Makina në greminë, vdesin burrë e grua
LIBRAZHD/ ALDO KOZARIA
Dy të vdekur dhe 3 të plagosur është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur dje në Librazhd. Ngjarja e rëndë, e radhës në rrugët e vendit tonë në këtë sezon vere, ndodhi mesditën e djeshme, në aksin rrugor Polis-Gurëshpatë. Një makinë tip-fuoristradë, në të cilën udhëtonin 5 persona, banorë të së njëjtës zonë, ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë. Në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë policia e Librazhdit, e cila transportoi për në spitalin e qytetit të plagosurit që ndodheshin në makinë. Porsa kanë mbërritur në spital mjekët konfirmuan se Hanushe Zaimi, rreth 52 vjeçe kishte ndërruar jetë përpara mbërritjes në urgjencë, pasi kishte marrë plagë të rënda. Ndërsa bashkëshorti i saj, 54-vjeçari Mustafa Zaimi ka ndërruar jetë në sallën e operacionit të spitalit të Librazhdit pasi kishte marrë plagë të shumta në kokë. Ndërkohë i plagosur nga ky aksident ka mbetur edhe drejtuesi i mjetit me targa gjermane, Saimir Prodani, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Librazhdit jashtë rrezikut për jetën. Nga ky aksident kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë që kanë qenë pasagjerë në mjet të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas variantit të Policisë Rrugore në Librazhd, por dhe konkluzioneve paraprake të nxjerra në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor, aksidenti ka ndodhur si pasojë e rënies në greminë dhe mjeti ka rrëshqitur afro 100 metra çka ka bërë që dy bashkëshortët të marrin plagë të shumta dhe të humbin jetën në mënyrë tragjike. Dy viktimat kishin marrë plagë të shumta, pasi gjatë rrëzimit kishin dalë nga mjeti, duke u përplasur në gurë. Nga hetimet e kryera të policisë rezulton se mjeti ka rënë në greminë, pasi drejtuesi i saj ka humbur kontrollin, në një zonë të vështirë rrugore. Zona ku ndodhi aksidenti është një zonë malore, e cila përbëhet nga rrugë të paasfaltuara dhe të ngushta çka mendohet të ketë qenë një tjetër faktor që ka shkaktuar këtë aksident tragjik. Ajo ndodhet më shumë se 19 km larg nga Librazhdi dhe çifti i bashkëshortëve kishte shfryëtëzuar këtë mjet për të mbërritur në qytet.
Ndaj drejtuesit të mjetit që i mori jetën dy bashkëshortëve si dhe plagosi dy të tjerë ka nisur çështja penale dhe akuza paraprake është ajo e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugorë me pasojë vdekjen. Që nga fillimi i këtij sezoni veror kanë humbur jetën në rrugët e Shqipërisë dhjetëra persona në aksidente të shkaktuar si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Forca të shumta të policisë kanë organizuar plane masash për të shmangur aksidentet, në një kohë kur numri i mjeteve në qarkullim është disa herë më i lartë se zakonisht për shkak të mbërritjes së shumë emigrantëve për të kaluar pushimet në vendlindje.