Policia parandalon vrasjen në plazhin e Velipojës
Policia e Shkodrës ka parandaluar një vrasje dje, duke vënë në pranga personin që dyshohej se do ta kryente atë. Burime zyrtare të policisë njoftuan dje për arrestimin e 42-vjeçarit Besnik Brahimi në plazhin e Velipojës, për të cilin kishte dyshime të forta se mund të kryente një vrasje pas një debati të rëndë që kishte bërë pak minuta para se të kapej në zonën e plazhit. Sipas policisë, falë marrjes në kohë të informacionit është ndërhyrë duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Besnik Brahimi dhe sekuestrimin e një arme zjarri automatik me një krehër me fishekë. Sipas policisë, Brahimi kishte debatuar në qendër të plazhit Velipojë me një person me iniciale D.H. dhe më pas e ka kërcënuar atë me jetë. Pas marrjes së këtij informacioni, agjentët e policisë kriminale janë vënë në gjurmë të kërcënuesit dhe pak minuta më pas kanë arritur ta ndalojnë atë, ndërsa përgatitej të kthente në realitet kërcënimin me jetë ndaj personit me të cilin kishte pasur konflikt. Në automjetin e Brahimit është gjetur një automatik kallashnikov me një krehër me fishekë, të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia ka sekuestruar gjithashtu edhe makinën e të arrestuarit, i cili akuzohet për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
#