Ndërron jetë një 6-vjeçar i plagosur
Ka ndërruar jetë në spitalin e Brindizit 6-vjeçari i plagosur nga tragjedia e Gërdecit. Sipas mjekëve, Edison Durda kishte plagë të rënda në 70% të trupit. Fëmija ka shtuar numrin e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, që shkaktuan një tronditje të rëndë jo vetëm për banorët e asaj zone, por për të gjithë shqiptarët. Burimet mjekësore thanë dje se një nga 16 të plagosurit e transportuar në Itali ndërroi jetë, duke e çuar në pesë numrin e personave që humbën jetën, pasi u transportuan jashtë vendit për trajtim më të specializuar mjekësor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Edison Durda, 6 vjeç, ndërroi jetë në Bari, Itali, si pasojë e plagëve të rënda në trup nga ngjarja e 15 marsit, në Gërdec të Vorës. Katër pacientët e parë që humbën jetën në Itali janë Azem Ameliu, 46 vjeç, i cili ndërroi jetë më datë 17 mars; Nafie Laçi, 37 vjeçe, më 23 mars; Kore Deliu, 48 vjeçe dhe Zylfie Ahmeti 54 vjeçe, më 25 mars.