Interneti, masa për mbrojtjen e të dhënave personale
Furnizuesit me internet duhet të bashkëpunojnë për mbrojtjen e të dhënave personale të klientëve të tyre. Siguria në internet mblodhi dje, në një workshop me temë: “Një internet më i sigurt përmes kooperimit”, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar i Certifikimit Elektronik (AKCE) dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfaqësues të shoqërisë së informacionit në vend. Në workshop ishte i pranishëm edhe Ministri për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo. Ministri Pollo u shpreh se “qeveria ka rolin kryesor në krijimin dhe promovimin e kulturës për sigurinë në internet dhe mundësimin e një interneti më të sigurt. Por, sektori privat, furnizuesit me internet, duhet të luajnë rolin e tyre, një rol plotësues nëpërmjet nënshkrimit të kodeve të sjelljes dhe memorandumeve të mirëkuptimit, si pjesë e vetërregullimit publik-privat, në përputhje me praktikat më të mira që ekzistojnë në hapësirën e BE-së”. Sipas ministrit Pollo, shërbimet e reja dhe modelet e reja të biznesit sjellin risqe të reja të privatësisë dhe sigurisë, këtu do të përmendja rrjetet shoqërore si facebook, tashmë pjesë e realitetit shqiptar, në veçanti tek të rinjtë. Ministri Pollo ka argumentuar se nga njëra anë ato rrisin përfitimet nga mënyrat e reja të komunikimit, por nga ana tjetër rrisin shqetësimin për privatësinë e përdoruesve të internetit, të cilët vendosin informacion personal online. Për këtë, ai i është referuar parimit kryesor të ligjit mbi mbrojtjen e të dhënave kryesore, sipas të cilit, të gjithë që përpunojnë të dhëna personale duhet të marrin masa sigurie të tilla që të mos rrezikojnë këto të dhëna. Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI, Endri Hasa, përfaqësues të AKCE-s, si dhe komisionerja e mbrojtjes së të dhënave personale, Flora Çabej folën mbi sfidat e sigurisë së dokumentit elektronik, duke përfshirë çështje të rregullimit ligjor, teknik, ndërgjegjësimit të opinionit publik, por dhe të bashkëpunimit mes institucioneve në këtë fushë. Të ftuar në këtë workshop ishin edhe përfaqësues të internet provider-ve në vend dhe operatorë të telefonisë celulare, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në sigurinë online. Ndër të tjera nga këta operatorë u kërkua një bashkëpunim më i ngushtë mes tyre për hartimin e një kodi etike, me qëllim parandalimin e përmbajtjeve online të paligjshme, ose të dëmshme për fëmijët dhe adoleshentët.