I ftohti, si duhet të kujdesen personat që vuajnë nga zemra
I ftohti ka një impakt te shëndeti dhe mbi të gjitha ndikon në rreziqet kardiake, të cilat nuk njihen aq sa duhet. Të mbrohesh prej dimrit, do të thotë të shmangësh ekspozimin ndaj disa komplikacioneve. “Mund të vdesësh nga i ftohti, nëse nuk ke kushtet minimale në shtëpi, ngrohje etj. Të ecësh në të ftohtë është një mundim i madh për zemrën dhe rreziqet për të pësuar një infarkt shtohen kur termometri shënon temperatura nën zero. Kjo gjë bëhet edhe më e rrezikshme kur të ftohtit i shtohet dhe era e lagështia. Dhe në lartësitë mbi 1500 metra mbi nivelin e detit, në mal, rriten vështirësitë për personat e sëmurë më zemër dhe që kanë probleme me frymëmarrjen”, pohon Dr. Christophe Prudhomme. Ndërsa kur është një i ftohtë i thatë, azmatikët rrezikojnë të kenë më shumë probleme me bronket, ky rrezik bëhet edhe më i madh kur është një i ftohtë me lagështirë, pasi janë kushte të përshtatshme për përhapjen e virusit.
Zemra dhe mushkëritë nuk janë të vetmet organe të ekspozuara ndaj të ftohtit. Kapilarët e hollë mund të bëhen edhe ato viktima. “Kapilarët e duarve zgjerohen në momenti kur ka një ndryshim të menjëhershëm të temperaturës. Kështu duke kaluar nga shtëpia e ngrohtë, jashtë në të ftohtë, duart bëhen ngjyrë vjollcë”, sqaron Dr. Jean-Pierre Laroche, presidenti i Kolegjit kombëtar të mjekëve profesionist të zemrës. Në të shumtën e rasteve është një formë beninje e sëmundjes. Një shqetësim kronik i qarkullimit të gjakut në ekstremitete. Në këtë rast duhet një mbrojtje shumë e mirë e duarve ndaj të ftohtit, po kështu do të mjaftoni dhe pomada apo kremra të ndryshme. Në të shumtën e rasteve, këto shenja shfaqen pas moshës 40 vjeçe dhe mund të bëhet fjalë për një sëmundje kronike, siç është skleroderma, dmth një sëmundje që shfaqet në këto raste, prandaj është e nevojshme konsultimi me mjekun.
Rreziqe të tjera: Morthi. Morthi shfaqet zakonisht kur është mot i ftohtë dhe i lagësht, sidomos te gratë e dobta. Zakonisht shfaqet në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, te hunda dhe veshët. “Për momentin nuk bie gjë në sy, vetëm kur kalohet nga i ftohti në të ngrohtë që vihen re shenja ngjyrë vjollce. Madje jo vetëm te duart dhe këmbët, por edhe te hunda dhe veshët. Këto simptoma duken për javë të tëra”, pranon Dr. Laroche.
Qarkullimi i gjakut nuk ka probleme vetëm kur ka ngrica, por edhe te njerëzit që merren me alpinizëm apo me ski, të cilët mund të qëndrojnë për orë të tëra në borë.
Lajmi i mirë në këto raste është që këto probleme shëndetësore mund të parandalohen. Për këtë është mirë që të ndjekim shembullin e rusëve dhe kanadezëve, të cilët janë të mësuar me dimrin e egër. “Në këto vende, sigurisht që veshja është shumë e rëndësishme: këpucët me mbështetëse izoluese, dy palë çorape, dorashka të ngrohta prej leshi apo mëndafshi, një kapele që mbulon mirë veshët dhe një shall të madhe përreth qafës. Por duhet të mbajmë të mbyllura në shtëpi të gjithë portat nga hyn i ftohti, për të pasur një mbyllje termike sa më të mirë”, këmbëngul Dr. Laroche.
Evitoni alkoolin
Një tjetër gabim që duhet të evitoni: të pini alkool, duke thënë se një gjë e tillë ju ngroh. “Alkooli ul vigjilencën dhe pengon aftësinë për t’u mbrojtur nga i ftohti. Sidomos një tjetër aftësi e alkoolit që mund t’u vërë në gjumë, kur duhet të jeni të kujdesshëm kur ecni në të ftohtë”, thotë Dr. Prudhomme. Të qëndrosh në shtëpi, në pritje të ditëve më të ngrohta, sigurisht që është zgjidhja më e mirë, sidomos për personat e dobët. Megjithatë edhe në shtëpi i ftohti mund të ketë efekte indirekte. Në fakt sa më shumë ftohet jashtë, aq më pak hapim dritaret për ajrosje. Përqendrimi i mikrobeve rritet në shtëpi. Meqë ajri shumë i ngrohtë than mukozën në aparatin e frymëmarrjes, të cilat nuk arrijnë më që të mbrohen, rreziku për t’u prekur nga i ftohti bëhet më i madh. “Për të pasur kushte më të mira, duhet të pini ujë dhe të ajrosni shtëpinë. Është mirë që të hapni dritaret dhe të mbani të ngrohtin në një temperaturë konstante dhe të kini shumë kujdes nga ngrohësit me gaz, pasi mund të ketë probleme për jetën tuaj.
Përgatiti: Aida Harka