I ikin datës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk foli të mërkurën për datën e rivotimit në Prizren dhe Lipjan.
Ndonëse e kishte paralajmëruar një ditë më parë se do ta shqyrtojë një plan operacional të fazave përgatitore, në mbledhjen e së enjtes nuk doli as plani as debati për datën.
Në mbledhjen e radhës së KQZ-së, pika e vetme e rendit të ditës ishte shpallja e rezultateve përfundimtare nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune për 18 komuna.
Sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në 8 komuna, përkatësisht në Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë, Rahovec, Vushtrri dhe Malishevë.
Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq, kanë fituar në 5 komuna: Istog, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq dhe Podujevë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës radhitet e treta me fitore në Pejë, Suharekë dhe Junik.
Në Shtërpcë u konfirmua rezultati preliminar duke e shpallur fitues kandidatin nga Partia Liberale Serbe, sikurse në Han të Elezit, ku përfundimisht shpallet fitues kandidati i pavarur Refki Suma.
Rezultatet u miratuan po në këtë mbledhje dhe pritet certifikimi i tyre nga kryetarja Nesrin Lushta.
“Sot kemi marrë informatë nga KZAP’i, të gjitha ankesat dhe parashtesat për zgjedhjet lokale të 13 dhjetorit 2009, të pranuara nga KZAP-i dhe që do të kishin ndikim në rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të komunave janë shqyrtuar dhe vendosur sot më 24 dhjetor nga KZAP-i. Ndërsa shkresa e dyte vjen nga Gjykata Kushtetuese, ku thotë se në përgjigjen e shkresës suaj ju njoftojmë se deri në momentin e shkrimit të kësaj përgjigje në orën 14.30 të 24 dhjetorit 2009 në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nuk ka ardhur asnjë kërkese lidhur me votimin dhe numërimin që do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetar të komunave”, ka thënë Lushta.
E vetmja datë që ka dalë deri më tani si më e mundshmja për përsëritjen e votimeve në Prizren dhe Lipjan është 24 janari.
Aq kryesuesja e KQZ’së, Nesrin Lushta e as kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ’së, Xhemajl Peqani nuk kanë pranuar të flasin rreth çështjes së datës.
Por, më herët gjatë ditës, Peqani i kishte deklaruar Radio Kosovës se Sekretariati e ka të gatshëm planin e vet, në të cilin, sipas tij, janë të përfshira të gjithë specifikat e mbajtjes së zgjedhjeve.
Sido që të jetë, ai nuk ka treguar sa kohë nevojitet të realizohet dhe për implikimet buxhetore që mund të ketë ky plan.
Megjithëse plani përfshin zgjedhjet vetëm për Prizrenin dhe Lipjanin, Peqani tha se nëse do të ketë përsëritje të votimeve edhe në Gjilan zgjedhjet do të mbahen në të njëjtën datë në të tri komunat.
KQZ i ka shprehur mirënjohjen e vet për angazhimin e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ambasadorit Christopher Dell dhënë KQZ’së gjatë tërë procesit organizativ të Zgjedhjeve Lokale të vitit 2009, thuhet në një komunikatë të këtij institucioni të lëshuar një ditë pasi Ambasadori Dell kërkoi përsëritjen e votimeve edhe në Gjilan.
Sipas KQZ’së, përkrahja e vazhdueshme dhe permanente e Ambasadorit Dell, është dhe mbetet inkurajim i plotë për punën e mëtejme të KQZ’së gjatë të gjitha fazave të ndjeshme të këtij procesi në implementimin e plotë të vullnetit të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Konsultat profesionale dhe përgjithësisht këshillimeve të ekspertëve që na janë dhënë, jemi mirënjohës dhe kemi respekt të fuqishëm për z. Dell dhe stafin e Ambasadës së SHBA’ve në Prishtinë. Në këtë proces të ndjeshëm, do të jemi të palëkundshëm në shkëmbimin e të gjitha eksperiencave dhe këshillave reciproke për të tejkaluar sfidat eventuale në dobi të demokracisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë deklaratë.
Sipas KQZ’së, deklaratat dhe komentet e disa mediumeve të shkruara “nuk përkasin me realitetin objektiv të angazhimit të KQZ’së”.
“Ne edhe më tutje do të mbetemi besnikë në implementimin e vullnetit të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në këtë deklaratë.