“Mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës s’qëndron askush, as opozita”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në konferencën e nivelit të lartë të kryetarëve të parlamentarëve të KiE-së
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, është shprehur dje nga Qipro, gjatë punimeve të konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Këshillit të Europës se opozita në Shqipëri, po bëhet pengesë për reformat dhe integrimin e vendit. Në fjalën e saj mbajtur përpara krerëve të parlamenteve europianë në sesionin me temë “Roli dhe përgjegjësitë e opozitës në parlament”, Topalli theksoi se zgjedhjet e vitit të shkuar janë unike për historinë e vendit për mënyrën sesi u zhvilluan.
Sipas saj, zgjedhjet u bënë me sistemin elektoral të përzgjedhur nga vetë opozita dhe kjo për t’i dhënë asaj siguri të plotë për transparencën e zhvillimit të tyre, ndërsa i apeloi opozitës të heqë dorë nga interesat personale.
Kryeparlamentarja Topalli ka garantuar vullnetin maksimal për të respektuar opozitën, hapësirat, rolin dhe çdo kërkesë të ligjshme të saj ndërsa theksoi se mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës nuk qëndron askush, as opozita.
“Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspiron të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt. Kjo aspiratë e shpirtit dhe kjo axhendë e mendjes kanë bërë që Shqipëria të transformohet në mënyrë dinamike në një kohë shumë të shkurtër. Edhe në kohën e krizës së madhe globale financiare, Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike pozitive me 3.5 për qind, rritje të eksporteve, rritje të investimeve, rritje të rrogave, inflacion 2 për qind, borxh dhe deficit nën kontroll. Në vendin tim ka një vullnet të hekurt për të vazhduar me agjendën e reformave. Në Parlament, 2 vite më parë, kemi arritur marrëveshje të mëdha për ndryshime kushtetuese apo për reforma elektorale midis partisë në pushtet dhe opozitës”, u shpreh Topalli.
Duke u ndalur te perspektiva evropiane e Shqipërisë, kryeparlamentarja deklaroi se 20 vitet e fundit janë bërë transformime të jashtëzakonshme. Topalli cilësoi se Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s; ka bërë kërkesë për statusin e vendit kandidat në BE dhe pak ditë më parë janë dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të sjella nga Komisioni Europian.
“Më 27 Maj, komisionerja Malmstrom mori vendimin për t’i propozuar Këshillit dhe PE-së heqjen e vizave për shqiptarët. Dhe kjo u ratifikua me 2 qershor në Ministerialin e Sarajevës. Për të gjitha këto është bërë punë e madhe. Parlamenti, komisionet parlamentare kanë punuar e votuar një numër të madh ligjesh të reformave të thella. Axhenda e Parlamentit është axhenda e integrimit europian. Kjo do të thotë reforma në çdo fushë; kjo kërkon guxim por edhe vendosmëri, sepse reformat nuk janë garë pa pengesa. Në këto sfida Parlamenti është kthyer në institucion lider”- tha më tej, kryetarja e Kuvendit.
Në vijim të lobimit përmes diplomacisë parlamentare, Kryetarja e Kuvendit gjatë qëndrimit në Qipro do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me homologët e saj europianë.