E Shtunë, 31 Tetor 2026

"I have a dream!"

Nga viti 1955 deri sa u vra, në vitin 1968, për trembëdhjetë vjet rresht, Martin Luter Kingu ishte udhëheqësi më i shquar i lëvizjes paqësore amerikane për të drejtat civile. Në kohën kur jetoi, u cilësua si udhëheqësi moral i kombit dhe, më pas, edhe si oratori më i madh amerikan i të gjitha kohëve. Fjalimet e tij, por edhe predikimet kishtare, kishin një forcë të jashtëzakonshme morale dhe emocionale.

Martin Luter Kingu u lind më 15 janar të vitit 1929, në qytetin Atlanta, të shtetit jugor Xhorxhia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një shtet ku dallimi racial manifestohej me egërsi. I vunë emrin e të atit dhe prandaj e quajtën Martin Luter King i Riu. I ati ishte predikues baptist. Ai i foli qysh herët djalit për dashurinë, dinjitetin dhe moralin, edhe pse do të rritej në një botë të mbrapshtë e me diskriminim racial. Edhe Kingu, si i ati dhe si gjyshi, mësoi për teologji, mbaroi Morehouse College, Seminarin Croser në Pensilvani dhe në Universitetin e Bostonit mbrojti doktoraturën për t‘u bërë doktor në filozofi. Në moshën 24-vjeçare u bë ministër baptist. U martua me Coreta Skot, muzikante, me të cilën pati katër fëmijë.

Kingu fillimisht u ndikua nga Thorou, ideatori dhe praktikuesi amerikan i mosbindjes civile, i cili predikoi mosbashkëpunimin me një sistem të keq, si dhe mosbindjen si detyrë e çdo qytetari ndaj çdo ligji që mendohej se nuk ishte i drejtë, si dhe nga Tolstoi, i cili, i nisur nga doktrina e krishterë, predikoi mospërdorimin e dhunës në asnjë rast.

Kingu dëgjoi për herë të parë të flitej për Gandin në seminarin teologjik "Croser". U mahnit mbas tij. Shkoi dhe bleu të gjitha librat që gjeti për të. Kuptoi se Gandi i çonte shumë më përpara doktrinat e Thorout dhe të Tolstoit dhe i vinte ato në jetë në mënyrë masive. Në vitin 1959 shkoi në Indi për t‘u njohur më nga afër me Gandin dhe me fushatat e tij të qëndresës civile.

Kingu e përshkruan kështu përshtypjen që i bëri njohja me Gandin dhe mësimin që mori prej tij: "Ndërsa lexoja, u mahnita nga fushatat e Gandit të qëndresës pa dhunë. Me futjen më thellë në filozofinë e tij, skepticizmi mbi forcën e dashurisë filloi të më pakësohej. Në këtë kohë fillova të shihja për të parën herë forcën e saj në reformat sociale. Mendoja se filozofia e ‘kthimit të faqes tjetër‘ dhe ‘e dashurisë për armikun‘ kishin vend vetëm midis individëve, por kur ishte puna për konflikte mes grupeve raciale apo kombeve, duhej një metodë më realiste. Pas leximit të Gandit, kuptova se isha i gabuar."

Revolta e parë e Gandit kundër mosbarazisë raciale filloi në trenin që do ta çonte nga Durbani në Pretoria, në Afrikën e Jugut, ndërsa revolta e parë e Kingut kundër po asaj mosbarazie filloi në një autobus. Dikur, në fëmijëri, kur Kingu po udhëtonte së bashku me mësuesin e tij, shoferi i urdhëroi të ngriheshin dhe t‘ua lëshonin vendin të bardhëve. "Unë vendosa të mos ngrihesha, -kujton Kingu, - por mësuesi më tha se duhej t‘i bindeshim ligjit. Kështu, ne u ngritëm dhe mbetëm në këmbë gjatë të gjithë udhëtimit që zgjati një orë e gjysmë. Ishte një natë që nuk mund ta harroja". Dhe ai nuk e harroi.

Në vitin 1955, ndërkohë që Kingu ndodhej në Montgomeri, një qytet në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shtetin Alabama, shpërthyen trazira për shkak të rregullave diskriminuese raciale në autobusët publikë. Këshilli Politik i Grave të qytetit bëri thirrje për bojkotimin e autobusëve. Udhëheqësit zezakë mbajtën mitingje proteste.

Kingu, në këtë kohë njëzetegjashtëvjeçar, u zgjodh President i "Asosacionit për Përmirësim të Montgomerit". Ai foli para rreth pesë mijë vetave, të cilët i porositi "Ju do të protestoni me kurajë, por me dinjitet dhe me dashuri të krishterë. Kur librat e historisë do të shkruhen në të ardhmen, historianëve do t‘u duhet të ndalen dhe të thonë: ka jetuar një popull i madh, një popull i zi, i cili injektoi kuptim dhe dinjitet të ri në venat e qytetërimit. Kjo është sfida dhe përgjegjësia jonë kryesore".

Afro një vit pas protestës, dallimi racor në autobusët publikë në Montgomeri u hoq. Kjo qe fitorja e parë për barazi racore.

Në vitin 1957, Kingu i kërkoi Presidentit Aizenhauer të organizonte një konferencë për të drejtat civile. Meqenëse Presidenti nuk shfaqi ndonjë interes, ai organizoi një "Pelegrinazh Lutjesh për Paqe", e cila çoi 37000 marshues në Memorialin Linkoln në Uashington.

Kingu në vitin 1961 iu përgjigj një kërkese për të ndihmuar në integrimin racor të parqeve publike në Albany, në qendrën administrative të Nju Jorkut. Ai shkoi aty për t‘u njohur me gjendjen, por u arrestua, pasi nuk iu bind kërkesës që të largohej. Pas kësaj, Kingu lajmëroi për një fushatë mosbindjeje civile në atë qytet por, kur afro 2000 persona e kthyen mosbindjen civile në një protestë të dhunshme, duke goditur policët me gurë dhe shishe, ai, njëlloj siç ka bërë Gandi në raste të ngjashme, kërkoi ‘Një ditë pendesë‘ dhe një javë lutje.

Në Detroit, në qershor të vitit 1963, Kingu udhëhoqi 125 000 njerëz në ‘Marshimin e Lirisë.‘ Marshuesve u foli për mosdhunën si një metodë efikase për të çarmatosur oponentin. Në këtë rast, si një idealist i vërtetë, ai tha: "Kur njeriu nuk ka zbuluar diçka për të cilën ia vlen të vdesë, nuk ka pse rron".

Në vitin 1963, Kingu planifikoi një marshim në Uashington për "Punë dhe Liri", në mënyrë që të ndihmonte të miratohej ligji për të drejtat civile. Para Memorialit të Linkolnit më 28 gusht 1963, u zhvillua mitingu më i madh i Martin Luter Kingut dhe më i madhi në historinë e protestave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë miting morën pjesë mbi 250 000 veta, prej të cilëve afro një e treta ishin të bardhë. Në atë miting Kingu mbajti fjalimin e tij të famshëm mbi ëndrrën e barazisë, vëllazërimit dhe lirisë, të titulluar ‘I Have a Dream‘, ‘Unë kam një ëndërr‘. Ky fjalim është cilësuar si më i bukuri i oratorisë amerikane i të gjitha kohëve. Në të bashkoheshin mendimi i lartë e plot shpresë i një njeriu liridashës për një botë më të mirë e më të drejtë dhe thirrja për t‘u përpjekur për atë botë, me stilin e predikimit kishtar protestant amerikan, i cili ka një forcë të jashtëzakonshme emocionuese.

Kur u vra Presidenti Kenedi, Kingu i tha së shoqes se edhe atë e priste i njëjti fat, sepse "kjo është një shoqëri e sëmurë". Në këtë kohë atë bashkë me të tjerë i arrestuan në Florida. Megjithatë, ai nuk e ndërpreu për asnjë çast aktivitetin e tij. Guximi i tij ishte i plotë. Ai nuk u step e nuk u tërhoq as kur i bombarduan shtëpinë, ku brenda ndodheshin gruaja dhe fëmijët, as kur i dërgonin herë pas here kërcënime për zhdukje dhe as kur agjentët e FBI-së amerikane e ndiqnin këmba-këmbës.

Në vitin 1964, në moshën 35-vjeçare, Martin Luter Kingut iu dha çmimi "Nobel për Paqe", duke qenë më i riu që e merrte atë çmim. Në marrjen e çmimit, në emër të lëvizjes, ai tha: "Është një mirënjohje e thellë për mosdhunën si përgjigje për çështjet e mprehta politike dhe racore të kohës sonë, si nevojë për njeriun që të mundë shtypjen, pa kaluar në dhunë". Të gjitha paratë që mori nga ai çmim, i vuri në shërbim të lëvizjes për të drejtat civile amerikane.

Komiteti i çmimit "Nobel", në akordimin e çmimit Martin Luter King-ut, deklaroi: "Ai ka qenë frymëzuar mbi të gjitha nga Mahatma Gandi, shembulli i të cilit e bindi se është e mundur të arrihet fitore edhe me një luftë pa armë."

Në vitin 1965, Kingu filloi një fushatë për të drejtën e votës së afro-amerikanëve në Selma, Alabama. U bënë mitingje masive në janar dhe në shkurt. Në fillim të marsit, ai lajmëroi për një marshim nga Selma në Montgomeri në të cilin do të merrnin pjesë rreth 2500 persona. Megjithëse guvernatori racist i Alabamës, Ualles, e ndaloi marshimin, Kingu i bëri thirrje popullit të qëndronte i palëkundur. Ai u bëri thirrje klerikëve në të gjithë vendin të merrnin pjesë në të. Një klerik nga Bostoni, u vra. Protestat u përhapën në të gjithë vendin. Shtëpinë e Bardhë e rrethuan rreth 4000 udhëheqës religjiozë për të kërkuar firmosjen e Ligjit të së Drejtës së Votës. Nga Presidenca pati inkurajim për lëvizjen. Në Alabama u dërguan trupat federale për të mbrojtur marshuesit. Më 21 mars marshuesit, rreth 50000 veta, arritën në Montgomeri.

Më 6 korrik 1966, udhëheqësi tjetër për barazinë racore, Jeims Meredith, u vra tek udhëhiqte një marshim në Misisipi. Kingu e vizitoi atë në spital dhe më pas e zëvendësoi në marshim. Në protesta, krahas të zinjve, merrnin pjesë edhe të bardhë. U kërkua që të bardhët të largoheshin nga protestat. Kingu kundërshtoi. Protestat duhej të mbeteshin ndëracore.

Kingu u bënte thirrje të gjithëve të merrnin pjesë në protesta dhe të luftonin indiferencën. Në raste të ndryshme, në fjalimet e tij ai shprehej: "Shpresa për një jetë të sigurt e të pëlqyeshme ndodhet te jokonformistët e disiplinuar që u janë dedikuar drejtësisë, paqes dhe vëllazërimit", se "jeta jonë fillon të mbarojë, ditën që heshtim për gjërat e rëndësishme" dhe se "cenimi i drejtësisë diku është kërcënim i drejtësisë kudo".

Nga presionet e protestave, më 2 korrik 1964 u nënshkrua Ligji i të Drejtave Civile, i cili ndalonte diskriminimin në vendet publike, në shkolla e në punë. Më pas, më 6 gusht 1965 u nënshkrua edhe Ligji i të Drejtës së Votës më të cilin hiqeshin dallimet raciale në votime.

Lëvizja e Kingut po arrinte suksese, por probleme mbeteshin. Kingu do të vazhdonte të luftonte për to, pa marrë parasysh vështirësitë dhe kundërshtitë qoftë racore e qoftë shtetërore.

Sot, kur shikon se nga kandidatët kryesorë për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një i zi, apo një grua, të duket se është një gjë krejt normale, se ka qenë gjithnjë ashtu. Në të vërtetë e drejta e votës për të gjithë, është një ngjarje e vonshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur u hartua Kushtetuta e parë amerikane, në vitin 1787, e drejta e votës iu dha rreth 16 për qind të popullsisë së bardhë - meshkujve pronarë të mëdhenj. Gjatë dy shekujve të mëpasshëm u bënë ndryshime të herëpashershme për të ardhur në gjendjen e sotme. Në kohën që luftonte Kingu, në Amerikë demokracia zhvillohej ende në kushte segregacioni. Të zinjtë nuk kishin të drejtë vote, ndërsa gratë e bardha kishin vetëm 45 vjet që e kishin fituar atë të drejtë, gati njëkohësisht kur e kishin fituar edhe gratë shqiptare, pikërisht në vitin 1920. Rregullat raciale në shumë shtete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndalonin të zinjtë të përdornin të njëjtat mjedise publike me të bardhët. Në shumë prej tyre vendoseshin tabela me të cilat u bëhej e qartë qytetarëve se në to ndalohesh të hynin qentë dhe të zinjtë, apo edhe çifutët.

Shumë nga pjesëmarrësit e protestave kërkonin përdorimin e mjeteve të dhunshme për të arritur fitoren, por Kingu vazhdoi rrugën e Gandit. Në librin e tij "Hapa drejt lirisë," ai shkruan: "Kam theksuar se përdorimi i dhunës në luftën tonë do të jetë njëkohësisht jo praktik dhe imoral. Të përballosh urrejtjen me urrejtje, nuk bën gjë tjetër vetëm se forcon e zgjat ekzistencën e së keqes në botë. Urrejtja lind urrejtje, dhuna lind dhunë, egërsia lind egërsi. Ne duhet t‘i përballojmë forcat e urrejtjes me ato të dashurisë. Ne duhet të përballojmë forcën fizike me forcën e shpirtit. Qëllimi ynë nuk duhet të jetë mundja apo turpërimi i njeriut të bardhë, por fitimi i miqësisë dhe i mirëkuptimit të tij."

Kingu kritikoi ashpër dhe hapur luftën amerikane në Vietnam dhe, për ta ndaluar atë luftë, ai kërkoi mosbindje civile. Kritika e luftës në Vietnam u bë fatale për të. Lufta shihej si një problem i qeverisë, ndërsa dallimet racore shiheshin si problem i shoqërisë. Qeveritë amerikane të asaj kohe mund edhe të pranonin kritika për dallimet racore dhe mund të lejonin ndryshime për to, por nuk mund të pranonin kritika për luftën në Vietnam dhe nuk mund të hiqnin dorë prej saj. Në raste të ngjashme, personat që kritikonin politikën qeveritare amerikane janë cilësuar si antipatriotë, si komunistë apo si imoralë. Po kështu u cilësua edhe Martin Luter Kingu.

Më 3 prill 1968, Kingu u thirr në Memfis, në Tenesi, për të ndihmuar në një grevë të punëtoreve të pastrimit. Ai u foli rreth 2000 personave dhe u deklaroi mbështetje për çështjen e tyre. Atë natë Kingu mbajti një fjalim në të cilin, duke aluduar për një vdekje të shpejtë tha se, ndonëse do të donte, si të gjithë të tjerët, të kishte një jetë të gjatë, preokupimi i tij kryesor nuk ishte zgjatja e jetës, por përmbushja e vullnetit të Zotit; se ai nuk do të arrinte të shihte të realizuara të gjitha qëllimet për të cilat qe përpjekur, por të tjerët, me siguri, do t‘i shihnin. Të nesërmen, më 4 prill 1968, ai u qëllua dhe u vra tek bisedonte me shokë të tij në ballkonin e dhomës së motelit. Thuhet se ka shumë gjasa që të jetë vrarë nga autoritetet zyrtare amerikane të FBI-së, jo vetëm për telashet që u solli me protestat për drejtësi e për barazi racore por, sidomos, për kritikat ndaj luftës amerikane në Vietnam, kritika të cilat ishin shumë të forta, shumë ndikuese dhe shumë përhapëse.

Sot Martin Luter Kingu nderohet dhe për të është caktuar, që nga vitit 1983, edhe një festë zyrtare në kalendarin e festave amerikane. Në një sondazh televiziv që u zhvillua në vitin 2005, për të përcaktuar njerëzit më të mëdhenj të Amerikës për të gjitha kohët, Martin Luter Kingu, u rreshtua i treti pas presidentëve Regan dhe Linkoln. Martin Luter Kingu do të mbahet mend jo vetëm si personi që u vu në krye të protestave pa dhunë për të drejta shoqërore dhe që arriti fitore me to, por sidomos për predikimet dhe fjalimet e tij të shquara jo vetëm për nga bukuria dhe nga emocionet që krijonin por, sidomos, nga morali dhe nga të vërtetat që përmbanin.

Kingu ishte më i madhi qëndrestar civil pas Gandit dhe më i ngjashmi me të: po aq orator (në mos, edhe më shumë); po aq idealist, po aq pasionant, po aq aktiv, po aq i palëkundshëm, po aq i dhunuar, po aq i suksesshëm, po aq ndikues, po aq mendimtar dhe veprues, po aq i kërcënuar; për fat të keq, njëlloj si Gandi - i vrarë me atentat. Të dy kanë luftuar së bashku me gratë e tyre në të gjitha përpjekjet për vendosjen e drejtësisë dhe barazisë. Mjerisht, gruaja e Gandit vdiq si e burgosur, ndërsa gruaja e Kingut e gjallë dhe e vdekur u nderua nga qeveritë e mëpasshme amerikane si pak gra të tjera të shquara. Gandi ishte një politikan që kërkonte të bëhej shenjt, Kingu ishte një shenjt që përpiqej të bëhej politikan. Të dy ishin shumë fetarë dhe e shfrytëzuan besimin fetar si element bazë në politikën e tyre në ndikimin te masat, në ndërgjegjësimin e tyre për të drejtat që u takonin dhe në kryerjen e detyrave me devocion fetar. Të dy e kishin parandier vdekjen e dhunshme dhe ishin të përgatitur për të. Ashtu sikundër stërvitja për dhunë të mëson si të vrasësh, stërvitja për mosdhunë e ka të domosdoshme mësimin se si të vdesësh. Të dy e kishin thyer frikën. Të dy luftuan për barazinë e njerëzve, pavarësisht nga raca, apo dallime të tjera. Të dy u shquan si udhëheqës që në moshë të re, Gandi njëzetekatërvjeçar e Kingu njëzetegjashtëvjeçar. Të dy u përmbaheshin parimeve më të larta morale. Të dy lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit dhe të dy zunë vende nderi në hierarkinë e njerëzve të shquar. Për çudi, të dy dolën nga popuj të racave pak të vlerësuara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›