E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkimi i paligjshëm, 3 subjekte në liqenin e Ohrit

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-12-2010 12:03

Sektori i Kontrollit të Peshkimit, pranë Ministrisë së Mjedisit ka ushtruar ditët e fundit një kontroll për të verifikuar se si inspektoratet e peshkimit kanë ndjekur dhe zbatuar legjislacionin e peshkimit. Këto kontrolle janë bërë edhe me zbatimin e detyrës së lënë nga ministri për evidentimin dhe heqjen e mjeteve lundruese që nuk punojnë prej vitesh nga portet e peshkimit, si edhe atë të urdhrit për ndalimin e peshkimit të koranit në liqenin e Ohrit dhe grumbullimin e vezëve të koranit për inkubim. Sipas kontroll/inspektimeve të ushtruara, rezultoi se në Inspektoratin e Peshkimit Vlorë ka dokumentacion të rregullt. Inspektimet aty u kryen konkretisht në Dajlan 1 dhe 2; në Lagunën e Nartës, Orikumit, në argjinaturën e Salevecit, në zonën ligatinore në Gotlla, përgjatë vijës bregdetare. Ndërsa inspektimi i kryer në liqenin e Ohrit, tregoi se 3 subjekte peshkimi zhvillonin aktivitet të paligjshëm peshkimi dhe prandaj iu sekuestruan 2 varka, 1 motor foribord, rreth 2000 ml rrjeta peshkimi dhe 300 ml litar plumbi. Gjithashtu janë proceduar edhe 9 persona me 1 motor, 7 arka me grepa dhe 2 rrjeta korani. Kurse në Inspektoratin e Peshkimit Sarandë, u ushtrua kontroll në ekonominë e peshkut “Prita e rrëzës”, ku u konstatua se porta e impiantit pritës ishte e mbyllur dhe materialet e peshkimit ishin të instaluara për aktivitet peshkimi. Ky fakt është në kundërshtim me urdhrin e Ministrit të Mjedisit mbi pezullimin e aktivitetit të peshkimit në zonën strikte të mbrojtur “Butrinti Park Kombëtar”. Për këtë, u mor masa administrative me gjobë 300.000 lekë. Kurse në Inspektoratin e Peshkimit Kurbin, dokumentacioni rezultoi se është plotësisht i rregullt, si dhe situata në lagunën e Patokut është pa probleme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›