E Shtunë, 31 Tetor 2026

I gëzohet debutimit

Emir Bajrami është shprehur i lumtur për debutimin e tij me fanellën e Kombëtares A të Suedisë, e cila në një ndeshje miqësore mposhti përfaqësuesen e Omanit me rezultat 1:0.

Mesfushori kosovar ishte në mesin e shtatë futbollistëve debutues, të cilët selektori i ri i Suedisë Erik Hamren, i ka grumbulluar nga elita e futbollit suedez, për t’i testuar nëse e meritojnë një vend në ekipin e tij.

“Jam shumë i kënaqur. Ishte një ndjenjë e mirë. Është mirë që fituam, por nuk shënova gol e as që pata ndonjë asistim për gol, për të qenë edhe më i kënaqur”, tha Bajrami për mediat suedeze.

Të shtunën, pritet që Bajrami të ketë një rast tjetër për t’i dëshmuar kualitetet e tij, kur Suedia do të përballet me Sirinë, në një tjetër ndeshje miqësore.
“Kur u zëvendësova nga trajneri Hamren, ai më tha se kam bërë një punë të mirë dhe se do të luaj sërish nga fillimi në ndeshjen e së shtunës”, shtoi ai.
Bajrami nuk ishte ftuar asnjëherë nga selektori i mëparshëm i suedezëve, Lars Lagerback.

“Lagerback nuk i ka shfrytëzuar futbollistët kreativë në krahë. Mendoj se Hamren është duke kërkuar gjërat e duhura”, theksoi futbollisti, i cili luan në krahun e majtë.

“Hamren flet shumë që ne t’i bëjmë dy hapa përpara në vend të dy hapave prapa dhe mendoj se do të zhvillojmë futboll më të mirë. Ai ka ide dhe objektiva të qartë”, thotë Bajrami, i cili pohon se kurrë nuk kishte folur me trajnerin Lagerback.

Ai ka shprehur edhe njëherë dëshirën e tij për t’u transferuar jashtë Suedisë.

“Kam filluar të ndjehem më i pjekur si futbollist. Dua ta bëj hapin e radhës dhe të transferohem në Europë”, përfundoi mesfushori i Elfsborgut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›