E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë, forca speciale për të shpërndarë protestën e fshatarëve

Përplasja Banorët e Picrragës bllokuan hyrjen e fabrikës së çimentos. Duan dëmshpërblim

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Policisë së Krujës kanë ndërhyrë për të shpërndarë banorët e Picrragës, që kanë shpeshtuar protestat e tyre ndaj fabrikës së çimentos “Titan”. Dhjetëra banorë të fshatit Picrragë të Rrethit të Krujës janë hedhur sërish në protestë mëngjesin e djeshëm, duke bllokuar hyrjen e fabrikës së çimentos, që është ngritur nga një kompani greke. Protestuesit nuk i kanë lejuar punonjësit dhe automjetet e fabrikës të hyjnë brenda ambienteve të saj dhe të vazhdojnë punën. Kjo ka bllokuar aktivitetin normal të fabrikës, drejtuesit e së cilës kanë njoftuar autoritetet policore për të ndërhyrë dhe zhbllokuar situatën e nderë me kosto për fabrikën. është dashur ndërhyrja e forcave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe atyre të policisë lokale për të larguar banorët e Picrragës, që janë ulur në hyrje të fabrikës, duke krijuar një barrikadë njerëzore. Fshatarët kërkojnë dëmshpërblim për tokën nga firma greke, e cila ka ndërtuar fabrikën e çimentos pas një marrëveshjeje paraprake të bërë mes tyre. E megjithëse marrëveshja ekziston, protestuesit akuzojnë firmën greke për mosrespektim të saj, ndërsa fabrika ndikon negativisht dhe në mjedis e shëndetin e tyre. Protestat e banorëve kanë ardhur duke u shpeshtuar, pasi në asnjë rast nuk kanë marrë përgjigje konkrete për zgjidhjen e situatës dhe zbatimin e kontratës. Protestuesit kërkojnë dhe ndërhyrjen e pushtetit vendor për të zgjidhur situatën e krijuar mes palëve. Ndërkohë, burime policore bënë të ditur se forcat do të vazhdojnë të ndërhyjnë në shpërndarjen e protestuesve që bllokojnë aktivitetin e fabrikës, për aq kohë sa këto protesta janë grumbullime dhe tubime të paligjshme. Pak ditë më parë, katër banorë të fshatit Picrragë u proceduan penalisht dhe janë nën hetim për këtë vepër penale. Protestat janë konsideruar të paligjshme dhe ndaj katër personave që dyshohet se i organizojnë këto tubime ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për grumbullime dhe tubime të paligjshme. Nën akuzë janë vënë H.M. 50 vjeç, F.S. 35 vjeç, Sh.M. 69 vjeç dhe M.S. 45 vjeç, të gjithë nga Picrraga. Hetimet e mëtejshme mbi çështjen e nisur do të ndiqen nga Prokuroria e Rrethit të Krujës. Ndërkohë banorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre, në mbrojtje të asaj që u takon dhe mjedisit e shëndetit që cenohet bindshëm nga veprimtaria e fabrikës së çimentos.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›