E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kam numrat

Hashim Thaçi thotë se i ka siguruar numrat për krijimin e Qeverisë së re. Ai pohoi se është i interesuar vetëm për postin e Kryeministrit. Sipas tij, President i vendit do të jetë dikush që ka garuar në zgjedhje. Kreu i PDK’së theksoi se në Qeveri do të ketë vend edhe për figura nga shoqëria civile, duke përjashtuar mundësinë që PDK t’i mbajë tri postet e larta shtetërore Nga Shpend Limoni më 04 shkurt 2011 në ora 08:00

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, do të fillojë të hënën zyrtarisht përpjekjet për krijimin e koalicionit të ri qeverisës.

Komisioni Qendror Zgjedhor në këtë ditë pritet të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, që nxorën fituese Partinë Demokratike e Kosovës, e cila do të jetë edhe mandatare për krijimin e Qeverisë së re.

Sipas të gjitha analizave dhe sinjaleve të deritashme, krijimi i institucioneve të reja pritet të jetë një punë e vështirë për t’u kryer, për shkak të apetiteve të partive që synojnë të jenë pjesë e Qeverisë së re.

Një problem përbëjnë edhe partitë që ia kanë mbyllur dyert Thaçit e që nuk duan të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme. Po ashtu vështirësi pritet të dalin edhe për shkak të kërkesave të ndërkombëtarëve që në Qeverinë e ardhshme të hyjnë njerëz me “duar të pastra”

Por, kreu i PDK’së nuk është i shqetësuar për këtë. Të enjten ai ka thyer heshtjen duke thënë se tashmë i ka numrat për krijimin e Qeverisë së re dhe se kjo do të bëhet para 17 shkurtit, kur shënohet përvjetori i tretë i pavarësisë së Kosovës. Por nuk ka sqaruar se kush janë partnerët e tij potencialë për qeverisjen e ardhshme.

“Nga e hëna do të filloj takimet zyrtare me spektrin politik për shtetndërtim dhe konsolidim të shtetit tonë, por edhe me partnerët tjerë potencialë për ndërtimin e qeverisë së re të Kosovës me mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Pra, unë kontratën me qytetarët nuk e thyej dhe do të jem në krye të përgjegjësisë dhe besimit të qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.

Në opinion deri më tani kanë qarkulluar variante dhe opsione të ndryshme, kur është fjala për krijimin e Qeverisë.

Kanë qarkulluar emra të ndryshëm për postin e Presidentit e për këtë pozitë është përmendur edhe emri i Thaçit.

Por, kryetari i PDK’së, i cili është edhe Kryeministër në dorëheqje, ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke thënë se është vetëm posti i shefit të ekzekutivit ai që i intereson.
“Tani unë e kam fituar besimin e plotë qytetar, tanimë kam kontratë me qytetarin e Kosovës për katër vjetët e ardhshme. Qytetari ka vendosur për pozicionin e çdo lideri, por edhe të partive politike. Natyrisht se në këtë drejtim do të vazhdoj të jem në një rol unifikues me spektrin politik dhe qytetar, por jo si president, por si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Lideri i PDK’së është deklaruar edhe rreth një dileme që është duke qarkulluar në kuluare.

Si mundësi për emrin e Presidentit janë përmendur edhe disa figura, të cilat nuk kanë qenë garë e procesit të fundit zgjedhor.

Thaçi thotë se posti i Presidentit do t’i takojë figurave që i janë nënshtruar garës së fundit zgjedhore.

“Gjithashtu dëshiroj të theksoj se edhe president do të jetë vetëm ai president që ka kaluar nëpërmjet procedurave elektorale për besimin qytetar”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri në dorëheqje thotë se aktualisht janë duke ndodhur takime të ndryshme mes subjekteve politike. Ai ka thënë se pjesë e këtyre bisedimeve do të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Thaçi ka thënë se tri funksionet më të larta shtetërore nuk do t’i takojnë PDK-së.
Aktualisht formula më e përfolur për krijimin e qeverisë së re është ajo mes PDK’së minoriteteve, AAK’së dhe AKR’së.

Por, një marrëveshje mes këtyre subjekteve pritet të zyrtarizohet vetëm pas një ndërmjetësimi të fuqishëm ndërkombëtar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›