E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet e pjesshme, tarifat përfundimtare për të gjitha universitetet

SHKRUAN: Jonida Tashi 22-12-2010 11:58

Publikohen tarifat e studimit sipas degëve të studimit për çdo fakultet. Pagesa do të bëhet e ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik studentët

Zyrtarizohen tarifat përfundimtare të studimit që do të paguajnë studentët që kanë vijuar studimet me kohë të pjesshme gjatë vitit akademik 2010-2011. Tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi nr. 936, datë 17.11.2010 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 826, datë 13.10.2010 të Këshillit të Ministrave ‘Për kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë dhe tarifat e shkollimit për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2010-2011’”. Në këtë vendim qeveria ka përcaktuar tarifat e shkollimit për program të parë dhe të dytë studimi me kohë të pjesshme, për vitin akademik 2010-2011. Gjithashtu, si për studentët që studimet part-time i kanë nisur si fakultet të parë edhe për ata që i kanë fakultet të dytë, qeveria ka miratuar tarifën e studimit për kredit dhe tarifën totale të studimit. Studentët e paguajnë tarifën e shkollimit, të ndarë në këste vjetore, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik. Studenti i nënshtrohet tarifës së shkollimit për një lëndë sa herë e frekuenton atë. Ndërkaq janë detajuar edhe kategoritë që do të përjashtohen nga tarifa e shkollimit. Sipas vendimit të qeverisë, do të përjashtohen nga tarifa e shkollimit aplikantët që fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, si program i parë studimi, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010 - 2011, të cilët u përkasin këtyre kategorive sociale: të verbrit, të shurdhrit, invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët e familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, fëmijë të ish-të përndjekurve politikë, fëmijë romë dhe ballkano-egjiptianë. Këtë të drejtë e kanë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave shoqërore. Studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj, që do të vazhdojnë studimet në një program studimi, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur, me marrëveshje zyrtare, shtetërore, janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat. Në total,

për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, për vitin akademik 2010-2011 qeveria miratoi 9940 kuota pranimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›