E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA prangos të shumëkërkuarin fierak

Një i shumëkërkuar për dy vrasje dhe i dyshuar për vrasje të tjera është prangosur ditën e djeshme nga forcat speciale RENEA. Operacioni për kapjen e tij është zhvilluar në një zonë të kryeqytetit, ku Agim Boriçi fshihej prej kohësh. Bashkë me të kërkuarin, në pranga ka rënë edhe Sabri Sallaku, i cili dyshohet se ka përkrahur të dënuarin për dy vrasje dhe një plagosje. Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se nën drejtimin e Departamentit për Hetimin e Krimeve, forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe atë të Fierit, kanë përfunduar operacionin e koduar "ULPJANA", për kapjen dhe arrestimin e personit të shumëkërkuar, Agim Boriçi, 36 vjeç, lindur e banues në Fier, i dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim. Ky vendim është dhënë ndaj tij për vrasjen e shtetasit Ervin Gjini, ngjarje e ndodhur më datë 12 prill 1994, vrasjen e Edmond Zefit, ngjarje e ndodhur më datë 05 qershor 1998, si dhe plagosjen e Agim Mulajt. "Gjithashtu, ky person është i dyshuar edhe si autor i disa veprave të rënda penale të ndodhura në Qarkun e Fierit", deklaroi policia, e cila shtoi se bashkë me të arrestuarin u prangos edhe Sabri Sallaku, 42 vjeç, lindur e banues në Tiranë, për përkrahje të autorit të krimit. Boriçi qëndronte me qira në banesën e Sallakut, i cili ka deklaruar në polici se nuk ishte në dijeni të krimeve që kishte kryer i kërkuari. Sipas të dhënave, aktiviteti kriminal i Boriçit mendohet se ka nisur që në fëmijëri. Sipas dosjes së këtij personi, pas marrjes së dënimit nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, çështja e Boriçit është dërguar për në shkallën e dytë të gjykimit e pikërisht në Gjykatën e Apelit Vlorë. Po këto burime tregojnë se për dy vrasje ai është autori kryesor i tyre, ndërkohë që një tentativë e tretë ka përfunduar me plagosje të objektit të ekzekutimit. Në vitin 1994 ai ka ekzekutuar Ervin Gjinin me tri plumba pistolete. Ngjarja në fjalë është shënuar në afërsi të Shkollës Rajonale të Muzikës, ish-pedagogjikja në ato vite. Në dosjen e kësaj ngjarjeje është shënuar se Agim Boriçi ka dalë prej një lokali aty pranë dhe sapo ka parë 27-vjeçarin ka qëlluar mbi të dhe është larguar me një motoçikletë, me të cilën qarkullonte në ato vite. Falë motoçikletës dhe dy dëshmive është bërë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimi i autorit. Sipas burimeve policore, për vrasjen e Gjinit motivi ka qenë një pazar për trafik droge. Por, katër vjet më vonë, jo shumë larg vendit të ekzekutimit të parë, Agim Boriçi vret me pistoletë Edmond Zefin, si dhe plagos rëndë Agim Mulën. Ngjarja ka ndodhur në pallatin që ishte në ndërtim e sipër të këtij të fundit, i cili ndodhej shumë pranë vilës disakatëshe dhe të fortifikuar të dinastisë Boriçi. Mësohet se motiv i kësaj vrasjeje të dyfishtë është bërë përplasja për pronën. Për të dyja këto ngjarje, policia e Fierit ka hapur dosje, por nuk ka mundur që të identifikojë qysh në fillim autorin. Rihapja e dosjeve të mbartura në vitet e mëparshme, në vitin 2000 solli për proces hetimi edhe këto ngjarje. Pas një hetimi 1-vjeçar, policia e Fierit arrin që të nxjerrë si të dyshuar Agim Boriçin. Në këtë vit ai prangoset për t‘u lënë i lirë disa muaj më vonë, kur për mungesë provash të mjaftueshme akuzat ndaj tij rrëzohen. Burimet policore tregojnë për "Shqip" se tri herë është ndaluar prej policisë 36-vjeçari Boriçi, ndërsa është lënë i lirë sërish, ndërkohë që rasti i katërt që është shënuar në orët e para të mëngjesit të së enjtes ka qenë përfundimtar për të, pasi ekzaminimet e ADN-së që kanë ardhur nga Anglia çuan emrin e tij në VIP-at e kërkuar të Fierit.

Fier, pesë operacione

për arrestimin e Boriçit

Për ndalimin e Boriçit, policia e Fierit ka kryer më shumë se pesë operacione të blinduara, të cilat kanë dështuar. Operacionet e fundit kanë qenë dy javë më parë, kur në aktivitetin e tij privat dhe pranë shtëpisë policia fierake dëshmoi forcën e kontrollit dhe në përbërje të saj kanë qenë edhe efektivë të shumtë të RENEA-s. Por, tashmë arrestimi i tij ka sjellë "festë" në polici. Menjëherë pas informacionit të prangosjes së 36-vjeçarit, krerët më të lartë të Drejtorisë së Policisë së Fierit, si drejtori, nëndrejtori, kreu i krimeve të organizuara, ai i antiterrorit e mjaft të tjerë, kanë festuar në një nga baret pranë institucionit. Duket se hareja e tyre që ka kaluar me pije të shtrenjta kishte të bënte jo me faktin e arrestimit të një të kërkuari, por me lodhjen e tyre në operacionet e përsëritura disa herë, të cilat nuk vunë dot në pranga të kërkuarin për vrasje. Boriçi konsiderohej si pika e fortë e disa bizneseve në Fier. Ai ruante një mbështetje të shumë prej tyre, ndërsa sipas policisë, ai mund të jetë i dyshuar edhe për vrasje të tjera të cilat kanë mbetur pa autor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›