Thaçi: Ankesat zgjedhore shtynë rritjen e pagave

Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhjen për vonesën e daljes së pagave me rritje për mësuesit, policët dhe punonjësit e administratës, në muajin janar.
Ai ka akuzuar Gjykatën Supreme, që u ndikua nga ankesat e disa partive, dhe e qoi në rivotim Mitrovicën, duke bërë kështu që të vonohet krijimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve.
Duke iu përgjigjur akuzave për “mashtrim të qytetarëve për ngritje të pagave”, Thaçi ka drejtuar gishtin tek subjektet politike që me ankesa të shumta kanë zvarritur përfundimin e procesit zgjedhor.
“Kisha planifikuar ndërtimin e institucioneve në janar. Stërzgjatja e procesit zgjedhor ka qenë faktori vendimtar. Ai vendim është në fuqi dhe njerëzit do t’i marrin pagat me aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës. Kjo është përgjegjësi e gjithë spektrit politik, sa më parë të mblidhet Kuvendit, të aprovohet buxheti dhe njerëzit t’i marrin pagat e tyre”, ka thënë Thaçi, në prononcimin e parë në lidhje me mosarritjen e pagave për disa kategori buxhetore.
Ai ka shprehur keqardhjen e tij personale, dhe mllefin për këtë vonesë të panevojshme. “Mund të them vendimin e ndikuar direkt në Gjykatën e Supreme për rivotim në Mitrovicë”, është shprehur Thaçi, transmeton KosovaPress.
Thaçi i bëri komentet pas një takimi me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renzo Davidi, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e Instrumentit të Para-anëtarësimit që përfshinë programin e asistencës në vlerë prej 63.9 milionë euro për Kosovën.