I grabisin 3 mijë euro në rrugë, pranga autorëve
PUKE - I grabisin 3 mijë euro të njohurit, me të cilët po udhëtonte në të njëjtin mjet. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:00 në vendin e quajtur "Qafë Çelë" në Pukë. I. Vasia ndodhej në makinë me dy të njohur të tij kur ata për motive ende të pakonfirmuara kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin. Dy personat, emrat e të cilëve për efekt të hetimeve nuk u bënë të ditur kanë ndaluar autoveturën, një "Benz" tip kabriolet dhe pasi i kanë marrë të gjitha paratë që Vasia kishte me vete, (3 mijë euro sipas denoncimit të tij) e kanë zbritur nga makina nën kërcënimin e armës. Pas kësaj ngjarjeje, Vasia ka njoftuar policinë duke kryer edhe denoncimin për grabitjen që i ishte bërë. Me të marrë informacion policia e Pukës është vënë në ndjekje të "Benz"-it dhe pas pak orësh ka mundur të zbulojë vendndodhjen e më pas të kryejë arrestimin e dy personave. Policia bëri të ditur se çështja akoma është në hetim e sipër dhe se po punohet për të përcaktuar rolin e secilit në këtë ngjarje. Sipas burimeve, ende nuk është e qartë se cilat kanë qenë rrethanat, që dy kushërinjtë e kanë grabitur dhe më pas e kanë zbritur Vasinë nga makina. r.d