Pranga grekut, po trafikonte katër kg drogë
Një taksist grek ka përfunduar në prangat e policisë shqiptare, pasi është kapur duke trafikuar 4 kilogramë drogë. Jorgos Papallaqis është kapur në Kakavijë, duke tentuar të kalojë kufirin me mjetin e tij, ndërkohë që drogën e kishte fshehur brenda saj. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se rreth orës 08:30 të ditës së djeshme, në Pikën Kufitare të Kakavijës, gjatë kryerjes së një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale të Gjirokastrës dhe agjentëve të policisë të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, u bë ndalimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Jorgos Papallaqis, 40 vjeç, lindur e banues në Athinë. "Arrestimi i tij u bë pasi në autoveturën e tij, me targë YIY2654, teksa lëvizte për në drejtim të Greqisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 4 kg lëndë narkotike, e dyshuar marijuanë", detajoi më tej zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas tij, grupi hetimor kreu gjithë veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, nën akuzën për veprën penale "trafikim i lëndëve narkotike".