I gatshëm për Palermon

Agon Mehmedi është i gatshëm të luajë me Palermon në Serie A, që nga fillimi i vitit të ardhshëm. Sulmuesit kosovar do t’i skadojë kontrata me Malmon në fund të këtij viti, kështu që klubi italian e ka mundësinë që ta transferojë atë pa paguar dëmshpërblim.
“Nuk dëshiroj të flas nëse jam gati apo jo, por e di se i interesoj Palermos. Ky klub më ka ndjekur për një kohë të gjatë”, deklaroi Mehmeti për të përditshmen suedeze Sportbladet.
Por, ai e pranon se do të ishte një ëndërr po t’i ofrohej mundësia për të luajtur në elitën e futbollit italian. “Çdo lojtar e ka objektiv të shkojë në një skuadër të madhe dhe në një kampionat të madh. Mund ta them këtë: do të ishte ëndërr për mua të luaj në Serie A”, shtoi ai.
21 vjeçari thotë se për momentin është i koncentruar vetëm tek Malmo, ku luan aktualisht. “Kemi shumë ndeshje të rëndësishme përpara dhe kjo është e tëra që po e mendoj për momentin”, tha përfaqësuesi U21 i Suedisë.
Mehmeti kushton 500 mijë euro
Drejtori sportiv i Malmos, Per Agren, nuk e përjashton mundësinë e shitjes së futbollistit kosovar gjatë verës, në mënyrë që të përfitojë para nga shitja e tij.
“Absolutisht, ka mundësi. Ne nuk dëshirojmë t’i mbajmë lojtarët që duan të largohen. Kemi filluar bisedimet dhe ata na dhanë ofertën e tyre. Ai kushton pak më pak se 500 mijë euro. Topi është te Palermo”, deklaroi Agren.
Ndërkohë, presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka konfirmuar për Gazzetta dello Sport se Mehmeti mund të arrijë në Sicili në janar, pasi t’i skadojë kontrata.
Ai e konsideron sulmuesin kosovar si lojtar të kompletuar, që mund ta japë kontributin e tij në klubin Rosanero. Me këtë rast duket se Mehmeti do ta përfundojë sezonin në Suedi, për t’iu bashkuar më pas Palermos në janar, ku edhe hapet afati kalimtar i janarit.