrull" librash në kryeqytet
Çelet sot pasdite në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Panairi i Librit "Tirana 2009". "Gjatë këtyre ditëve, kryeqyteti do të jetë i përfshirë i gjithi prej vrullit të librave", kështu është shprehur dje kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri në një konferencë për shtyp. I ftuari i nderit në ceremoninë e çeljes së panairit do të jetë akademiku Ali Aliu i cili vjen nga Maqedonia si dhe shkrimtari e përkthyesi Amik Kasoruho. Në edicionin e 12 të tij, ky panair, që tashmë është kthyer në një aktivitet tradicional të përvitshëm do të qëndrojë i hapur deri më 16 nëntor. Këtë vit do të marrin pjesë mëse 100 subjekte botuese nga të gjitha hapësirat mbarëshqiptare. Botuesit pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, si dhe nga vende të tjera të botës. Këtë vit, pritet të jetë i pranishëm në panair shkrimtari italian, Federico Mocia (Federiko Moça) i cili ka konfirmuar paraprakisht praninë e tij. Takimet promovuese me autorët pjesëmarrës do të jenë intensive dhe në çdo orë të ditës në dy sallat e konferencave gjatë gjithë ditëve të edicionit të 12, ku do të diskutohet mbi tema e probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me librin. Janë parashikuar gjithashtu edhe konferenca të posaçme me shkrimtarë të ftuar dhe disa tryeza debati mbi problemet e vazhdueshme të librit shqip. Edhe këtë vit nuk do të mungojë katalogu i panairit si një informues për të gjitha veprimtaritë që do të ndodhin gjatë ditëve të panairit. Sipas Petrit Ymerit, kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, një vëmendje e veçantë do t‘i kushtohet sallave të promovimeve. Këtë vit do të promovohen rreth 1200 tituj librash të rinj, ndërsa pritet që nga 100 ekspozuesit pjesëmarrës, 30 të vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë. Një nga evenimentet që pritet të paraqitet gjatë ditëve të panairit është seria e plotë e veprës së shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa ashtu si dhe vitet e shkuara do të ndahen çmimet "Autori më i mirë i vitit", "Përkthyesi më i mirë i vitit", "Libri më i mirë për fëmijë" dhe si zakonisht do të jepet edhe çmimi "Stenda më e mirë e panairit", çmim ky që jepet prej gazetarëve të kulturës.