PDK-LDK, tejkalojnë mosmarrëveshjet

Dy partnerët e koalicionit kanë arritur marrëveshje për miratimin e buxhetit të vitit 2010 dhe procedimin e shpejt të Ligjit për Prishtinën.
Kjo është bërë e ditur pas mbledhje së fundit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila është mbajtur të enjten.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë pas takimit se janë marrë vesh me shefat e grupeve parlamentare për procedimin e buxhetit të shtetit për miratim në seancën e fundit për këtë vit.
“Komisioni për buxhet dhe financa, ku marrin pjesë të gjitha grupet politike, janë dakorduar dhe e kanë bërë raportin me rekomandim. Unë shpresoj së ky ligj do të miratohet më 29 dhjetor të vitit 2009”, ka thënë Krasniqi.
Sa i përket kushtëzimit të LDK’së me procedimin e Projektligjit për Prishtinën, Krasniqi ka thënë se edhe ai projektligj do të vijë në Kuvend dhe do të procedohet sipas procedurave të rregullta të Kuvendit.
Këtë e ka konfirmuar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se nuk do të ketë kushtëzim sa i përket miratimit të buxhetit.
“Natyrisht që në një procedurë të shpejtë do të kërkojmë si Grup Parlamentar, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit që të miratohet sa më shpejt, në mënyrë që kur të konstituohet asambleja komunale dhe kur të fillojë të fuqizohet mandati i dytë i Isa Mustafës si Kryetar, ligji të jetë i gatshëm dhe të fillojë të zbatohet në kryeqytet”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, Shefi i Grupit Parlamentar i AAK’së, Ardian Gjini, ka thënë se partia e tij nuk do ta miratojë projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010, pasi aty nuk arsyetohen qindra miliona euro.
“Ne si Aleancë përfundimisht nuk e votojmë buxhetin e Kosovës. Buxheti i Kosovës është i keq. Mendojmë se viti 2010, nëse ne nuk do të jemi shumë të kujdesshëm, me këto që sot planifikohet të ndodhë, vitin 2010 do të jetë vit shumë i vështirë për Kosovën”, deklaroi Gjini.
As Partia e Behgjet Pacollit nuk do ta votojë buxhetin e Kosovës.
Nënkryetari i AKR’së, Ibrahim Makolli, ka thënë se partia e tij nuk do ta votojë buxhetin e shtetit, pasi nuk siguron zhvillim ekonomik për Kosovën.
“AKR’ja nuk do ta votojë projektbuxhetin e vitit 2010, jo pse është parti opozitare, por sepse ky buxhet është i varfërisë, i koncentruar në disa zona dhe nuk garanton zhvillim ekonomik”, ka thënë Makolli.
Edhe në seancën e fundit të Kryesisë është diskutuar për kontrollin e qeverisë mbi Kuvendin.
Sipas Kryeparlamentarit Krasniqi, qeveria në një formë apo tjetër e përcakton agjendën e Kuvendi në shumicën e vendeve, pasi ekzekutivi më shumë se 90 për qind e ligjeve i procedon në legjislativ.
Me Krasniqin nuk pajtohet Ardian Gjini i AAK’së.
“Kuvendi i Kosovës e ka kaluar një vit të vështirë. Një vit i cili totalisht është dominuar nga agjenda e qeverisë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kryetari i Kuvendit është shprehur se agjenda e legjislativit është përmbushur në masë të madhe, edhe pse ka pranuar se ka pasur disa ngecje.
Në seancën e Kuvendit, që pritet të mbahet të martën, do të diskutohet edhe për Projektligjin për Kryqin e Kuq, shqyrtimi i dytë i Projektligjit Kundër Korrupsionit, Projektligji për TVSH’në dhe shqyrtimi i çështje së ndërtimit të Qendrës Protokollare në Gërmi.
Buxheti i Kosovës për vitin 2010 është 6 për qind më i lartë sesa i këtij viti. Shuma e buxhetit për vitin e ardhshëm arrin në 1.461 miliardë euro
Mesic në Kosovë
Kryetari i Kroacisë, Stipe Mesic, do të vizitojë Kosovën menjëherë pas Vitit të Ri. Kjo është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka paralajmëruar një seancë solemne për ardhjen e Presidentit korat.
“Më 8 janar kemi një seancë solemne, ku kemi mysafir Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesic, i cili do t`u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.