E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", shoqërohen 7 të dyshuar dhe tre dëshmitarë

Shtatë persona janë shoqëruar nga policia, pasi janë kapur pranë kraterit të shpërthimit në Gërdec dhe dyshohen se vidhnin mbeturina municionesh për t‘i shitur për skrap. Por, nga ana tjetër, avokati i shoqatës për kompensim të banorëve të Gërdecit, Bledar Skënderi, ka deklaruar se ata janë anëtarë të kësaj shoqate dhe janë keqtrajtuar në polici. Kjo e fundit e ka mohuar një fakt të tillë, pavarësisht se ka deklaruar se veç këtyre shtatë personave, janë shoqëruar edhe tre të tjerë, të cilëve u janë marrë deklaratat në lidhje me shpërthimin e 15 marsit. Paraditen e djeshme, Skënderi ka deklaruar se uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat shtatë anëtarë të Shoqatës për Kompensim të Gërdecit. Sipas tij, shoqërimi i tyre ishte bërë që në orët e paradites në Komisariatin e Kombinatit. Avokati i shoqatës, Bledar Skënderi, është shprehur se shtatë anëtarët e shoqatës përfaqësonin familjet e Gërdecit pas shpërthimit tragjik të 15 marsit. Fillimisht u tha se shtatë anëtarët e shoqëruar ishin banorë të Gërdecit. Gjithashtu u deklarua se policia kishte marrë shenjat e gishtave të anëtarëve të shoqëruar, ndërsa këta të fundit janë ankuar për keqtrajtim. Por, në orët e pasdites, policia ka deklaruar se strukturat policore të Komisariatit të policisë Nr. 6 kanë shoqëruar për në ambientet e komisariatit tre persona për të sqaruar dhe treguar rrethanat e dobishme për hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Sipas policisë, ata janë shtetasit Shefki Selam Sefaj, 35 vjeç, banues në fshatin Gërdec, Gëzim Selman Gjoni, 48 vjeç, banues në Bashkinë Vorë dhe Ilir Halit Ramollari, 33 vjeç, banues në Valias. Sefaj është edhe një nga dëshmitarët kryesorë të ngjarjes, i cili shpesh herë ka folur në media, duke shpjeguar si funksiononte puna në fabrikën e armëve. Duke pretenduar se dinte shumë fakte nga tragjedia, policia ka menduar për shoqërimin e tij për të deklaruar për grupin hetimor mbi të dhënat që ndihmojnë hetimin e mëtejshëm të çështjes. Policia tha zyrtarisht se ata janë marrë në pyetje në lidhje me sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes së datës 15 mars 2008 dhe aktualisht janë të lirë. Ndërkohë, policia shtoi se janë kapur dhe shoqëruar nga shërbimet policore edhe shtatë persona të tjerë. "Ata janë kapur në flagrancë shumë pranë zonës së perimetrit ku kanë ndodhur shpërthimet, për të cilët dyshohet se kanë vjedhur mbeturina të municioneve dhe mbetje të predhave, me qëllim përpunimin e tyre për skrap, gjë e cila përbën rrezik për jetën e tyre dhe të komunitetit përreth", deklaroi Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas grupit hetimor, ndaj tyre po kryen të gjitha veprimet hetimore për të filluar çështja penale, për konsumim të veprës penale të vjedhjes. "Ndër të shoqëruarit janë tre të miturit A. T., 11 vjeç; T. P., 12 vjeç dhe D. K., 17 vjeç, banues në Spitallë, Durrës. Veç tyre u shoqëruan edhe Xhavit Myftar Tanushi, 44 vjeç; Qerim Bajram Preza, 51 vjeç; Veli Sulejman Nazia, 43 vjeç dhe Besim Bajram Preza, 45 vjeç, të gjithë banues në fshatin Sukth. Shtetasit e lartpërmendur, pas marrjes në pyetje do t‘i dorëzohen grupit të posaçëm të hetimeve.

Dëshmitarët

Shefki Sefaj

Gëzim Gjoni

Ilir Ramollari

Të dyshuarit

Xhavit Tanushi

Qerim Preza

Veli Nazia

Besim Preza

Tre të mitur



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›