KE nis monitorimin në terren për vizat
Komisioni Europian nisi dje në Shqipëri një grup ekspertësh europianë, të cilët do të monitorojnë nga afër progresin që Shqipëria ka bërë për liberalizimin e vizave. Ekspertët e mbërritur në Tiranë, ashtu siç është paralajmëruar, do të vlerësojnë elementët e tre kritereve të përcaktuara për heqjen e vizave. Bazuar në rekomandimet e Bashkimit Europian, ekspertët do vlerësojnë nëse janë rritur kapacitetet për zbatimin e ligjit, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për sekuestrimin e pasurive kriminale. Gjatë vizitës së tyre, pritet të ketë inspektime të rrepta për sa i përket ngritjes së njësive të reja nga ana e qeverisë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe emigracionit ilegal nga Shqipëria. Pas fazës së mbledhjes së informacionit, të dhënat e ekspertëve do t’u kalojnë zyrtarëve të BE-së, që do të përpilojnë në shtator një raport nëse Shqipëria dhe Bosnja plotësojnë kushtet për të fituar liberalizimin e vizave. Sipas procedurave të BE-së, nëse ekspertët do të japin një vlerësim pozitiv, vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare. Përfaqësuesit e lartë të mazhorancës kanë theksuar se shqiptarët do të mund të udhëtojnë pa viza në fund të këtij viti në zonën Shengen të Europës.
#