E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 58-vjeçares, mjekoligjorët: Nga tromboza

Realizohet ekspertiza e parë. Kishte patologji në organet frymëmarrëse. Raporti, në prokurori

Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar fazën e parë të ekspertizës për arsyet e vdekjes së 58-vjeçares Drita Gixhari, në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Burime zyrtare nga ky institucion thanë për gazetën “Shqip” se vdekja e Gixharit ka ndodhur nga një patologji në rrugët e frymëmarrjes, të shkaktuar nga një trombozë. Sipas mjekoligjorëve, deri tani është realizuar vetëm raporti i parë për shkakun e vdekjes, të cilin ia kanë referuar organeve hetimore, si dhe familjarëve të interesuar. Më pas do të përcaktojnë nëse dy mjekët e pezulluar nga QSUT-ja kanë përgjegjësi në vdekje ose jo. Për përgjegjësinë ligjore të dy mjekëve do të vendosë organi i akuzës, ndërsa pritet që të hartohet edhe raporti i dytë më i detajuar për këtë rast. Pas ngjarjes, Prokuroria e Tiranës mori në dorë hetimet për zbardhjen e vdekjes së mistershme të 58-vjeçares Drita Gixhari, tri ditë më parë në spitalin “Nënë Tereza”. Paraprakisht ka dyshime se 58-vjeçarja ka ndërruar jetë nga tromboza në venën që furnizon zorrët me gjak. Vdekja e gruas la hije të mëdha dyshimi për të afërmit e saj, që vetëm pak orë pasi Drita Gixhari ndërroi jetë, iu drejtuan Komisariatit Nr. 4 për ngritjen e një padie ndaj bluzave të bardha të spitalit numër 2 për neglizhencë dhe mjekim të pakujdesshëm. Dyshimet qëndrojnë në mosdhënien e ndihmës në kohë. Sikundër deklarojnë familjarët, ata u paraqitën në spital në mesnatë, ku u pritën nga mjeku roje, i cili pasi vizitoi 58-vjeçaren, vendosi t’i bëjë 2 injeksione qetësuese e më pas ta dërgojë në shtëpi, pasi sipas tij nuk paraqiste shqetësime. Gruaja ka vijuar të ketë shqetësime. Një ditë më pas, në momentet që po plotësohej kartela, gruaja pati komplikacione dhe mjekët u detyruan ta dërgonin në reanimacion, prej nga nuk mundi të dalë e gjallë. E gjithë procedura e pacientes është sekuestruar nga prokuroria dhe rezultatet e hetimit do të publikohen në ditët pasardhëse.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›