Shfajësohet për rroga

E dha edhe fjalën e tij për mosdaljen e rrogave me rritje në muajin janar, siç kishte marrë vendim Qeveria. Kryeministri Hashim Thaçi arsyetoi mosdhënien e rrogave me veprimet e institucioneve tjera që zvarritën konstituimin e institucioneve qendrore. Me këto deklarata, ai aludoi në Gjykatën Supreme, e cila me vendimin që mori i hodhi në rivotim krejt qytetin e Mitrovicës.
“Unë e theksoj, kisha planifikuar ndërtimin e institucioneve në janar dhe stërzgjatja e procesit zgjedhor ka qenë faktori vendimtar. Ai vendim është në fuqi dhe njerëzit do t’i marrin pagat me aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Kjo, sipas tij, është përgjegjësi e gjithë spektrit politik dhe sa më parë të mblidhet Kuvendi, do të aprovohet buxheti dhe njerëzit t’i marrin pagat e tyre.
“Në këtë drejtim shpreh keqardhjen time personale, shpreh edhe mllefin për këtë vonesë të panevojshme dhe mund të them vendimin e ndikuar direkt në Gjykatën e Supreme për rivotim në Mitrovicë”. Deklarimet e tij nuk i kanë marrë fort seriozisht mësuesit dhe shërbyesit civilë. Ata gjatë ditës janë shprehur të zhgënjyer me mosrritjen e rrogave. Njëjtë ka deklaruar edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Ai tha se vonesa u shkaktua nga zvarritja në krijimin e institucioneve të reja, që ka sjellë si rrjedhojë edhe vonesa në miratimin e buxhetit të vitit 2011.
“Është një moment, mbase pa fajin e Qeverisë, për shkak të stërzhagitjes së zgjedhjeve në Mitrovicë”, tha ai.
Kryeministri Thaçi u shfajësua në ditën kur Komisioni Evropian i dha Qeverisë së Kosovës shumën e ardhshme të parave të premtuara në Konferencën e gazetarëve në pranverën e vitit 2008.
Edhe 63 milionë
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renzo Davidi, kanë nënshkruar marrëveshjen e instrumentit të para-anëtarësimit që përfshin programin e asistencës në vlerë prej 63.9 milionë eurosh.
Kryeministri Thaçi deklaroi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje financiare, Komisioni Evropian që nga Konferenca e donatorëve e vitit 2008 ka arritur investimet gati në 400 milionë euro në Kosovë.
“Kjo mbështetje e vazhdueshme tregon seriozitetin dhe përkushtimin që Bashkimi Evropian ka ndaj Kosovës. Perspektiva evropiane e Kosovës është shumë e qartë dhe ndihma e vazhdueshme e BE-së do të kontribuojë në realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të kësaj perspektive të sigurt”, ka thënë ai.
Ai theksoi se Kosova është duke kaluar një kohë historike drejt konsolidimit të shtetit dhe përgatitjes së institucioneve për t’u përballuar me sukses me sfidat që dalin nga procesi i integrimit dhe ka shprehur zotimin si qeveri që t’i përmbushë të gjitha sfidat që dalin përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
IPA 2010 do të financojë projekte në fushën e bujqësisë, mjedisit, energjisë dhe edukimit dhe këto projekte, sipas Thaçit, janë plotësisht në harmoni me prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe reflektojnë sinkronizimin e agjendës zhvillimore me agjendën evropiane të Kosovës. Në anën tjetër, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, tha se janë arritur suksese të shumta në zbatimin e marrëveshjes së IPA 2008 dhe në zotimin e mjeteve për IPA 2010.
“Ne tani kemi përmbushur plotësisht zotimin tonë nga Konferenca e donatorëve e korrikut 2008. Por, ç’është më e rëndësishme, ne jemi siguruar se fondet e IPA-së janë shpenzuar në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Davidi.
Paratë e zotuara me marrëveshjen e nënshkruar sot mes Qeverisë dhe Zyrës Ndërlidhëse të KE-së do të shpenzohen për përforcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, reformës së administratës publike, komuniteteve dhe arsimit, adresimin e çështjeve socio-ekonomike siç janë financat publike, zhvillimi ekonomik rajonal, përfshirë këtu infrastrukturën, bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ky program gjithashtu përqendrohet në përafrimin e legjislacionit dhe standardeve evropiane, përshirë këtu veterinarinë dhe sigurinë e ushqimit, reformat e sektorit të energjisë dhe mjedisin.
Bashkimi Evropian prej kohës së pasluftës ka dhënë me qindra miliona euro për Kosovën. Vetëm për periudhën 2007 deri 2012, Bashkimi Evropian ka ndarë gjithsej 565.1 milionë euro. Pa përfshi këtu edhe shumat e vogla dhe të kohëpaskohshme që ka ndarë për shumë projekte kapitale dhe sektorë të ndryshëm të vendit.