Drejtori kërcënues

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, ka kërcënuar dhe fyer rëndë gazetarin e rubrikës së ekonomisë në Express, Arben Hysenin.
Drejtori i KEK`ut, Arben Gjuka, ka kërcënuar dhe fyer gazetarin Hyseni në një festë të organizuar në Prishtinë nga KOSTI`i.
Sipas gazetarit të Express Arben Hysenit, Gjuka e ka fyer dhe kërcënuar atë pas një debati që kanë pasur për një shkrim, ku KEK i kishte dhënë një kompanie të palicencuar tenderin për import të energjisë elektrike.
Hyseni tregon se ai ka qenë në një tavolinë tjetër bashkë me drejtorin e Aeroportit, Agron Mustafën, Altin Ahmetin, zyrtar në Aeroportin e Prishtinës, dhe disa miq të tij, kur për një moment drejtori i KEK i është ofruar dhe ka nisur ta kërcënojë dhe ofendojë .
“Unë isha me miqtë e mi duke qëndruar ne një festë të organizuar nga KOSTT`i. Drejtori i KEK`ut, Arben Gjuka, na është ofruar për të biseduar. Muhabeti jonë ka pasur të bëjë për një tender të cilin KEK`u i ka dhënë një kompanie, e cila s`ka qenë e licencuar në Kosovë. Pas qëndrimit tim se më mirë është dashtë t`i jepet një kompanie më të shtrenjtë sesa një kompanie më të lirë, por e cila është ilegale në Kosovë, Gjuka ka filluar të ofendojë dhe të më kërcënojë”, thotë gazetari Arben Hyseni.
Gazetari i Express, Hyseni fillimisht thotë se ka menduar se drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, po bënte shaka, por pas qëndrimit të gazetarit Hyseni , Gjuka ka konfirmuar edhe një herë kërcënimin dhe fyerjet.
“E kam pyetur nëse e ka me të vërtetë atë që po thotë - ai e ka konfirmuar edhe një herë se më ka thënë ashtu. Më vonë jam larguar nga lokali dhe i kam thënë se këto janë sjellje të një laperi e jo drejtorit të Ndërmarrjes Publike”, rrëfen Hyseni.
Por, KEK në një sqarim të tyre ka hedhur poshtë se gazetari Hyseni është kërcënuar dhe fyer nga ana e drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj.
“Bëhet fjalë për një debat që ka dërguar në një mosmarrëveshje të çastit. Madje ka qenë gazetari Hyseni ai që ka adresuar një varg fyerjesh në drejtim të z. Gjukaj”, thotë KEK.
KEK ka shkuar edhe aq larg sa që drejtori menaxhues Gjukaj ka vërejtje edhe për punën që bën AGPK-ja, e cila, sipas KEK-ut, nuk e ka marrë fare mendimin e Gjukajt në lidhje me rastin. “Gjukaj në lidhje me këtë rast do të padisë gazetarin në fjalë për shpifje dhe lansim të pavërtetave në adresë të tij”, thuhet në reagimin e KEK.
Rastin e kërcënimit dhe fyerjeve e kanë konfirmuar për gazetë edhe të pranishmit që kanë qenë bashkë me gazetarin e Express`it.
Altin Ahmeti, zyrtar në Aeroportin e Prishtinës, duke konfirmuar këtë, thotë se drejtori i KEK`ut, Arben Gjuka, është ofruar në tavolinën ku po qëndronin ata dhe pas një muhabeti për një storie për KEK mes tyre, Gjuka e ka kërcënuar dhe fyer gazetarin e Express`it.
“ Pas një debati mes tyre për një tender në KEK, drejtori Arben Gjuka e ka fyer rëndë dhe e ka kërcënuar gazetarin Arben Hyseni”, thotë Ahmeti.
Arben Hyseni thotë se pas gjithë kësaj kanë ndërhyrë drejtori i Aeroportit, Agron Mustafa, dhe Altin Ahmeti duke e larguar dhe qetësuar gazetarin e Express.
“Kanë ndërhy disa njerëz që ishin prezent me mua duke më larguar”, thotë Hyseni.
Por, sipas gazetarit Hyseni, fyerjet dhe kërcënimet nuk kanë përfunduar me kaq nga drejtori i KEK-ut ndaj tij.
Ai thotë se edhe më vonë përmes njerëzve të tij, Gjuka ka kërcënuar Arben Hysenin se “ gazetari Hyseni do të ketë punë privatisht me drejtorin e KEK”.
“Më vonë, përmes njerëzve të tij të afërt, kam kuptuar dhe me ka dërguar selame se do të merret me mu edhe personalisht”, thotë Hyseni.
Përveç raporteve zyrtare, Hyseni rrëfen se nuk ka pasur asnjë telashe më parë me drejtorin e KEK`ut.
“Me Gjuken s`kemi pas kurrë ndonjë konflikt personal as komunikim shoqëror, pos atyre zyrtare”, vlerëson ai.
Ndaj kërcënimit të gazetarit të Express ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.
“AGPK dënon fuqishëm këtë akt dhe çdo lloj kërcënimi që u bëhet gazetarëve për shkak të kryerjes së punës së tyre. AGPK konsideron se kërcënimi i gazetarëve paraqet shkelje të lirisë së shprehjes dhe lirisë së informacionit, të drejta këto shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë”, thuhet në reagimin e AGPK`së.
Sipas AGPK`së, gazetarët kanë të drejtë të kërkojnë informata, të interesohen dhe të publikojnë temat që ata i konsiderojnë se janë në interes të publikut.
“AGPK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të hetojnë këtë rast me seriozitet”, thuhet në reagim.
Kjo nuk është hera e parë që drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, ka kërcënuar dhe fyer gazetarët e medieve të shkruara dhe atyre elektronike që funksionojnë në Kosovë.