E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet galeria, vdes një minator në Martanesh

Një aksident i rëndë në Minierën e Kromit të Batër-Martaneshit i ka marrë jetën një tjetër minatori dje. Minatori Haki Kocja, 45 vjeç, ka gjetur vdekjen rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, pak para se të ndërroheshin turnet. Burimet nga vendi i ngjarjes thanë se minatori 45-vjeçar u mbulua nga një masiv kromi i shkëputur nga tavani i galerisë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Burrelit nga shokët e turnit, por dha jetë pa arritur ende në sallën e reanimacionit. Haki Kocja punonte prej disa vitesh në një nga galeritë e privatizuara të ish-minierës shtetërore të Batër-Martaneshit. Ky është aksidenti i dytë me vdekje në këtë minierë në harkun kohor të një muaji. 30 ditë më parë, më 5 mars, humbi jetën teksa po punonte në një nga galeritë e nxjerrjes së mineralit të kromit në Thekën të Martaneshit 38-vjeçari Përparim Haslika, i cili la katër fëmijë jetimë. Aktualisht në zonën krommbajtëse të pellgut të Batër-Martaneshit operojnë 40 firma private, kryesisht nga kjo zonë. Duke marrë parasysh konjukturën mjaft të favorshme aktuale të shitjes së kromit, aktiviteti i këtyre firmave rezulton të jetë mjaft fitimprurës. Por, baza materialo-teknike, si dhe personeli inxhiniero-teknik pothuajse mungojnë fare. Inxhinierët e minierave për shfrytëzimin e këtyre galerive janë virtualë, pasi ekzistojnë vetëm në letra. Po kështu, drejtuesit e këtyre firmave nuk i lidh asgjë me punën në minierë. Në të tilla kushte, as që mund të bëhet fjalë për plotësim të kushteve të sigurisë në punë për minatorët. Kështu, nëse në Minierën e Bulqizës kërkohen investime për kushte më të mira pune dhe siguri, në Martanesh kërkohet në radhë të parë personel inxhiniero-teknik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›