E Shtunë, 31 Tetor 2026

I gjetën armë pa leje në banesë, arrestohet 51-vjeçari



Tiranë – Forcat policore të Komisariatit Nr. 6 në Tiranë kryen arrestimin në flagrancë të 51-vjeçarit Shefqet Kamberi, 51 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Burime policore thanë për gazetën se arrestimi i tij u krye pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një automatik mod. 56, si dhe një karikator me 30 fishekë të të njëjtit kalibër. Sipas të dhënave policore, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën e kryerjes së veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit.

Kapet Vatnikaj, tentoi të vriste shokun me thikë

Tiranë – Policia ka realizuar arrestimin në flagrancë të shtetasit Jetmir Vatnikaj, 23 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve policore, prangosja e tij u krye pasi dy ditë më parë ka plagosur me thikë shtetasin A. P. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas të dhënave të policisë, ngjarja ka ndodhur në ambientet e lokalit “Harmonia”, te Kthesa e Kamzës. Po sipas policisë, Vatnikaj, në bashkëpunim me një tjetër shtetas të paidentifikuar, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me thikë shtetasin A.P, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak.

Vodhi disa shtëpi në Gjirokastër, policia e ndalon në Laç

Gjirokastër – Kishte vjedhur 2.3 milionë lekë në një shtëpi në Gjirokastër dhe jetonte e fshehur në një shtëpi me qira në Laç. Kjo është historia e Rolanda Dajës, 25 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banuese në Kodër Kamëz. Sipas të dhënave policore, ajo u ndalua dje pasi dyshohet se dy vjet më parë, në bashkëpunim me Saleo Stojanin (endacak) dhe Hysmet Dajën (bashkëshortin), kanë vjedhur në Gjirokastër banesën e shtetasit I.B. 2 milionë e 300 mijë lekë. Kapja e kësaj shtetaseje u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me forcat e Policisë së Kurbinit.

Lanë shtatzënë kushërirën 17-vjeçare, kërkohen nga policia dy vëllezërit

Elbasan – Një vajzë 17-vjeçare ka mbetur shtatzënë dhe policia ka identifikuar si autorë të abuzimit seksual dy kushërinj të afërt të saj. Ngjarja ka ndodhur në Plangaricë, fshat i Komunës Gracen, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit. E. C., 16 vjeç dhe vëllai i tij, Bukurosh Cullhaj, 19 vjeç, dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e xhaxhait, 17-vjeçaren N. C. Bazuar në informacionin e policisë, nga hetimet e ngjarjes dyshohet se krimi i përdhunimit në grup ka ndodhur rreth gjashtë muaj më parë. Pas përdhunimit, e mitura, nga frika, nuk tregoi në shtëpi për dy djemtë e xhaxhait që abuzuan me të seksualisht. Por ajo nuk e dinte se ishte shtatzënë, pasi këtë e ka mësuar vetëm para pak javësh. Gjatë kësaj kohe, as familjarët nuk kanë kuptuar gjë rreth shtatzënisë, duke besuar se kishin të bënin vetëm me një shëndoshje të vajzës, por më pas ajo u ka treguar gjithçka prindërve. “Në lidhje me denoncimin që bënë prindërit e vajzës, ne vendosëm të shpallim kërkesën për arrestimin në flagrancë të dy vëllezërve të dyshuar për përdhunim dhe incest me pasojë shtatzëninë”, - detajoi policia. Ajo tha se njëri prej vëllezërve do të lihet i lirë nën ndjekje penale për shkak të moshës, kurse tjetri do t’i nënshtrohet vlerësimit në mungesë të masës së sigurisë ndërsa po bëhen përpjekje për arrestimin e tij.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›