Botuesit: Nuk japim libra për Kuvendin
"Botuesit nuk do të japin kopje të detyruar të librave për bibliotekën e Kuvendit". Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, shprehet se do të kundërshtojnë çdo vendim në favor të kësaj pike të ligjit "Për librin në Republikën e Shqipërisë", e diskutuar edhe dy javë më parë në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Në këtë diskutim, veç kërkesës për heqjen e disa neneve dhe disa nënkapitujve të ligjit të vitit 2006 i ndryshuar, Ymeri si përfaqësues i botuesve ka replikuar mbi kopjet e detyruara që çdo botues duhet të dorëzojë në disa institucione të përcaktuara në ligj. Sipas këtij ligji, "të gjithë botuesit, entet botuese dhe mjetet e informimit publik, shtetërore ose private, detyrohen të dorëzojnë pa shpërblim në Bibliotekën Kombëtare, në bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë dhe në bibliotekat publike pranë njësive administrative vendore, ku ushtrojnë veprimtarinë, nga 5 kopje për çdo botim, duke paguar edhe tarifën e shërbimit postar, kur është i nevojshëm". Në kërkim të mirëkuptimit mes palëve, në Komisionin e Medias botuesit parashtruan kërkesën për uljen e numrit të kopjeve të detyrueshme nga 5 në 2 për Bibliotekën Kombëtare (drejtori Aurel Plasari parashtroi të tjera kërkesa që kishin të bënin me funksione të shtuara padrejtësisht ndaj institucionit që drejton) dhe një për bibliotekat e qyteteve. Sipas Ymerit u ra dakord që nuk do të ketë kopje për bibliotekën e Kuvendit, ndërsa sugjerimet që dalin nga diskutimi mes palëve të pasqyrohen në draftin përfundimtar që duhet të kalojë në Parlament. "Në këtë Komision u duk se ne u morëm vesh për mjaft probleme që janë ngritur që kur u miratua ligji ‘Për Librin‘, përfshirë këtu edhe funksionimi për kopjet e detyruara. Mirëpo morëm vesh se ata i janë kthyer përsëri variantit të vjetër konservator, të cilët kërkojnë të marrin me dhunë dhe në mënyrë shumë të padrejtë kopje nga botuesit për bibliotekën e Kuvendit. Shtëpitë botuese janë biznese private që ti nuk mund t‘i shpronësosh e t‘u marrësh me dhunë kopje librash. Për mua kjo kërkesë është një shpërdorim detyre. Por ne kemi vendosur të mos japim asnjë kopje. Do t‘ua themi këtë të gjithë botuesve edhe këtu në panair. Nga janari i 2010-ës do të japim vetëm dy kopje për Bibliotekën Kombëtare. Shteti ka fonde e le të funksionojë si kudo në botë. Ne nuk punojmë për të pasuruar bibliotekat e shtetit", thekson Petrit Ymeri. Në të kundërt, sipas tij, çështja do të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit aktual, për mosdorëzimin e kopjeve nga subjektet përkatëse parashikohen edhe gjoba që variojnë nga 10.000 në 100.000 lekë. Nga ana tjetër, Mark Marku, kryetari i seancës që diskutoi ligjin "Për librin", shprehet se nuk ka ende një draft përfundimtar. "Ne kemi pasur kontakte me palët përkatëse dhe kemi marrë parasysh pjesën më të madhe të vërejtjeve të tyre. Drafti është ende në një variant të diskutueshëm, e po ashtu në diskutim është edhe pika që përcakton mënyrën e funksionimit me kopjet e detyruara", thekson Marku. Po në rolin e botusesit, Fatmir Toçi e konsideron këtë pikë të ligjit si shkelje të pronësisë. "Me sa jemi të informuar ka pasur një reagim pozitiv për shumë nga vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë botuesit shqiptarë, por duket se te ky nen po këmbëngulet për disa interesa të ngushta të administratës së Kuvendit. Kjo është një shkelje e të drejtave të biznesit që bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë". Për sa kohë që ende nuk ka një draft përfundimtar dhe as një datë të caktuar për shqyrtimin e tij në Parlament, mbetet për t‘u parë se sa do të reflektohen kërkesat e botuesve dhe të palëve që prek ky ligj në variantin përfundimtar.