Kosta Trebicka thirret në prokurori
Kosta Trebicka, biznesmeni që denoncoi aferat korruptive në tregtinë e armëve, është thirrur dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime nga organi i akuzës thanë dje në mbrëmje se Kosta Trebicka është marrë në pyetje si person që ka dijeni mbi trafikun e dyshuar të municioneve nga depot e ushtrisë shqiptare. Trebicka është marrë në pyetje nga tre prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka dhënë informacione për kontratën e lidhur mes kompanisë shtetërore shqiptare MEICO dhe kompanisë amerikane AEY. Mësohet se Trebicka ka dhënë detaje të hollësishme për mënyrën se si ishte planifikuar të lëviznin dhe të paketoheshin municionet, deri në momentin që kompania e tij u nxor jashtë loje. Ai ka sqaruar para prokurorëve edhe skemën sipas të cilës ai mendon se abuzohej me çmimin e municioneve që shkonin për në Afganistan dhe Irak. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë me dije se biznesmeni Kosta Trebicka do të thirret edhe sot në prokurori, për t‘u marrë në pyetje nga të njëjtët prokurorë.
Trebicka mendohet të luajë një rol të rëndësishëm në zbardhjen e akuzave për trafik të municioneve të vjetra kineze të ushtrisë shqiptare. Telefonatat e regjistruara prej tij janë depozituar tashmë në dosjen e hetimit për trafikun e armëve, ndërkohë që dëshmitë dhe dokumentacioni që ai disponon konsiderohen të një rëndësie të veçantë nga hetuesit.